Mbahet konferencë mbi ndryshimet demografike dhe pabarazitë gjinore në Shqipëri: Popullsia shqiptare është zvogëluar në numër
05/11/2019 Shpërndaje

Mbahet konferencë mbi ndryshimet demografike dhe pabarazitë gjinore në Shqipëri: Popullsia shqiptare është zvogëluar në numër

Popullsia shqiptare është zvogëluar në numër që nga rënia e regjimit socialist në 1990, nga 3.2 milion në 1989 në 2.8 milion në 2011 dhe në 2.6 milion në 2018; nga një normë e lartë vjetore e rritjes prej 2.06% në vit në vitet 1980, në një rritje negative në vitet 2000, prej -0.91%.

Vendi po kalon një regjim të ri demografik të jetëgjatësisë afatgjatë, me një jetëgjatësi në lindje të femrave prej 80.6 vjet dhe për meshkujt 77.4 vjet në vitin 2018, dhe fertilitet të ulët me normë totale të fertilitetit 1.4 fëmijë për grua në vitin 2018.

Ditën e sotme këto gjetje janë prezantuar në një konferencë të mbajtur mbi “Ndryshimet demografike dhe pabarazitë gjinore në Shqipëri”, nga Kajro 1994 e deri sot, e organizuar nga nga UNFPA në partneritet me Nënkomisionin Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe INSTAT, me mbështetjen e OKB Shqipëri dhe qeverisë së Zvicrës.

Konferenca është hapur nga Eglantina Gjermeni, Kryetare e Nënkomisionit Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Gruas, e cila thekson se aktualisht tema si të drejtat e grave, barazia gjinore, paqja, siguria, zhvillimi i qëndrueshëm po marrin një vëmendje të veçantë.

“Jemi në një moment të rëndësishëm diskutimi të të drejtave të grave, barazinë gjinore, paqen, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm të cilat këto kohët e fundit po marrin vëmendje të veçantë. Këtë vit është 25 vjetori i Konferencës së Kajros i mbajtur në shtator 1994. Plani i veprimit i kësaj konference u aprovua nga 179 shtete anëtare të kombeve të bashkuara. Kryesore kanë qenë të drejtat e njeriut, padyshim të drejtat e grave në plan të parë. Zhvillimi i qëndrueshëm, popullsia, rritja ekonomike e qëndrueshme, janë vërtet të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën si pjesë e këtij plan veprimi. Çështjet e mjedisit dhe të popullsisë u diskutuan për herë të parë në këtë konferencë, ndaj këtë konferencë të Kajros dhe planin e saj të veprimit unë në fakt do ta kosideroj si një revolucion për të drejtat e grave, sidomos në fushën e shëndetit riprodhues. Po kështu në këtë kuadër të diskutohet barazia gjinore dhe të drejtat e grave.

Vitin që vjen do të jetë 25 vjetori i platformës së kërkimit, si dhe 20 vjetori i rezolutës 13 25 se kombeve të bashkuara për paqe dhe siguri, ndaj të gjitha shtetet anëtare të kombeve të bashkuara si dhe Shqipëria, po reflektojnë dhe po raportojnë për plotësimin e angazhimeve të tyre, si dhe  po rishikojnë anazhimet dhe sfidat që kanë përballë për ti plotësuar këto angazhime, sa i përket çështjeve të barazisë gjinore, të popullsisë, të zhvillimit. Takimi i sotëm është pjesë e një sërë konsultimesh  që zyra e UNFPA kudo në botë  padyshim dhe këtu në Shqipëri organizon për të gjithë aktorët, për të gjithë grupet e interestit parlamentar, institucione, duke diskutuar çështje aktuale, jetike, çështje që na prekin të gjithëve, çështje që kërkon padyshim angazhim dhe vëmendje nga të gjithë ne”, thotë Gjermeni.

Brian Williams, Kordinator i Përhershëm i OKB në Shqipëri i pranishëm në këtë konferencë ka folur për dinamikat e popullsisë duke vënë theksin tek puna që po bën UNFPA.

“Dua ta filloj duke thënë UN dhe UNFPA, jemi duke folur për ndryshimet kulturore, jemi duke folur për një lëvizje që është e nevojshme për të ndryshuar perceptimin e shoqërisë në shoqërinë tonë duke u dhënë fuqi grave. Ata nuk janë të suportuara nga qeveritë në të gjithë botën me riskun për të promovuar pak veten, ne duhet të jemi falenderues për UNFPA, e cila pa kushte po mbështet kauza të tilla.  Unë nuk jam një demograf, ndoshta në një botë tjetër edhe mund të isha. Por disa javë më parë isha me fat që mora pjesë në një konferencë rajonale mbi dinamikat e popullsinë të organizuar nga UNPFA dhe aty ishin disa komente që unë i mora nga ajo konferencë. Së pari ndryshimet demografike që ne shohim nuk ndodhin vetëm në Shqipëri. Në ditën e sotme emigrimi shpeshherë mund të quhet si krizë. Unë nuk jam në favor për të përdorur gjuhën e krizës për të ndryshuar rrethanat.

Kriza për mua është diçka që ti e rregullon, dhe shkon përsëri në mënyrën si ishte më parë. Së pari të jetosh më gjatë përfundimisht nuk është një krizë. Kështuqë ne duhet të festojmë faktin që shumë njerëz janë duke jetuar më gjatë. Së dyti, këto ndryshime janë këtu për të qëndruar, janë një realitet që është përballë nesh dhe ajo që po mendojmë të bëjmë është si ne reagojmë në hartimin e politikave për këtë realitet të ri, në vend që të urojmë që ky të jetë një problem që të zhduket”, ka thënë ndër të tjera Williams.

Sidoqoftë, përcaktuesit kryesorë demografikë të dinamikës së popullsisë në Shqipëri mbeten deri tani shkalla e lartë dhe e papritur më parë e migrimit. Ulja e popullsisë nga 3.2 milion në 1989 në vlerën e parashikuar prej 2.6 milion në 2018 i detyrohet emigrimit me më shumë se një të tretën e popullsisë së 1989 që ka lënë vendin deri në vitin 2011.

Kjo ka prekur kryesisht atë popullsi aktive të moshave 15-59 vjeç, duke krijuar kështu për herë të parë në Evropën Juglindore një mungesë të ofertës të punës, duke mos lejuar që Shqipëria të shfrytëzojë dividentin demografik.

Migrimi ka shkaktuar jo vetëm rritjen negative të popullsisë së Shqipërisë, por gjithashtu ka qenë forca shtytëse që vendi të përjetojë një plakje të popullsisë, më shpejt sesa pritej, të grupmoshës mbi 60+, duke u rritur në 14% në 2011 dhe e pritshme mbi vlerën 25% në vitin 2040.

Zhvillimet demografike në Shqipëri kanë pasur gjithmonë një paragjykim gjinor. Shqipëria vazhdon të ketë një raport të paekuilibruar në lindje, referuar 110 lindjeve meshkuj përkundrejht 100 lindjeve femra, duke sugjeruar një aplikim të gjerë të abortit selektiv.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.