Poeti i ri Alban Tufa, në rrugën e ndritur të krijimtarisë letrare
Alban Tufa poeti i ri i talentuar, i lindur dhe rritur në Dibër, pasionin për krijimtarinë e ka kuptuar që në shkollën fillore, aty ku ka shkruar dhe poezinë e parë. Gjatë një interviste për pozitivi.org Albani na tregon rreth botës së tij krijuese, rrugës së ndritur që ka nisur në fushën e gazetarisë dhe planet e së ardhmes.
Tregon se ishte një fëmijë i urtë me flokë dhe vetulla të bardha, saqë sipas tij skifterët e ngatërronin me qingjat, ndërsa tashmë është një i ri ambicioz, i plotësuar në shumë dimensione. Është rritur në fshat, i marrosur pas gjithçkaje që e rrethonte në natyrën e bukur të fshatit dhe mbi libra, prej të cilëve s’ka më shpëtim.
Frymëzim dhe shembull për të ka qenë xhaxhai, shkrimtari i mirënjohur Agron Tufa, pasi prej veprave të tij thotë se ka nxënë shumë. “Është privilegj sepse ka qenë i pari autor që ia kam lexuar të gjitha veprat. Prej tij dhe veprave të tij kam nxënë shumë. Agroni ka qenë shtysa e parë që unë ta nis këtë zeje dhe të jem këtu ku jam sot”, thotë mes të tjerash poeti i ri për Pozitivin.
Ka vite që gjithçka që shikon e qëndis sipas stilit të tij të veçantë në letër, ka marrë pjesë vazhdimisht në kompeticione dhe konkurse letrare ku ka fituar dhe shumë çmime, por si duket është vetëm fillimi. Aktualisht Albani është në vitin e fundit në Shkenca Komunikimi, ndërkaq shkruan artikuj të këndshëm në media të ndryshme. Në intervistën e plotë Albani flet për për letërsinë që krijohet sot dhe planet e tij për të ardhmen.
Intervista ekskluzive me Alban Tufa, për pozitivi.org:
Pozitivi: Alban ti je një shkrimtar i ri, jo dhe aq i njohur për publikun e gjerë, por që premton shumë. Ne duam të dimë më shumë rreth teje… kush është Albani?
Alban Tufa: Kam lindur në Kastriot të Dibrës, arsimin deri të mesëm e kam kryer aty. Mandej kam kryer një vit Arsim të Lartë në Menaxhim biznesi dhe e kam braktisur. Sot jam student, viti i tretë i Shkencave të Komunikimit. Kam qenë pjesë e disa konkurseve dhe workshopeve letrare për të rinjë ku disa prej tyre kanë rezultuar të suksesshëm, ndërsa që të gjithë të dobishëm.
Pozitivi: Kur e ke kuptuar pasionin për krijimtarinë letrare dhe fillove të shkruash?
Alban Tufa: Pasionin kam filluar ta ndjej së pari tek mësuesi im i gjuhës dhe leximit në fillore. E shikoja dhe shpesh më pëlqente si shpjegonte, ndjeja pathosin e tij për lëndën, koha me të zhdukej, dhe të them të drejtën s’di në më pëlqente shpjegimi apo lënda, por sot mendoj se ka qenë lënda, pra letërsia. Ndërsa kuptimi është një fazë shumë e mëvonshme, sepse kuptimi ndryshe nga ndjenja do vetëdijësim dhe pjekuri. Këtë besoj e kam patur pas gjimnazit. Këto kanë qenë tentativat e para për të shkruat katrena AB AB, dhe po me katër strofa. Ka qenë një rrugë e rrafshët për t’iu qasur poezisë, por gjithsesi rima dhe katrena ka hallkat e veta që shpesh dhe gjatë të mban viktimë të sajën. Sot i kam kapërcyer këto, dhe kam bërë mirë.
