Anketimi, 90% e të rinjve besojnë se anëtarësim në BE do ju përmirësojë jetën
13/05/2020 Shpërndaje

Anketimi, 90% e të rinjve besojnë se anëtarësim në BE do ju përmirësojë jetën

Shqipëria është në momentin më të rëndësishëm të saj në procesin e integrimit, pas miratimit në mënyrë unanime të draftit nga 27 vendeve anëtare të bllokut për çeljen e negociatave për antarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Në përpjekje të vazhdueshme, me reforma më drastike, ecuria e integrimit nuk ka qenë e lehtë për vendin, nisur edhe nga qëndrimet e disa shteteve skeptike si Franca dhe Hollanda që kërkuan hapa më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe politikave për të frenuar kërkesat e azilkërkuesve.

Por cili është përceptimi i qytetarëve shqiptarë për integrimin në BE?

Shqiptarët janë shumë të interesuar për integrimin e vendit në BE. Kjo vihet re edhe nga përgjigjet e anketimit “Eksplorim drejt BE-së” për t`u përgatitur më mirë për rrugëtimin tonë, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian.

Të dhënat e anketimit tregojnë se afërsisht 90% e të rinjve të anketuar mendojnë që anëtarësimi në BE do të ndikojë pozitivisht në jetën e përditshme. Megjithatë, pavarësisht se janë shprehur optimist, ata nuk kanë njohuri konkrete se cilat fusha të jetës ky ndikim do të prekë.  Në këtë drejtim do të punohet më gjerësisht për të informuar në lidhje me sektorët që do të jenë më të ndjeshëm drejt ndryshimeve gjatë procesit të antarësimit.

Përsa i takon historikut të antarësimit, në 2018 Komisioni Europian rekomandoi çeljen e negociatave për Shqipërinë, ndërsa Këshilli Europian vlerësoi arritjet dhe kërkoi rezultatet konkrete në reforma kyçe si ajo e Drejtësisë (ngritja e institucioneve të reja), thellimin e luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe refoma kushtetuese.

Komisioni Europian rekomandoi sërisht KiE çeljen e negociatave për anëtarësim e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Maj të 2019-së, ndërsa në muajin Qershor Këshilli shtyu vendimin për në Tetor të 2019-së.

Në këtë muaj, në mbledhjen e rradhës KiE vendosi që çështja e zgjerimit të kthehet sërisht para samitit BE-Ballkani Perendimor parashikuar të mbahet në Zagreb në muajin Maj të 2020-ës(situatë që do të marrë në konsideratë pandeminë globale të Covid-19. Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj thotë se Shqipërisë mund t’i parashtrohen kushtet të reja në këtë proces por ato do të mbeten brenda kornizës se pesë prioriteve kyçe.

Z. Ministër, a ka kushte të reja në procesin e intergrimit? Këto kushte mund të jenë penguese në procesin e integrimit të vendit?

Gent Cakaj/Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Sipas vlerësimit të Komisionit Europian, Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian. Kjo nënkupton se progresi i Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe (reforma në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma e administratës publike dhe të drejtat themelore) dhe fushat e përcaktuara nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme në Qershor 2018 (thellimi i rezultateve në procesin e Vettingut, ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë dhe përmirësimi i historikut në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit) ka qenë i konsiderueshëm. Duke vlerësuar të dhënat e paraqitura nga Komisioni Europian, edhe vendet anëtare vendosen çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë.

Kjo konfirmon se Shqipëria ka bërë progres të mjaftueshëm për të filluar procesin e bisedimeve për anëtarësim – një proces që në vetëvete do të kërkoj edhe plotësimin e shumë kushteve të reja derisa Shqipëria të arrijë në shkallën për të merituar anëtarësimin me Bashkimin Europian. Sidoqoftë, ky proces do të jetë brenda kornizës së pesë prioriteteve kyçe për Shqipërinë dhe metodologjisë së re të negocimit për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Reforma zgjedhore dhe funksioni i institucioneve të reja të drejtësisë duket sikur janë dy çështjet kyçe dhe kushtet bazë të këtij procesi, si po ecën puna në këtë drejtim pavarësisht situates së krijuar nga pandemia globale Covid-19?

Gent Cakaj/Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Reforma në drejtësi ka qenë element qendror në gjithë përpjekjen e Shqipërisë për të filluar procesin e bisedimeve për anëtarësim. Rezultatet në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë kanë marrë vlerësim maksimal jo vetëm nga Komisioni por edhe vendet anëtare. Për më shumë, modeli i reformës në drejtësi i Shqipërisë sot, konsiderohet shembull për t’u eksportuar në gjithë rajonin. Rrjedhimisht, reforma në drejtësi është një prej pikave të forta të Shqipërisë jo vetëm në zhvillimin e një gjyqësori efiçent, transparent e të besueshëm por edhe në rrugën europiane të Shqipërisë.

Reforma zgjedhore, ndërkaq, ka qenë një prej elementeve prioritare në qasjen e Bundestagut Gjerman. Si pasojë, ajo tashmë është përmendur dhe si element i domosdoshëm për të filluar Konferencën e Parë Ndër-Qeveritare. Fillimi i dialogut ndër-partiak për të adresuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ ODHIR është një moment shumë i rëndësishëm politik jo vetëm për të rritur cilësinë e zgjedhjeve në Shqipëri por edhe për të ecur tutje në procesin e integrimit europian.

Pavarësisht situatës, Ju jeni në mënyrë të vazhdueshme në kontakt me homologët dhe vendet antare të BE, a është zbutur skeptizimi i tyre në lidhje me reformat e ndërmarra, luftën ndaj krimit dhe korrupsionit dhe uljen e numrin e azilkërkuesve?

Gent Cakaj/Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Natyrisht! Kjo vërehet veçanërisht në vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Një vendim i tillë do të ishte krejtësisht i pamundur në rast se progresi i Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit dhe uljen e numrit të azilkërkuesve të mos ishte domethënës! Sidoqoftë, nuk duhet harruar fakti se shtyerja e vendimit për çeljen e negociatave nuk është varur thelbësisht nga rezervat e vendeve anëtare për punën e Shqipërisë në këto fusha. Rezerva e tyre më tepër ka qenë e lidhur me qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e vetë procesit të zgjerimit. Miratimi i metodologjisë së re të negocimit ishte shumë i rëndësishëm jo vetëm për të përmirësuar procesin nga pikëpamja teknike, por edhe për të siguruar politikisht vendet anëtare se përparimi në rrugën europiane do të bëhet vetëm mbi progres të qëndrueshëm e përmbajtësor dhe do të vlerësohet në mënyrë strikte.

Një ndër çështjet që gjithashtu ka rëndësi dhe është vendosur vazhdimisht theksi është përafrimi i legjislacionit me vendet e BE. Në këtë drejtim ku do të përqëndohet puna juaj, ku ka vend për të bërë përmirësime të kornizës ligjore?

Gent Cakaj/Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme

Në të vërtetë, vetë procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian është procesi i përafrimit të legjislacionit vendor me atë Europian dhe plotësimit të kushteve të paraqitura nga vendet anëtare. Ne kemi vazhduar punën në këtë drejtim sipas detyrimeve nga marrëveshja e stabilizim-asocimit, në përputhje me planin kombëtar të integrimit evropian dhe me gjitha kërkesat e procesit të negociatave për anëtarësim. Në fund, vlen të theksohet se Shqipëria vetëm ka filluar procesin e screening – që në thelbin e tij është proces i përafrimit të legjislacionit – si faza fillestare e bisedimeve për anëtarësim.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.