Historia e 4 vjeçares që erdhi në jetë nga një e mitur
11/02/2019 Shpërndaje

Historia e 4 vjeçares që erdhi në jetë nga një e mitur

Megi ka ardhur në jetë nga një fëmijë vetëm 14 vjeçe. i përket komunitetit rom dhe jeton në zonën e “Pjeshkores” në qytetin e Beratit. Është vetëm 4 vjeçe dhe e ndjek fati i shumë fëmijëve të tjerë, që i përkasin këtij komuniteti. Sapo e solli në jetë, nga një lidhje jashtëmartesore, adoleshentja e braktisi femijën, duke ja lënë nënës së saj. Për gjyshen kjo nuk ishte dicka e pazakontë. Thjesht historia ishte përsëritur. Edhe ajo kështu kishte vepruar vite më parë me një fëmijë të lindur në moshën e adoleshencës. Gjyshja me mbesën jetonin buzë lumit në një kasolle, mes varfërisë dhe shiut që hynte brenda nga të çarat e banesës së improvizuar. Vajza nuk ndiqte kopshtin e në këto kushte rrezikonte të mos shkonte as në shkollë. Pjesa dërrmuese e fëmijëve që nuk ndjekin as arsimin e detyruar, i përkasin komunitetit rom.

Përveç mënyrës së tyre të jetesës, kjo vjen edhe për faktin se ky komunitet diskriminohet nga shoqëria. Braktisja e shkollës është kthyer në normalitet për romët, që njihen si popull endacak e që jetojne me punë si mbledhja e kanaçeve apo shitja e rrobave të përdorura. Megi H. do të kishte të njëjtin fat, ashtu si edhe gjyshja dhe nëna e saj analfabete, nëse nuk do ta ndihmonte tezja vetëm 12 vjeçare, Doreta. Me dëshirën e saj për t`u arsimuar ajo kishte ndryshuar rrjedhën e zakonshme të jetesës së vajzave rome. Ajo ndjek mësimet në shkollën 9 vjeçare “Shyqyri Lakra” dhe shfrytëzoi një takim të komunitetit ku jeton, me përfaqësueset e ËMCA, për të folur me to mbesën e saj, Megit. Pas gjetjes së një çadre ku gjyshja, tezja dhe mbesa u strehuan, sfida e rradhës ishte integrimi i vogëlushes në kopsht. Femija nuk ishte mësuar në ambjente të tilla sociale dhe u desh pak kohë që ajo të ndihej e qetë në praninë e bashkëmoshatareve të vet. Edhe një lojë e thjeshtë e entuziazmonte. Që prej muajit Nëntor të vitit 2015 Megi ndjek rregullisht kopshtin. Për një fëmijë rom, kjo padyshim eshtë arritje. Megjithatë rreziku i vërtetë vjen më pas, kur vajza të ketë mbushur moshën shkollore. Aktualisht kalimi i ditës në kopsht është një ndihmesë për gjyshen e saj, e cila mund të punojë gjatë kësaj kohe.

Por vajza rrezikon të ketë fatin e shumë fëmijëve të komunitetit rom, që braktisin shkollën në hapat e para të mësimnxënies. Për shkak se është e vogël, familja nuk e shfrytëzon dot për punë, por më pas ajo mund të kthehet në një nga dhjetra fëmijët rom që shohim çdo ditë duke kontrolluar koshat e mbeturinave në qytetet tona. Sigurimi i materialeve shkollore, mund të jetë një tjetër arsye që rrezikon ta mbajë Megin larg bangave të shkollës. Përvec kësaj kostot e një fëmije në moshë shkollore sa vijnë dhe rriten e pa një mbulim të tyre nga fondet shtetërore, shpresat nuk mund të varen në dëshirën apo përpjekjen e familjeve të këtij komuniteti. Edhe pse për këto kategori ka subvencionim të librave, sërish fëmija ka nevoja të tjera, duke nisur nga elementaret me blerjen e çantës dhe materialeve të tjera ndihmëse. Ndaj në këto kushte Megi rrezikon të kthehet në një nga shumë emrat që renditen në regjistër në nisje të vitit të ri shkollor e më pas fshihen, për ta shtuar  këtë vogëlushe në një statistikë të braktisjes së fshehtë.

