Poezi/ “Tirana në dimër”; “Gjuha shqype”! Nga Fishta te Noli
Për gati një gjysmë shekulli pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, shkrimtarë dhe intelektualë shqiptarë vazhduan të frymëzoheshin nga iderat dhe nga idealet e Rilindjes Kombëtare të shekullit nëntëmbëdhejtë. Rryma kryesore e letërsisë shqiptare deri në Luftën e Dytë Botërore ishte ajo e shkollës shkodrane të Gjergj Fishtës – një shkollë kreative, inovative por njëkohësisht tradicionale. Fishta solli në Shqipëri një rrafsh cilësor më të lartë, rrafshin e letërsisë të cilën vendet më të zhvilluara të Evropës kishin patur që nga gjysma e dytë e shekullit nëntëmbëdhjetë. Kjo ishte një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm duke marrë parasysh konsolidimin e vonuar të Shqipërisë si shtet dhe në zhvillimin e saj të ngadalshëm politik dhe kulturor.
Pozitivi.org ka sjellë më poshtë disa prej poezive më të mira të shkrimtarëve të shquar si Ismail Kadare, Fan Noli, Gjergj Fishta dhe Andon Z. Çajupi
Ismail Kadare: Ismail Kadare është shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar me dhjetëra herë për çmimin Nobel
Fan Noli: Fan Noli (6 janar 1882 – 13 mars 1965) ishte prift, përkthyes, publicist, shtetar, diplomat, poet dhe historian i njohur shqiptar. Më 12 prill 1937, Nolit iu plotësua ëndrra e madhe për një kishë kombëtare shqiptare kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Ndonëse vetë nuk shkroi shumë në lëmë të letërsisë, ka hyrë në panteonin e letrave shqipe me këto vepra: Album – vëllim vjershash – 1948; Historia e Skënderbeut – 1921; Autobiografia – 1960; Izraelitë e Filistinë – dramë; Bethoveni dhe Revolucioni Francez.
Gjergj Fishta: Gjergj Fishta është poet dhe autor/publicist shumë i njohur. Gjergj Fishta i lindur me 23/10/1871 ne Fishte te Zadrimes ne Shkodër. Studimet e para i kreu ne Seminarin françeskan të Shkodrës dhe më pas në seminarin e Troshanit. Ku u shfaqen edhe shkëndijat e para të talentit të tij poetik. Studimët e mëtejshme i mori në Bosnje, ku studioi filozofi dhe teologji. Fishta i madh është themëlues i shoqëris Bashkimi në Shkodër (1899), që punoi për shqipën e përbashkët, fjalorin, alfabetin dhe botoi libra me vlerë kombëtare: kryetar i Komisionit të alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit(1908). Fishta u bë drejtori i parë shqiptar i Shkollës Françeskane në Shkodër, ku futi shqipën si gjuhë mësimi,pra një akt i tij madhorë. Më 1913, ai themëloi revistën zëmadhe, “Hylli i Dritës”, (një nga revistat më të njohura të kulturës shqiptare), më të cilën bashkëpunoi deri në vdekje.
Fishta ishte deputet i Shkodrës në Parlamentin e parë shqiptarë dhe nënkryetar i tij; përfaqësoi Shqipërinë në Konfërencën e Parisit(1909) dhe në Konfërencën Ndërballkanike më 1930-1931.
Poetin e madh e nderuan në shumë veprimtari: Më 1931 Greqia i dha dekoratën “Foenix”. Më 1939 Italia e bëri anëtar të Akademisë së saj. Atë Gjergj Fishta vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.
NË NATËN PLOT ACAR
Në natën plot acar një zjarr desha të ndez
Por, nata ish e ftohtë, ah, ç’tmerr i zi që ish,
Ndaj që të mbahej gjallë ky zjarrth n’atë rrebesh
Diçka përherë kërkonte, kërkonte vazhdimisht.
Ndaj si shtegtari murg, që shkarpat mblesh në terr,
Unë hidhja n’atë zjarr gjymtyrët pa pushim.
Por ishin pak ato, ndaj fill pas tyre rresht
Mbi të nisa të hedh copëra të shpirtit tim.
Se s’bëhej ndryshe, dot, se s’bëhej ndryshe, eh,
Se duhej që dikush ta mbante atë flakë.
Në flakëzën-delir që veç vajosja sjell
Të frikshme pamje ndritnin e dridheshin përqark.
I shihnit vallë ato, dallonit vallë diçka
Ndërsa rreth meje nata me terr e ujq u mbush.
Se donin që të gjithë ta fiknin atë zjarr,
Dikush me ligësi e me padije dikush.
Të tjerë majë kodrash ku dielli kishte rënë
Të tyret zjarre ndrisnin dhe qeshnin që përtej.
