RINIA SHQIPTARE DHE TRANZICIONI I GJATË I VENDIT TONË
20/01/2023 Shpërndaje

RINIA SHQIPTARE DHE TRANZICIONI I GJATË I VENDIT TONË

Tranzicioni shqiptar ka përfshirë një periudhë të gjatë kohore dhe disa breza të rinjsh. Kapërcyelli i viteve `90 që shënoi shumëçka për vendin tonë, nuk kaloi pa lënë gjurmë jo vetëm tek të rinjtë e atij brezi, por edhe më pas në mënyrën se si përjetuan rininë brezat pasardhës. Rrëzimi i regjimit komunist krijoi një hendek të thellë mendësor, kulturor dhe ndërpersonal me ata që rininë e tyre e kishin cekur para viteve `90 dhe të tjerëve që po jetonin moshën e lirisë në kushte të vërteta lirie të pamatë.

Por cilat janë ndryshimet mes këtyre brezave, sa e njohin ata realitetin tjetër, atë për të cilin kanë dëgjuar por nuk e kanë jetuar? Për të kuptuar më mirë këtë diferencë në çdo drejtim të jetës së një të reje të dikurshem dhe të një të reje le të themi të kohëve të sotme, ne vendosëm të intervistonim dy prej tyre.

Daniela Dersha me profesion ekonomiste ka përjetuar vitet e adoleshencës së saj pikërisht në kufirin e viteve `90. 14 vjeçar në atë kohë, ajo risjell kujtimet e atyre viteve, kur mungesat ishin kryefjala në çdo drejtim.  

“Nga kjo periudhë mbaj mend që informacioni ka qenë i kufizuar sepse ishim ende të mbyllur nga pjesa tjetër e botës. Ndryshe nga brezat para nesh, ne kishim dëshirë për t`u informuar, por kushtet ishin të limituara. Në biblikotekat e lagjeve kishte libra por vetëm klasikët. Kjo nuk na mjaftonte. Ne donim te dinim më shumë gjëra përtej vendit tonë të vogël. Kështu filluan dorëshkrimet që i kalonim nga njëri te tjetri, ishte një lloj trendi që dukej interesant.”

Një tjetër realitet rinor ka përjetuar Kristina Qerana. Ajo është 28 vjeç dhe ashtu si i thonë fjalës tironce denbabaden. Ndryshe nga Daniela në familjen e saj përditshëmria ishte një tjetër. Ishin vitet e ikjeve masive nga vendi për emigrim të kryefamiljarëve. Kristina kishte shumë gjëra që Daniela as nuk i ëndërronte, por jetonte në një mungesë të madhe atë të të atit.

“Unë jam lindur në një familje tradicionale tironce me një baba shofer dhe një mama shtëpiake. Mbaj mend që babain tim e takoja shumë rrallë, një herë në muaj, pasi ai punonte jashtë vendit dhe me këtë punë na ka siguruar një jetesë të mirë. Edhe atëherë ekzistonin shtresat ekonomike, ne ishim te shtresa e mesme e shoqërisë. Vij nga lagjia e “Xhamllikut” një lagje jo shumë e pasur dhe kisha shumë nxënës në klasë që ishin nga shtresa e ulët. Gjëja më qesharake që më kujtohet është se atëherë ikja në mëngjës në shkollë me 50 lekë ose ndonjëherë kur kisha aktivitet prindërit më jepnin 100 lekë dhe blija disa gjëra. Ndërsa sot nuk i blejmë dot më gjërat që blinim në atë kohë me aq para.”

Por si i shohin psikologët përjetimet e brezave që kanë jetuar në periudha të ndryshme kohore? Ja si e analizon këtë psikologia Graciela Mane. 

“Brezat para viteve 90 janë përballur me limite në zgjedhjet e rtyre, pritshëmritë kanë qenë më të vogla sepse sistemi ka qenë i tillë. Zgjedhjet kanë qenë të limituara, mundësia për informacion gjithashtu. Ka dhe një anë pozitive sepse duke pasur pak zgjedhje kanë ditur se ku të fokusohen dhe kanë përmbushur më mirë qëllimin pavarësisht kufizimeve dhe mundësive të pakta që kishte ajo kohë. Ndërsa tek brezat e sotëm mundësitë janë më të mëdha. Është një fenomen psikologjik që quhet pasojat e zgjedhjeve dhe këtu kemi parasysh zgjedhjet e shumta që kanë brezat e sotëm dhe për sa kohë kane zgjedhje të shumta ndonjëherë edhe e humbasin fokusin. Kanë pritshmëri shumë të larta për veten por duke u përballur me zgjedhje të shumta me mundësi të shumta ndonjëherë e kanë të ëvshtirtë të zgjedhin.  Apo edhe kur bëjnë një zgjedhje nuk ndihen komod, por kanë luksin që të zhvendosen të bëjnë një zgjedhje tjetër. Ndërkohë që bëjnë këtë nuk ndihen komod me veten. Mund të perceptojnë largimin nga dëshira e parë si një dështim të vetes dhe përshtaten me vështirësi me të dyten.”

Por këto ndryshime të mëdha kanë lënë edhe pasoja psikologjike tek individë të ndryshëm.  

“Kemi hasur individë që kanë pasur nevojë për trajtim afatgjatë për këto pasoja nga lëvizja në mjedise të ndryshme, shpërnguljet nga qytete te tjera në Tiranë apo të atyre që kane ikur jashtë vendit e më pas janë rikthyer. Këto janë situata që sjellin ngër tek individët. Kanë nevojë më pas të trajohen se jo të gjithë përshtaten si duhet në situatat e reja- thekson psikologia Mane.”

“Ky projekt/aktivitet organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.”

#tirana #youth #EuropeanYouthCapital2022 #EYC2022 #ActivateYouth #EuropeanYearOfYouth #NationalYouthCongress #CityOfTirana

© 2023, Pozitivi. All rights reserved.