Arsimi

Tërheqja e fëmijëve në kopshte si hap i parë për arsimimin e tyre është ende një sfidë veçanërisht për komunitetin rom. ËMCA, një prej shoqatave që e ka kthyer në prioritet këtë integrim tregon se vetëm me 2 vjet përpjekje nga ana e tyre numri i fëmijëve romë në qarkun e Beratit është rritur.  Në Bashkinë e Beratit është ngritur për diskutim disa herë vendosja e një zëri të veçantë në buxhet për fëmijët romë. Gjithashtu kërkohet vendosja e transportit për të mundësuar integrimin e fëmijëve romë në kopshte dhe çerdhe si një kërkesë imediate ndaj pushtetit lokal. Pas shumë takimesh ka mbërritur premtimi për vendosjen e këtij transporti duke filluar në vitin e ri shkollor me fëmijët e komunitetit rom në fshatin Stan të Beratit. Por këta fëmijë duhet të jenë edhe të vaksinuar, dhe sërish është shoqëria civile që ka nisur diskutimet me DSHP ndërkohë që paralelisht punohet me sensibilizimine  nënave mbi rëndësinë që ka vaksinimi i fëmijëve. Por edhe nëse këta fëmijë nisin ndjekjen e vitit të ri shkollor mund të hasen në vështirësitë e shpjeguara më parë për 4-vjeçaren Megi. Pra rreziku i braktisjes sërish të kopshtit apo shkollës qendron në çdo moment. Për këtë arësye Drejtoria e DAR në Berat ka vendosur në planin e punës monitorimin dhe raportimin e frekuentimit të fëmijëve rom në kopshte dhe shkolla  cdo javë.

Një tryezë që mblodhi përfaqësuesit e të gjithë këtyre institucionjeve të sipërpërmendur doliu në fund me disa rekomandime që kërkojnë vëmendjen e duhur nga të gjiha strukturat:

Ristrukturim të kulturave, politikave dhe praktikave brenda institucioneve të kopshteve dhe bashkisë  për tu ofruar komunitetit  rom sherbime shtesë .

Vendosja e kuotave në kopsht, grup parashkollor dhe atë 9-vjeçar për fëmijët e komunitetit rom për të shmangur segregimin (Në Berat nuk ka asnje fëmijë rom në kopshte  ndonëse ka një politikë mbështetëse  për fëmijë rom të çerdheve të mbështetur një vit më parë nga organizata ËMCA, por që nuk ka gjetur mbështejte për këtë vit.

Mbulim nga shteti për koston financiare  për transport , mjeteve didaktike për fëmijët e komunitetit rom dhe jo rom në nevojë;

Shtimi i aktiviteteve sportive për të tërhequr sa më tepër fëmijët e komunitetit rom dhe jo rom në nevojë drejt shkollës

Romët

Romët në dekada e shekuj kanë bërë apel për më shumë të dretja dhe vëmendje nga shteti e shoqëria për integrimin e tyre në jetën sociale ekonomike të vendit, mundësinë për punësim, strehim e arsimim për t’i dhëne fund varfërisë që i karakterizon. Por zakonisht ata fitojnë vëmendje vetëm në 8 Prill që shënon dhe ditën Ndërkombëtare të Romëve. Në 8 Prill 1971 në Londër u organizua konferenca ndërkombëtare ku u vendos që data 8 Prill të jetë, “Dita ndërkombëtare e Romëve”. Aty u vendos edhe për flamurin dhe himnin Rom “Gelem Gelem” që së bashku me gjuhën rome i bëjnë romet një minoritet qartësisht të dallueshëm për nga vlerat e tyre të pasura etno-kulturore.

Në korrik të 2008, Shqipëria u anëtarësua në “Dekadën e Përfshirjes së Romëve”, e cila synon përmirësimin e gjendjes social-ekonomike për minoritetin rom në Shqipëri. Romët kanë mbërritur nga India në Ballkan, në Shqipëri rreth 6 shekuj më parë, për t’u përhapur më vonë në Evropë. Deri në vitin 2010, në Shqipëri besohej se romet varionin nga 80-150 mijë vetë, por me CENSUS-in e fundit, ata deklarohen të jenë më të paktë se kaq në numër.

Ndërkohë që pranohet se romët kanë qenë të pranishëm në Shqipëri për më shumë se gjashtë shekuj dhe tani janë të njohur zyrtarisht si një minoritet etnik – linguistik. Ndërsa janë të pranuar nga regjistrimet zyrtare si një grup specifik etnik dhe kulturor, numri i tyre i saktë nuk dihet. Sipas regjistrimit të fundit të kryer në vitin 2011, numri i Romëve që banojnë në vend është 8301 njerëz duke përfaqësuar 0,3 % të krejt popullsisë rezidente shqiptare.

Megjithatë, meqë asnjë regjistrim i popullsisë nuk e ka shënuar ndonjëherë me saktësi numrin e tyre, shifrat e ofruara janë të diskutueshme siç janë shifrat e raportuara nga burime të ndryshme zyrtare. Sipas burimeve të tjera, kryesisht shoqatat Rome apo OJQ-të që punojnë me to, por edhe organizatat ndërkombëtare apo agjencitë e pranishme në Shqipëri, shifrat e llogaritura shkojnë nga 16,000 deri në 120,000 njerëz që përfaqësojnë deri në rreth 3 % të popullsisë shqiptare të vlerësuar në mbi 3 milionë njerëz.

