BE do ofrojë kontrata pune për emigrantët e vendeve jo anëtare
Punëdhënësit e BE-së po përballen me mungesa në 28 profesione. Sektorët ku problemi është më i theksuar janë turizmi, hoteleria, IT, shëndetësia dhe logjistika.
Nisur nga kjo Komisioni Evropian ka propozuar ndryshime në rregullat për lejet e punës dhe të qëndrimit për shtetasit e shteteve jo anëtare në BE, për ta bërë BE-në më tërheqëse dhe për të adresuar mungesat. Propozimet kryesore kanë të bëjnë me rishikimin e rregullave për qëndrimin afatgjatë.
Aktualisht qytetarët jashtë Bashkimit Evropian që kanë jetuar për disa vite në BE mund të aplikojnë për statusin e e qëndrimit afatgjatë si në vendin ku ata jetojnë ashtu edhe në vende të tjera të BE-së.
Ky status u jep atyre të drejta të barabarta me fuqinë punëtore kombëtare për çështje të tilla si punësimi dhe vetëpunësimi, arsimi, përfitimet sociale dhe taksat. Qëndrimi afatgjatë i BE-së hap gjithashtu mundësinë për të lëvizur në vende të tjera të BE-së në kushte të caktuara.
Statusi i rezidentit afatgjatë mund të fitohet nëse një person ka jetuar ”legalisht” në një vend të BE-së për pesë vjet, nuk ka qenë larg për më shumë se gjashtë muaj rresht dhe 10 muaj në të gjithë periudhën dhe ka burime të mjaftueshme ekonomike dhe shëndetësore.
Aplikantëve mund t’u kërkohet gjithashtu të plotësojnë ‘’kushtet e integrimit’’, të tilla si kalimi i një testi gjuhësor. Komisionerja evropiane për punët e brendshme, Ylva Johansson tha se nga 23 milionë shtetas jo të BE-së që jetojnë në BE, rreth 10 milionë janë banorë afatgjatë.
Prej tyre, vetëm tre milionë kanë një leje qëndrimi afatgjatë në BE, krahasuar me shtatë milionë që kanë një leje qëndrimi kombëtare. Kjo mund të shihet si mundësi dhe për studentët në një kohë të afërt. Koha e kaluar në BE si student mund të llogaritet gjithashtu, dhe Komisioni po shqyrton gjithashtu dhënien e statusit automatik për fëmijët e lindur ose të birësuar në vendin e BE-së ku prindërit kanë lejen e qëndrimit afatgjatë.
Komisioni do të negociojë gjithashtu “partneritete talentesh” me vendet anëtare të BE-së dhe vendet e treta, duke përfshirë skemat e lëvizshmërisë për punë dhe trajnim. Për më tepër, Komisioni planifikon të bjerë dakord për “skemat e lëvizshmërisë së të rinjve” reciproke që lejojnë të rinjtë nga vendet jo anëtare të BE-së të punojnë në BE për një periudhë të caktuar dhe të rinjtë evropianë të bëjnë të njëjtën gjë jashtë BE-së.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
