100 VJETORI I KOMUNITETIT MYSLIMAN TË SHQIPËRISË
Shqipëria është kthyer tashmë në një model botëror të harmonisë fetare mes besimeve të ndryshme që ndjekin besimtarët. Është shembulli perfekt i bashkëjetesës në harmoni dhe mirëkuptim mes tyre, pavarësisht emrit që kanë. Dhe këtë virtyt shqiptarët e kanë mbartur ndër shekuj deri në ditët e sotme.
Një prej tyre feja islame, kujton sot 100 vjetorin e krijimit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Puna për krijimin e tij nisi në 24 shkurt të 2023 në Kongresin e parë të delegatëve myslimanë dhe u finalizua në 12 mars të po atij viti me atë që ne njohim sot si Komuniteti Mysliman. Por si ka qenë ky shekull për Komunitetin?
“Dekada e parë ka qenë krijimi i identitetit të Komunitetit Mysliman. Dekada e dytë konsolidimi institucional. Dekada e tretë dhe e katërt lufta me ateizmin, e cila ka qenë edhe sfida e shekullit për fenë në tërësi. Dekada e pestë deri në fillimin e të shtatës ka qenë një sprovë e rëndë për KMSH dhe besimtarët. Fillimi i dekadës së shtatë e deri në ditët e sotme kemi përjetuar plot sfida” – thekson kreu i Komunitetit Bujar Spahiu.
Ndikimi i fesë islame është ndjerë që në vitet e hershme të pavarësisë së Shqipërisë e ka vijuar në pikat kulmore të saj duke ecur në të njëjtën trajektore, atë të interesit kombëtar.
“Shteti dhe Komuniteti në vitet 20-30 kanë qënë gjithmonë në harmoni me qëllimin për të zhvilluar dhe emancipuar shoqërinë shqiptare të këtyre viteve” – shprehet historiani Hasan Bello.
Komuniteti Mysliman i kushtoi një rëndësi të veçantë zhvillimit të kulturës, harmonisë dhe zhvillimit shoqëror përmes botimeve periodike, i pari syresh është revista Zani i Naltë që u pasua me revistën Islame e të tjera botime të periudhave të ndryshme kohore.
“Është një revistë e hapur dhe e gjerë, sepse ka përfshirë përbrenda jo vetëm artikuj fetarë, por edhe artikuj që kanë të bëjnë më fushën sociale, shoqërore, madje dhe për çështjet familjare” – komenton Dorian Demetja, drejtor i kulturës pranë KMSH-së.
Edhe arsimi ka qenë në qendër të vëmendjes të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me hapjen e medreseve e universitetit në vitet e pas demokracisë. Pikërisht ruajtja e besimit të çdo feje dhe ushtrimi i tyre pas viteve 90 treguan edhe njëherë se sa thellë zë vend tek besimtari feja pavarësisht përpjekjeve të regjimeve për ta zhdukur atë.
© 2023, Pozitivi. All rights reserved.