Mesazhi i 8 prillit që në fakt është moto e tyre gjithë vitin, kudo ku romet ndodhen është “Paqe dhe zhvillim për të gjithë romët në një botë pa diskriminim e racizëm”.

Ndërsa Fondacioni “Ndihmë për fëmijët”, ka vë theksin te një tjetër element “Asghjë për romët, pa romët”, duke insistuar që ata të jenë pjesë e të gjitha proceseve që ndikojnë në integrimin dhe jetesën e tyre të përditshme. Pra romët duhet të integrohen në mënyrë që nesër të vendosin vetë për fatin e tyre.

Në vitin 2014 Zëri i Amerikës raportonte një studim të “Save the Children” dhe Roma Active Albania në Fier, Pogradec dhe Korçe. Gjetjet e studimit që ishte   pjesë e projektit rajonal të Evropës Jug-Lindore “Liderët e Rinj Romë në Veprim”, financuar nga Departamenti i Shtetit i SH.B.A.-ve, flisnin për një realitet të trishtë.

Gjetja kryesore e raportit është se të rinjtë rom përjashtohen masivisht nga mundësitë për t’u aftësuar dhe mënjanohen nga jeta social kulturore. Ky përjashtim dhe diskriminim i gjerë rrëzon ndjeshëm cilësinë e jetës dhe shëndetit të tyre. Sipas intervistave, papunësia është shqetësimi kryesor i tyre, ndërsa dëshirën e madhe për punë e shprehin me vetëpunësimin në bujqësi, në riciklim dhe në tregti.

Raporti thekson se për vuajtjet e pakicave rome jo vetëm që nuk ka ndonjë kujdes të veçantë, por edhe mungojnë fare të dhënat për numrin dhe vendndodhjen e tyre. Në zonat me popullsi rome dhe egjiptiane, nuk ka një numër të saktë të familjeve të tyre, sepse deklarimi i etnisë bëhet mbi baza vullnetare. Kjo gjetje vë në dyshim edhe statistikat e fundit të Censusit pasi është shumë e vështirë të regjistrohen romët.

Studimi pranë bashkësive rome zbuloi se krahas papunësisë dhe moskujdesit social për ta, një tjetër vështirësi e madhe e tyre është mungesa e transportit publik për të shkuar në punë, në shkollë dhe veprimtari të tjera integruese.

Po ashtu, familjet dhe të rinjtë rom nuk marrin pjesë në institucionet vendimarrëse vendore apo qendrore. Këshillat bashkiake dhe komunale rrallë diskutojnë për romët dhe asnjëherë nuk mendojnë zgjidhje të plota për ta, por vetëm u zgjidhin atyre ndonjë problem individual.

Braktisja e shkollës nga fëmijët rom është një dukuri mbizotëruese në moshat 13 deri në 15 vjeç, kryesisht nga vajzat rome. Raporti thekson se braktisja e shkollave nga romët vjen nga varfëria dhe përjashtimi, si edhe nga vendndodhja e shkollave, infrastruktura e dobët e tyre dhe cilësia e ulët e mësimdhënies. Madje në disa raste janë zbuluar edhe klasa dhe shkolla të segreguara, pra klasa vetëm me rom dhe shkolla vetëm me rom, ku nuk shkojnë fëmijët e shumicave.

Romët përballen me sfida të integrimit social dhe ekonomik, ndërsa të drejtat e tyre njerëzore e kombëtare shkelen përditë. Fëmijët braktisin shkollat, prindërit janë pa banesa e pa punë dhe nuk përfitojnë nga kujdesi shëndetësor dhe social. Varfëria në mesin e romëve është e përhapur gjerësisht, po aq sa edhe mënjanimi social ekonomik. Në intervistat e raportit të rinjtë rom thonë sesa të pashpresë ndihen për të ardhmen e tyre dhe për të pasur një jetesë të denjë për veten dhe shoqërinë.

Studimi u përgatit nga projekti Liderët e Rinj Rom në Veprim, i cili synon të ndriçojë vështirësitë e jetës së pakicave rome egjiptiane në Shqipëri, si dhe të përgatisë një grup të ri përfaqësues të tyre me shkollim dhe aftësi bashkëkohore, të cilët të përcjellin kërkesat e pakicave në institucionet vendimmarrëse. Projekti synon që një brez i ri drejtuesish rom mund të kërkojë më me forcë të drejtat e tyre si qytetarë të barabartë, mund t’i mbrojë ata më mirë nga diskriminimi, duke përmirësuar përfshirjen sociale.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.