Se s’donin të kuptonin ç’bëhej këtu brenda
Se ç’fli kërkon një flakëz që lindet në një terr.
I lodhur nganjëherë kam thënë: shuhu pra,
Në qoftë se nuk të duan, të bjerë natë e pafund.
Të verbtit sytë tuaj kështu ndoshta do t’jenë
Në terrin absolut pa shqetësim kurrkund.
Po prapë diçka më shtynte të ngrihem si somnambul,
Si murgu shkretimtar që shkarpat verbtaz mbledh
Dhe sipër zjarrit prap’ të hedh gjymtyrët akull
Dhe copërat një nga një të shpirtit tim të hedh.
1984
TIRANA NË DIMËR- Ismail Kadare
Fryn erë e dimrit, fishkëllen si bishë
Që nga Gjykatë e Lartë në Parlament.
Tirana gdhin, aq pabesisht e hijshme,
Sa s’di ç’ta marrësh, delir apo qytet.
Zgjohet sërish, me atë emër të tmerrshëm,
Që një mijë vite rreh ta heqë më kot.
Vërtetin gjethet dantealigershëm
Si shpirtra që nuk patën trupa dot.
Përballë tyre, zyrtarë të pashpirt,
Në varg veturash rendin, s’dihet ku.
E verbër si të tjerat ngjan kjo ditë
Ngaqë askush s’beson askënd, askund.
2
Në një mëngjes të tillë ç’të bësh më mirë,
Se sa të shkosh në klubin “Davidoff”?
Të zësh një kënd mu te qelqnajë e ngrirë
Dhe mendjen mundësisht ta çosh në off.
Në kafene ka për çdo punë një qasje,
Të tillë që kurrkënd nuk e gjen dot.
Për tri mijë euro porosit një vrasje,
Për katër mijë, titullin vikont.
Për gjithçka flitet, pronat, asgjëkundin,
Çmimin Nobel a një veturë të re,
Për zgjedhjet dhe dekretet krejt të fundit
Të zotit president me emër hebre.
Flitet për mllefe, për kupën që u mbush,
Për Jezu Krishtin a ndjesën fill pas kobit.
Në njërën nga tryezat shpall dikush
Një skicë të re të historisë së kombit.
Pas tij, kur etërit tanë një vjeshtë dolën për pre,
Një shkabë rrëmbyen në trojet e mëdha.
Më lehtë u merrje shpirtin se atë shpend,
Ndaj bota u lodh e shkabën ua la.
Krenarë që Romën e Bizantin zhvatën,
Jo një kasolle vllahu në Ballkan,
E vunë në flamur të tyre shkabën
Dhe bij të saj u shpallën anembanë.
Kështu në kafene kjo punë merr qasje
Me “kundra” e “pro” të bujshme, natyrisht.
Okej, për tri mijë euro, thotë vrasësi,
Për dukën dhe dukeshën bashkë, dyfish.
3
Mesdita ia beh, si grua e dehur tapë.
Temperatura e dollari zbresin prap.
Po shqyhen celularët: okej, shkërdhatë,
Rrofsh, je yll bote, e tung, e top, e ****.
A shqip është kjo llahtarë apo dreqnisht?
Për gjithçka flitet, heshtet për gjithçka.
Ja të dy palët, xhelatë, viktima e ish,
Kujtime shkruajnë netëve me mllefe të mëdha.
Po ç’është ky popull që në gropë i shtrirë
Kujton aq krenarisht se është në majë?
Dhe kur përkunër, nga gropa del i lirë,
Jam i rrëzuar! Klith me thirravaj?
Një makth i dalë nga një gjumë i marrë
Më i zbërthyeshëm se ky komb do të qe.
Ca trumba zogjsh me curle e celularë
Që nëpër mjegull klithin, nëpër re.
4
Pse gjethet befas prarim kurore marrin,
Tek shtrohen si qilim mbi bulevard?
Kambana e katedrales së Shën Palit
Trishtueshëm bie si me peng e aht.
Ç’nuk pjell ky vend, horra, shenjtorë e tmerr,
Zonja Makbeth e pranga e perla e hekura.
Dhe ja tani njëra pas tjetrës nxjerr
Dy mbretëresha, që të dyja të vdekura.
Nuk qenë robina jo, rrëmbyer vonë,
Pas dokeve kreshnike a në pritë.
Kanë ardhur vetë, ndonëse qenë në fron
E para veç një vit, e dyta as një ditë.
Dhe katedralja i përcjell me vaj
Dy mjellmat e gabuara, të mekura.
Ato që s’erdhën për kurorë, veç për varr,
Të brishtat zonja, mbretëreshat e vdekura.
5
Në klubin “Davidoff” qelqnajë e ngrirë
Dremitje dite sjell s’di se nga ku.