Ndërsa përsa i përket një të shkruari më profesional, më të epërm ose më të arrirë e kam në vitin 2014, pasi kisha lexuar dhe pasi pata kryer tashmë një ëorkshop prej gjashtë seancash me poetë të rinjë të udhëhequr nga poetja e rangut botëror Luljeta Lleshanaku. Ky workshop vertet e ka shkund atë qenien time paralele prej poeti dhe vetëdijen time letrare. Për mua vërtet ky ka qenë një fat. Mandej leximet dhe kategorizimet e poetëve dhe shkrimtarëve kanë kontributin e padiskutueshëm.
Pozitivi: Na trego më tepër për punën tënde krijuese, nga frymëzohesh?
Alban Tufa: Tash vjen një çast kur poezia të bëhet e jotja, rrekesh ta gjesh kudo: në një gotë bosh, në një rrugë pa fëmijë, një pemë pa gjethe, në një fytyrë plake madje edhe në asgjë. Poeti grek Odisea Elitis, thotë në një poezi, që poetët e mëdhenjë janë ata të cilët e ndërtojnë poezinë nga asgjëja. Unë akoma s’e bëj dot, nuk jam i madh…(qesh), dhe as s’e bëj dot ose e bëj keq. Gjithsesi krijimi në përgjithësi dhe poezia në veçanti kanë një aspekt të rëndësishëm metafizik, këtë ide e mbron Ernesto Sabbato, filozofi boshnjak Alija Izetbegoviç dhe shumë autorë të tjerë. Pra, aspektet metafizike vishtirë se pjegohen dhe kështu procesi i shkrimit në vete mbetet shumë kompleks. Megjithatë, poezia apo tregimi vërtitet nëpër kokë, duke i marrë shkëndijat herë në kujtesë, herë në ambient dhe herë tjera në lexim e sipër, pastaj është një fazë pjekjeje në kokë dhe sapo mbaron koha që i nevojitet, del. Por nuk mund të përjashtojmë rastet kur ia beh dhe shkruhet me një frymë. Të redaktuarit është një fazë e komplikuar ama e domosdoshme, por besoj është më e lehtë se ta shkruash nga fillimi.
Pozitivi: A e mban mend krijimin e parë dhe cilës gjini i përket? Po në përgjithësi në çfarë shkruan?
Alban Tufa: Po e mbaj mend. Ka qenë një poezi (vjershë), dhe e kam pas shkruar bashkë me motrën time, do kem qenë unë në klasë të katër ndërsa ajo në të gjashtën. Kam shkruar poezi, skica, reportazhe (këto me qëllim), portrete, dhe së fundmi po më pëlqen fort të shkruaj tregimin e shkurtër. Këtë të fundit dua ta përvetësoj.
Poezitë i shkruaj shpesh në letër, ndërsa tregimet i shkruaj në laptop, por jo rrallë herë edhe në celular. Kur ideja ia beh, e ka me ngut, duket se nuk pret të gjesh një letër dhe laps apo të hapësh një laptop vend e pa vend, ndërsa celulari këtë rast është vërtet shpëtimtari. Ndonjëherë ndodh të mpihen edhe duart, por jo për shkak vetëm të të shkruarit tregime e poezit, kemi edhe rrjetet sociale si detyrim serioz.
Pozitivi: Na e përshkruaj jetën tënde me disa rreshta, që nga fëmijëria…
Alban Tufa: Fëmijë me flokë dhe vetulla të bardha, saqë skifterët me ngatërronin me qingjat. I urtë, por i mçeft. Bëja detyrat por kurrë nuk mësoja më tej. Doja të ndihmoja me punët e fshatit mamanë.
Kur u rrita edhe ca, e bëja vërtetë. Nuk përtoja kurrë. E doja fshatin edhe e dua akoma, sepse të lidh me natyrën, me lëndën, shpirtin dhe materien edhe sepse jam rrit aty: është jeta ime. I doja dhe i dua kafshët. I doja dhe i dua librat.
