Fshati nën pushtetin e borës
28/02/2018 Shpërndaje

Fshati nën pushtetin e borës

Sot në ditën e fundit e muajit shkurt vendi është zbardhur nga bora dhe qielli ende vazhdon të zbresë flokë bore pa pushim. Edhe në Tiranë, flokët e borës nuk kanë ndalur që nga dita e djeshme deri më sot. Gëzimi shihet te çdo qytetar, më së paku duke publikuar foto dhe video në rrjete sociale. Nëpër fshatra të zonave të ndryshme në stinën e dimrit banorët janë mësuar me rrugë të bllokuara nga bora, me furtunë e mot të ftohtë çdo vit.

Për ta stina e dimrit sjell shumë ditë të tilla. Në fshatin Kukaj të Dibrës fëmijët duket se po e shijojnë më së shumti dëborën e rënë këto ditë. Të fortë si çeliku, të patrembur nga i ftohti dhe mjegulla që ka fshehur çdo gjë kanë dalë të rrëshkasin mbi akull.

Kreativiteti nuk mungon mbi borë. Pamja e qetë e natyrës ka fshehur çdo gjë. S’ka lënë të duket asnjë gjurmë nga puna e mundimshme e banorëve në arat e tyre, as shenjat e shputave të këmbëve në rrugët e përbaltura nga shiu s’shihen. Çdo gjë në këtë fshat duket e bardhë, e qetë e pushtuar nga bora.

 

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.