Një si madonë e lodhur më është përhirë,
Që italishtja gjuhë mund t’ishte gjithashtu.
Lehonë e zbehtë pas lindjes së kaltëreme,
Në të njëmijtin e treqindin vit,
Më shumë se Krishti madonën, kjo poemë
E lodhi ndoshta gjuhën italisht.
O këto pamje i njoh dhe nuk i njoh,
Këto tri kate, rradhët, ashensorët,
Ku hypin, zdrypin, klithin obobo,
Rufjanët, mëkatarët dhe mizorët.
Të gjithë janë aty, rrahin më kot
Të ndërrojnë katet, por katet s’ndërrohen kurrë.
Të zes, në mjegull shtyhen sindozot,
Ish-korbat e së zezës diktaturë.
Nga bie dalja? Ku ndodhet Purgatori?
Nga pyetjet sheshi gumëzhin si zgjoi.
Shkodran je ti? Ç’plenum i zi të polli?
Më ngriti i dyti, i gjashti më rrëzoi.
Një zë gjëmon: këndej plenumi i katërt,
Piktorët andej, i pesti rreth u mbush.
Shkrimtar spiun je ti? Rend te i shtati.
Në s’do të digjesh te i teti shkrumb.
Rendni, fatzinj, mëshirë për ju nuk ka,
Ashtu siç ju nuk patët për askënd.
S’ka vend ndërkaq te Tmerret e Mëdha,
As te Politbyroja nuk ka vend.
Me ngut po shtohet një Gropë e Hon i Ri,
Bri Lugjezezës një tjetër Lugjezezë.
I nënti rreth po mbushet, dhe ai.
S’ka mbetur veç një vend për Zonjën e Zezë.
6
Në kafene ka rënë njëfarë qetësimi.
Shpirti pushim kërkon, e ndoshta mall.
Anëdete blu, plazhe të shkreta dimri,
Hotele ku nuk mbërrin i ftohti i madh.
Një grua e mjegullt, shfaqur te qelqnaja
M’u duk se më kujtonte një premtim.
Vdekja s’më la, atë premtim të mbaja,
I thashë më në fund plot pikëllim.
Ajo më pa habitshëm që pas qelqit:
Nuk të marr vesh, kjo gjuhë më bën ujem.
Në qoftë se ti, siç thua, je i vdekur,
Atëhere mua ç’më mbetet që të jem?
S’e di, i thashë, me habi të ftohtë,
Tek shpirti prapë me pikëllim m’u mbush.
Dikush nga ne të dy s’është më në botë,
Po cili a cila, këtë s’e di askush.
Një copë herë me shenja morëm e dhamë.
S’kuptoheshim, veç kishim mall e mund.
Gjersa ajo u tret te qelqi i madh
Dhe unë mbeta shkret në kundaskund.
7
Mbrëmja po bie. Tirana rrotull bllokut
Nis të stoliset për ballo a për orgji.
Një foshnje e rastit, e paligjshme e Nju-Jorkut,
Një ëndërr xhuxhe a shkërbim i tij.
Në borxhe e gjyqe rrokaqiejt vërtitin
Drita dhe bare rrotulluese lart.
Poshtë tyre, luanesha të përgjumura në pritë,
“Amerikan”, “Raiffeisen” e “Credin’s Bank”.
Por s’do t’ia dijë askush për borxhe a gjyq,
Të dehur qejfit krejt a marrja e hakut.
I gjatë, si natë e ankthshme n’udhëkryq
Shfaqet mes brymës kryebashkiaku.
Kull e Sahatit po tregon një orë,
Që ndoshta kundërshtohet si çdo gjë.
Në sallat e muzeut të fundit vizitorë
Ja muzgu si në kurth befas i zë
8
Keshtu ne nje fund dite ajo mu shfaq
Fantazme e kombit si e Hamletit mbret.
Kish ndryshk e gjak mbi parzm e et per shpage
Dhe kumt te frikshem kish ne syte e vet.
Une ja besova fjalet, kumtin, ahtet,
Gjithmone ka nje fantazme qe lyp dicka prej nesh,
Pastaj ajo kerkoi ate qe s’lypet artin.
Tek fjalen “popull” tundtte si rrebesh.
Te falem per c’me dhe, vec mos me lyp ti mos,
Nje borxh qe nuk ta kam. Te kerkoj ndjese
Qe dot s’te mbrojta, s’te mbrojta e sidomos,
Prej vehtes tende, armikut tend te tmerrshem.
Ti rrugen tende ke ne kete bote te ftohte,
Shkrimtari do a s’do ka rrugen e vet.
Te mbrofte Zoti, a marrezia te mbrofte,
Tjeter hyjni une kam. Pra mirembetsh!
Ska “mirembetsh!” fantazma klithi. Mejet
Ti sndahesh dot, mbi toke apo nen toke!