Pozitivi: Si është të jesh nipi i shkrimtarit të mirënjohur Agron Tufa, privilegj apo përgjegjësi për të bërë më shumë? Çfarë marrëdhënie keni me njëri-tjetrin?
Alban Tufa: Është shumë mirë sepse ke një biblotekë që merr libra falas dhe nuk të jep kush afat kohor për t’i mbajtur. Është privilegj sepse ka qenë i pari autor që ia kam lexuar të gjitha veprat. Prej tij dhe veprave të tij kam nxënë shumë. Agroni ka qenë shtysa e parë që unë ta nis këtë zeje dhe të jem këtu ku jam sot. Me apo pa të drejtë mundohem të mos jem i diktuar prej tij, pra le ti bëj disa gjëra keq, për të fituar më tej, megjithatë fati është imi që e kam. Merremi vesh edhe si xhaxha e nip edhe si dy dibranë, sepse është përherë një dibran.
Pozitivi: Ke ndonjë shkrimtar idhull, që ndjek si shembull ose që të ka frymëzuar për të nisur këtë rrugë?
Alban Tufa: Kur lexoj rusët, grekët, boshnjakët, kryesisht euro-lindorët të them të drejtën aq sa ma mbushin zemrën me kënaqësi, aq ma mbushin edhe me zhgënjim, kur shoh gjërat e mia. Gjithsesi, nëse nuk je lexues i mirë, nuk bëhesh kurrë krijues i mirë. Unë mund të jap emra të disa poetëve që i dua: Boris Pastenak, Osip Mandelshtam, Ana Ahmatova, Boris Pasternak, Wislava Shimborska, Josip Osti, Izet Sarajliç, Jorgos Seferis, Janis Ricos, Odisea Elitis, ndërsa prozë: Gabriel Garcia Markez, Agota Kristof, Ernesto Sabbato, Italo Calvino etj, dhe më pëlqejnë fort tregimet e Ramiz Gjinit.
Pozitivi: Ke marrë pjesë vazhdimisht në kompeticione dhe konkurse letrare, ku je vlerësuar me çmime të ndryshme. Sa të rëndësishme janë për ty, të kanë frymëzuar të punosh më fort?
Alban Tufa: Dëgjoj jo rrallë disa që thonë unë shkruaj për veten time dhe jo për tjerët. Mua kjo përgjigje më duket komplet mediokre. Nëse shkruan për vete dhe i lexon po vetë, atëherë më mirë mos i shkruaj sepse i lexon më mirë në mendjen dhe tënde shpirtin tënd. Prandaj unë shkruaj për t’i lexuar të tjerët, për t’iu kumtuar një mesazh, gjendje apo ndjesi. Po të qe për veten nuk do shkruaja.
Përsa iu përket çmimeve po, ata të motivojnë edhe pse nuk të plotësojnë. Çmimet kanë edhe një aspekt promovimi i cili për të rinjtë është mendoj i domosdoshëm. Ndërsa nga ana tjetër është edhe aspekti i të ndjerit i vlerësuar dhe të marrit kënaqësi. Pra gjëja që ke katranosur merr vlerë kur lexohet ose kur vlerësohet.
Poeti grek Yanis Ifandis thotë në një poezi: “por unë një çmim e doja xhani vëllait/
e doja që të shkoja te mamaja e t’i kapardisesha”.
Pozitivi: Përveçse shkruan, ti edhe lexon shumë. Nga çfarë ke lexuar, kë konsideron si librin që të ka lënë mbresa dhe kujtime, që nuk do e harrosh kurrë?
Alban Tufa: Jeto për të treguar- Gabriel Garcia Marquez, është një guidë për shkrimarët e rinjë. Gjithë përjetimet e një të riu që braktis studimet dhe që rreket të bëhet shkrimtar, i cili merr çmimin Nobel për letërsi në viti 1982. Ama nëse e do një gjë është e kotë të gjesh arsye. Atë libër e dua.
Pozitivi: Çfarë mendon për letërsinë që krijohet sot?
