Sa kushton konflikti Rusi-Ukrainë?
Instituti i Studimeve të Politikës Ndërkombëtare në Itali ka thënë se kanë mjaftuar vetëm 30 ditë luftë për të shkaktuar një tsunami civilësh drejt vendeve në kufi me Ukrainën. Sipas institutit, agresioni rus ka krijuar emergjencën më të rëndë që pas luftës së dytë botërore.
Shifrat tashmë e konfirmojnë: 1.4 milion ukrainas aktualisht nuk kanë akses në ujin e pijshëm, ndërsa 4.6 milion të tjerë kanë akses të kufizuar.
90 mijë ukrainas, çdo ditë lënë shtëpitë e tyre. Të paktën 3.8 milion në muajin e fundit. Pjesa më e madhe e tyre mbërrin në Poloni. Këtyre u shtohen edhe 6.5 milion njerëz që zhvendosen brenda shtetit, ndër të cilët 4.3 milion janë fëmijë.
Nga ana tjetër, edhe në Rusi situata është e trazuar. Pas sanksioneve të forta dhe të ashpra të vendosura nga vendet perëndimore, Presidenti rus, Vladimir Putin ka lajmëruar ndryshime ekonomike që do ta rëndojnë ndjeshëm popullin rus. Sipas ISPI-t, në një javë të vetme, qytetarët rusë kanë pësuar një rritje të inflacionit me 2%. Rritje që sipas parashikemeve të Institutit Italian pritet të shkojë deri në 17% në fund të muajit Mars.
Tronditje nga ndryshimet drastike në ekonominë ruse ka pasur te mallrat e importimit, prej të cilave përfshihen produktet bazë. Qytetarët rusë I janë sulur dyqaneve përgjatë javëve të fundit, për shkak të frikës së mungesës së produkteve jetike.
Përpara fillimit të Luftës, Prodhimi I brendshëm Bruto në Rusi parashikohej të rritej me 3%, ndërsa tani pritet të pësojë një rënie, nga -6 deri në -15%. Dhe shifrat e fundit do të variojnë duke u bazuar te kohëzgjatja e konfliktit.
Nëse nga aspekti ekonomik Bursa e Moskës ka pësuar një rënie të ndjeshme, prej 45%, që pas vendosjes së sanksioneve nga Perëndimi, produktet jetike që Rusia eksporton, si: gazi, nafta, mineralet dhe të tjera lëndë të para, do të jetë shumë e vështirë të zevëndësohen nga vendet që i blejnë ato. Një situatë e tillë do të krijojë një spirale inflacionizmi në vendet e pasura me standart të lartë, ndërsa në vendet me standart të mesëm dhe të ulët, do të shkaktojë një rritje të çmimeve të ushqimeve.
Nëse nga njëra anë ndalimi i importit të naftës së papërpunuar ruse nuk do të ketë efekte të mëdha për ata që përdorin pak prej saj siç janë SHBA dhe Britania e Madhe, nga ana tjetër do të bëjë që kostoja e fuçisë të rritet shumë. Një zgjidhje mund të jetë rritja e prodhimit për vendet që deri dje nuk ishin fort “miqësorë”, si Irani, që aktualisht po pëson sanksione që frenojnë eksportet e tij. Në këtë mënyrë, “çmimet e naftës bruto – shkruan Ispi – do të binin, dhe bashkë me to edhe të ardhurat ekonomike për të cilat Moska tashmë ka nevojë dëshpërimisht”.
BE, SHBA dhe Japonia kanë ndaluar hapësirën ajrore për avionët rusë. Si pasojë, Moska lëshoi një kundërsanksion të ngjashëm. Kjo në fakt ka zgjatur distancat tregtare (dhe për rrjedhojë kostot). Kompanitë kanë ndryshuar rrugët e fluturimeve të tyre: dy orë më shumë për një fluturim nga Frankfurti në Pekin, ose nga Londra në Tokyo dhe anasjelltas.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
