Lumturia në TikTok, vajza autike dhe jeta e saj sociale në periferi
21/03/2022 Shpërndaje

Lumturia në TikTok, vajza autike dhe jeta e saj sociale në periferi

Në një kohë që në Shqipëri pothuajse mungojnë mundësitë për t’i integruar autikët në shoqëri, një dritare është çelur për to në rrjete sociale. Përmes TikTok shumë prej tyre nuk e ndiejnë izolimin në shtëpi, pasi janë integruar në botën virtuale.

Një prej tyre është adoleshentja Arbjenca Sh, e prekur nga çrregullime të spektrit autik, e cila është një përdoruese e rregullt e TikTok prej 2 vitesh. Ajo pëlqen shumë të kërcejë dhe këndojë. Më së shumti asaj i pëlqen të qeshë dhe të transmetojë te të tjerët energji pozitivie. Për ta bërë këtë ajo ka zgjedhur mënyrën më të lehtë, TikTokun.

TikTok e përdor shumë. Kam hedhur në tik tok video nga tërmeti. Aty hedh gjëra për të qeshur, momente të përditshme. Kam miq në rrjete sociale, komunikoj shumë me ta. Prej 2 vitesh i përdor shumë rrjetet sociale sepse ndihem mirë në TikTok”, thotë ajo në një intervistë për Pozitivi.org.

Arbjenca tregon për Pozitivi.org se aty ka shumë miq, ndoshta më shumë se sa do të kishte mundësi të njihte në jetën reale. Nxënësja e vitit të dytë në Shkollën e Mesme të Bashkuar Ismet Nanushi, e ka zhvendosur jetën sociale në këtë platformë online.

Jetesa në periferi, në fshatin Kullë të Sukthit nuk i ka ofruar shumë mundësi për jetë sociale, ndaj ajo ka zgjedhur t’i krijojë online. Një pjesë të mirë të ditës Arbejnca e kalon aty. “Jashtë shkollës ndihmoj mamin. Dëgjoj muzikë më pëlqen shumë. Edhe kërcej.Bëj shumë video për TikTok. Më së shumti janë video që të bëjnë për të qeshur”.

Si nis dita e Arbejncës dhe çfarë ndan në TikTok me miqtë

Ajo shkon në mëngjes në shkollë. Lënda e saj e preferuar është edukimi fizik dhe biologjia. Këto jo pa arsye. E para i pëlqen sepse Arbjenca preferon të luajë shumë basketboll. Më përpara shkolla nuk ofronte kushte kaq të mira për të zhvilluar lëndën e Edukimit Fizik. Tashmë që shkolla është rindërtuar, Arbjencës dhe të gjithë shokëve e shoqeve të saj të klasës u është dhënë një mundësi e tillë, të luajnë dhe të dëfrehen përpos mësimeve që janë të përditshme.

“Shkolla e re më duket shumë bukur. Ka kushte shumë të mira. Të gjithë ndihemi shumë mirë. Aktivizohem shumë në shkollë. Mua më pëlqen shumë basketbolli. Më pëlqen si lojë dhe luaj sa herë kemi edukim fizik”.

Biologjia është lënda e saj e preferuar për shkak se profesori i kësaj lënde është gjithashtu më i preferuari për të. Ai quhet Fatos Kuta, i cili jep mësim në këtë shkollë prej më shumë se 20 vitesh. Mësuesi i ka qëndruar pranë nxënëses, duke i dhënë vazhdimisht këshilla. Ndaj Arbjenca e dëgjon gjithmonë profesor Fatosin.

“Lëndët e mia të preferuara janë Letërsia dhe Biologjia. Mësuesi im i preferuar është mësuesi kujdestar, profesor Fatosi. Ai më këshillon gjithmonë. Në këtë shkollë jam që nga klasa e parë”.

Në klasë të gjithë e dinë se Arbjenca e përdor shumë Tik-Tok-un prej 2 vitesh. Më 15 mars të gjithë nxënësit u kthyen në shkollën e re Ismet Nanushi pasi ishte rindërtuar. Arbjenca siç rrëfen për pozitivin, gjatë 3 ditëve të para thotë se ka publikuar shumë video të shkollës së re. Gëzimin e saj për shkollën e re zgjodhi ta ndajë me të gjithë miqtë.

“Qndroja shumë duke hedhur video në tik tok ditët e para. Ndonjëherë filmoja edhe gjatë orëve të mësimit. Shkolla ka ndryshuar shumë”. “Më kujtohen vitet e fëmijërisë. Kam kaluar më bukur kur kam qenë fëmijë në këtë shkollë”, shtoi ajo.

Teksa po zhvillonim këtë intervistë adolenshenten e kthyen në kujtimet e tërmetit të 26 nëntorit 2019, për të na treguar përjetimet e saj.

“Unë kam shtëpi private. Kur ra tërmeti shtrëngova babain sepse nuk ndihesha aq mirë. Gjeta mbështetje te ai, u ndjeva më mirë. Shtëpia nuk u dëmtua. Xhaxhait tim ju dëmua shtëpia. Ai jetonte në pallat, I cili u dëmtua shumë dhe më pas u shemb. Kam hedhur në Tiktok video nga tërmeti, dëmet që u krijuan”.

Videot e saj kanë marrë mijëra shikime në TikTok. Por, përvec pozitivitetit që përcjell TikToku i 16 vjeçares, ajo përpiqet të jetë më e rezervuar në publikimin e videove ku ajo vetë është protagonste. E rëndësishme për të është që në TikTok gjen copëza lumturie.

Dëshira e saj është të shijojë ambientet e reja të shkollës. Në përfundim të gjimnazit vajza nga Durrësi tregon se ka dëshirë që të bëhet parukiere sepse i pëlqen e bukura dhe të kujdeset për të. “Do mbaroj shkollën dhe do filloj një kurs parukierie. Më pëlqen të kujdesem për fytyrën dhe thonjtë”, tha ajo. Pse jo, dëshiron që edhe punën e saj si estetiste në të ardhmen ta reklamojë në TikTok.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.