Alban Tufa: Besoj se kam të drejtën të gjykoj vetem si lexues. Të rinjtë nuk lexojnë ama prapseprap vërehet një tendencë e tyre për të shkruar (ato që unë i quaj pseudopoezi). Shto këtu faktin se nuk kanë lidhje me meditimin, shkëputjen, qetësinë sepse gjithë kohës janë të zënë me rrjete sociale, me civilizimin e metropolin dhe këtu gjërat vështirësohen. Ka dy tendenca: e para është që të publikojnë madje me guximin (të tepërt do thoja) vëllime poetike apo tregime ose romane (të cilët lënë fort për të dëshiruar). Ndërsa tendenca e dytë: ka disa autorë fort të mirë me shije dhe stil tërheqës të cilët për një arsye apo tjetër kanë mbetë nën errësirë. Në gjykimin tim duhet njëfar pjekurie për të dalë në këtë treg (nëse edhe poezinë do e konsiderojmë treg).
Pozitivi: Ç’mund të na thuash për krijimtarinë tënde në proces apo në të ardhmen? Çfarë do presim nga Albani?
Alban Tufa: Poezi? Kam aty plot por i shoh me shumë skepticizëm, dyshoj shumë në to. Ndoshta do qe mirë të zgjidheshin e të botoheshin, por jam student akoma dhe nuk po ia tarifoj këtë kohë dhe mund poezisë për momentin. Po shkruaj tregime tek-tuk, janë disa që i konsideroj të mirë, por edhe ata janë larg dhe s’e di në do botohen ndonjëherë. Presim një cikël poetik të botohet në revistën Agora në Kosovë. Mandej presim Festivalin Letrar për të Rijn IV. Kam nis një sprovë për novelë prej tre vitesh ajo ka mbetë aty, i kthehem rrallë, por duan kohën, ndoshta gjërat po piqen.
Pozitivi: Ku e sheh veten pas disa vitesh?
Alban Tufa: Ka rrisk brenda kjo pyetje…(qesh). Më mjafton një punë normale që të jetoj, një bibloetekë me librat që dua dhe dëshirë për të shkruar. Edhe gazetarinë e pretendoj sepse po mbarojnë studimet.
Ndoshta me vitet rriten edhe pretendimet, ndryshojnë edhe prioritetet.
Pozitivi: Dje ishte dita ndërkombëtare e poezisë, a ke një mesazh për të dhënë? Qoftë dhe me ndonjë poezi tënden të preferuar.
Alban Tufa: Gjeta në google një foto dje, ku një letër murale në një fasadë shkruante: “More poetry is needed”: më shumë poezi është e nevojshme, prandaj unë po ju përshëndes me një ndër poezitë e mia.
Realizoi Beklie Koltraka
Krevati
Ëndërrat më të mëdha lindin
në krevat
si retë para shiut
dhe ato para gjumit.
Bashkë me gjumin dhe retë
ikin ëndërrat dhe shirat.
Lotët më të sinqerta janë në
krevat
plus dashuritë,
plus mëkatet,
edhe inatet.
Ëndërrat më të dështuar
fillojnë në krevat.
Krevati im është tek
në një dhomë tek
në një tek shtëpi.
Krevat përdhesë,
në shtëpi përdhesë,
dhe një të hollë nënkresë
ku qindra vjet rresht
rreshtova ëndërrat e mia.
Në krevatin tim shkruhen plot
poezi
siç në krevatin tim
nuk shkruhen plot poezi.
Në mesin e krevatit kam
vënë vertikal një ndërrasë,
një këmbë artificiale
ngaqë nuk mban më
ngarkesa dëshirash.
Krevati im,
me tek jorgan,
me tek çarçaf,
është qivuri i dëshirave të
mia,
shkurt vendi më i mirë ku
duhen shthurur ëndërra.
Maj 2017 (në krevat), nga: Alban Tufa
© 2018 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.
