Sekreti i lumturisë së menjëhershme
20/12/2022 Shpërndaje

Sekreti i lumturisë së menjëhershme

*Nga Laura Xhaxho

Shpesh na duket sikur arritja e një qëllimi të madh na siguron një lumturi të qëndrueshme apo arritje personale. Realiteti është se ata që sigurojnë arritje të larta, nuk shpenzojnë shumë kohë duke shijuar pamjen e tyre nga lart por vendosin shpejt një objektiv të ri dhe vazhdojnë përpara.

E njëjta përvojë ndodh shpesh kur bëjmë një blerje të rëndësishme, si blerja e një shtëpie ose një makine të re. 

Ne shpesh besojmë se arritjet apo blerjet që bëjmë janë ato që na bëjnë të lumtur në jetë, por nuk është gjithmonë kështu, të paktën në afatgjatë. 

Shumë prej nesh gabimisht besojnë se lumturia varet nga diçka e jashtme që mund të ndodhë ose ndryshojë në jetën tonë. 

Të gjithë ne kemi qenë përballë situatave si;

* Do të jem i lumtur kur të martohem.

* Do të jem i lumtur kur të marr një rritje page, ose një promovim.

* Do të jem i lumtur kur të blej një shtëpi.

* Do të jem i lumtur kur të fitoj një çmim, etj.

Është gjithmonë mirë të vendosim qëllime madhore për veten tonë. Por në asnjë rast nuk duhet të besojmë se thjesht arritja e këtyre qëllimeve do të ndryshojë rrënjësisht nivelin tonë të lumturisë ose vetëvlerësimit. 

Qartësia e qëllimit është ajo që na çon në lumturinë e brendshme dhe jo arritja e tij. Kultura perëndimore e konsumizmit, dhe veçanërisht marketimi masiv, na ka detyruar që në moshë të re të besojmë se lumturia jonë varet nga gjërat që fitojmë, dhe jo nga diçka që vjen nga qëllimi ynë unik, personal. Kur vendosim qëllime, është e rëndësishme të sigurohemi që ato përputhen me vlerat tona; përndryshe mund të gjejmë veten duke u ngjitur në malin e gabuar dhe duke u ndjerë bosh kur arrijmë në majën e tij.

Ndërsa shumë prej nesh e gjejmë veten në situata të pashëndetshme, apo edhe të rrezikshme, ku thjesht dalja nga ai mjedis mund të përmirësojë rrënjësisht mardhënien tonë me lumturinë, një test i vërtetë i lumturisë është nëse arrijmë që të jemi në gjendje që të jemi të lumtur këtu ku jemi sot, duke ndryshuar ndjenjat e brendshme, pa ndryshuar pamjen tonë të jashtme. 

Parimi thelbësor i konceptit të stoicizmit, një filozofi e lashtë greke që është përqafuar nga shumë personazhe të suksesshëm dhe është subjekt i shumë diskutimeve për transformimin personal është se të gjitha gjërat drejtohen nga ligje të pandryshueshme natyrore dhe se të mençurit janë ata që jetojnë me virtyt dhe pranojnë gjithçka që ndodh me qetësi dhe qëndrueshmëri. Stoikët priren të jetojnë në të tashmen dhe të përqendrohen në atë që ata kontrollojnë, në vend që të mendojnë për të ardhmen dhe të shqetësohen për atë që nuk mund të kontrollojnë.

Ambicia është e rëndësishme por në doza të mëdha ajo bëhet e pa shëndetshme. Është e nevojshme të rivlerësojmë periodikisht prioritetet tona dhe mënyrën se si e shpenzojmë energjinë tonë, për t’u siguruar që jemi duke përafruar veprimet me vlerat dhe njerëzit që i konsiderojmë më të rëndësishëm në jetë. Duke vendosur qëllime, duke i dhënë përparësi kujdesit për veten dhe duke gjetur aktivitete që sjellin gëzim dhe përmbushje, ne mund të sigurohemi që ambicia të shërbejë si një forcë pozitive në jetën tonë dhe jo si burim konfliktesh dhe stresi.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.