Nu ngritshim, te dy do cajme rete
Ne rencim ne humnere, do biem tok.
Klithmen e saj kaq kohe pata ne vesh,
Here si renkim, si urdher a si vaj
Kerkonte qe gjithkund ta mbart si peshe,
Porsi Ankizin at, mbi shpine ta mbaj.
Te gjithëve kjo klithme na ndjek si nëpër gjumë.
I vogël është planeti sigurisht,
Si një shtëpi e ngushtë, ku në bodrum
Dikush klith: ”ndihmë!” dhe ti, s’di si ta ndihsh.
Mesnata shkon Tirana dot nuk fle.
Po flet përcart si shpirt që kërkon ndihmë
Një metropol me kryet krejt në re,
Kryeqytet me emrin krejt enigmë.
Në c’makthe e gjete, c’kumt aty ke ndryrë?
Ç’urdhër ke fshehur, kë do trembësh me të?
Fryn erë e dimrit, si ulkonjë e ngrirë,
Ajo që s’jep përgjigje për asgjë.
Anës lumenjve, poezi nga Fan Noli
Arratisur, syrgjynosur,
Rraskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Ku e lam’ e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.
Se ç’e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës.
Çirrem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall’, as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres me vjet’ e pres me ditë,
Se ç’u tera, se ç’u mpaka,
Se ç’u çora, se ç’u mplaka,
Larg prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
Ëndërronj pa fund, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Dhe një zë vëngon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!
Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.
Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
GJUHA SHQYPE- Gjergj Fishta
Porsi kanga e zogut t’verës,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut t’detit,
porsi gjâma e rrfès zhgjetare,
porsi ushtima e nji tërmetit,
ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare.
Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë,
porsi gjumi m’nji kërthi,
porsi drita plot uzdajë,
porsi gazi i pamashtri;
edhè ndihet tue kumbue;
porsi fleta e Kerubinit,
ka’i bien qiellvet tue flutrue
n’t’zjarrtat valle t’amëshimit.
Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.
Në gjuhë shqype nanat tona
qi prej djepit na kanë thânun,
se asht një Zot, qi do ta dona;
njatë, qi jetën na ka dhânun;
edhe shqyp na thanë se Zoti
për shqyptarë Shqypninë e fali,
se sa t’enden stina e moti,
do ta gzojn kta djalë mbas djali.
Shqyp na vete, po pik’ mâ para,
n’agim t’jetës kur kemi shkue,
tue ndjekë flutra nëpër ara,
shqyp mâ s’pari kemi kndue:
kemi kndue, po armët besnike,
qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet,
kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet.
Në këtë gjuhë edhe njai Leka,
qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni,
në këtë gjuhë edhe Kastriota
u pat folë njatyne ushtrive,
qi sa t’drisë e diellit rrota,
kanë me kênë ndera e trimnive.
Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini,
gegë e toskë, malci e qyteta,
gjuhën t’uej kurr mos ta lini,
mos ta lini sa t’jetë jeta,
por për tê gjithmonë punoni;
pse, sa t’mbani gjuhën t’uej,
fisi juej, vendi e zakoni
kanë me u mbajtë larg kambës s’huej,
Nper gjuhë shqype bota mbarë
ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,
ka me ju njohtë për shqyptarë;
trimi n’za, sikurse jini.
Prandaj, pra, n’e doni fisin,
mali, bregu edhe Malcija
prej njaj goje sod t’brohrisim:
Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!
SHQIPETAR- Andon Z. Çajupi
Shqiperin’ e mori turku,
i vu zjarr!
Shqipetar, mos rri, po duku,
shqipetar!
Mjaft punove per te tjere,
o fatkeq!
Kujto vendin tek ke lere
dhe tek heq.
Te ka bere perendia
luftetar,
si s’te lodhi roberia,
shqipetar!
Erdhi dita te ngresh koke,
te kerkosh
lirine, bashke me shoke
te leftosh!
Mos beni si keni bere
gjer me dje,
por te leftoni te tere
per Atdhe.
Peseqind vjet kemi rruar
me pahir,
Lidhure me kemn’ e duar
me zinxhir!…
Myslyman’ e te krishtere
jemi keq!
Te ngrihemi qe te tere,
djem e pleq!
Te ngrihemi te deftojme
trimeri;
ja te vdesim ja te rrojme
per liri!
O moj Shqiperiz’ e dashur,
memedhe,
Te shoh me buze te plasur,
si me sheh.
U shkretove anembane,
Shqiperi,
se shqiptaret s’kane
dashuri.
Gjithe djemte qe ke qare
dhe mban zi,
per Morene jane vrare,
per Turqi!
Zhvish rrobat e roberise,
memedhe,
vish armet e trimerise
se ke ne!
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
								
						
						
						