Njihuni me artistin e braktisur nga Tropoja që ëndërron famën
28/05/2018 Shpërndaje

Njihuni me artistin e braktisur nga Tropoja që ëndërron famën

Në një ditë me diell, Gani Selisufi, 80 vjeç, me origjinë nga Tropoja qëndronte ulur në një park në Tiranë pranë Monumentit të Shoqërisë bashkë me një grup të moshuarish. Të qeshurat e tyre tërhiqnin vëmendje sepse përshfaqnin një energji që rrallë e shohim tek mosha e tretë.

Gjatë një bisede për pozitivi.org Ganiu na tregon për pasionet e tij më të mëdha, pikturën dhe letërsinë, si edhe për jetën e vështirë që ka kaluar. Ka nisur të pikturojë që në klasë të katërt, dhe vazhdon ta ushtrojë edhe në ditët e pleqërisë. Gjatë gjithë jetës ka bërë edhe shtatë profesione të tjera por ajo ç’ka i mbeti në fund ishte piktura. Pikturën ai pëlqen ta quajë ‘një poezi pa zë, një koncentrat e së bukurës botë’. Përveç emocioneve që përcjell nga punimet me laps dhe bojë, gjithmonë ka dashur të botojë një libër me poezi, një tjetër ëndërr e mbetur në sirtar.

Nga biseda me të kuptuam pasionin që ka për letërsinë dhe pikturën, dhe se po të kishte pasur fat do ishte një artist i madh në ditët e sotme. Pozitivi.org e pyet se çfarë e pengoi ti kthente pasionet në profesion dhe si e imagjinon veten të famshëm ai shprehet kështu: “Mua më ka penguar fakti se jeta që kam bërë ka qenë larg asaj jete që kam lexuar nëpër libra dhe kam menduar. Unë di të them se në kohën e kaluar, që e kam jetu vetë atë kohë aty ku i ishte zi i thoshin bardhë, aty ku ishte bardhë i thoshin zi. Kur kam shkuar ushtar buka ishte me racion. Na thonin me barkun plot s’e vret dot armikun. Kurse vëllai im ka ikur në Amerikë që fëmijë dhe ka jetu atje. Atje thoshin se me barkun bosh se vret dot armikun. Domethënë ai është realiteti por ne na thonin të kundërton”.

Pikturat nuk i shet por një ekspozitë ka dashur gjithmonë ta hapë. Edhe pse jeton fillikat i vetëm, sepse edhe e shoqja e ka braktisur, veten e ushqen me ëndrra. Së fundmi ka shfaqur dhe dëshirën që t’u flasë fëmijëve në zonën ku jeton, në Kamëz për pikturën. Pavarësisht ditëve të vështira që po kalon, e shpenzon kohën me njerëzit e duhur dhe mes pikturave.

Intervista ekskluzive për pozitivi.org me Gani Selisufi:

Gani Selisufi, 80 vjeç nga Tropoja. Prej 10 vitesh jetoj në Tiranë.

Pozitivi: Sa vite ke që merresh me pikturë?

Kam filluar të pikturoj me laps plumbi që në klasë të katërt. E dua pikturën se ‘piktura është një poezi pa zë, një koncentrat e së bukurës botë’. Këtë e ka thënë një njeri shumë i mençur. Njerëzit lindin  rriten mësojnë dhe vdesin shpejt,  esenca e tyre madhore ngelet në librari. Ndaj duhet të kultivojmë së pari, më së shumti librat.

Pozitivi: Keni pikturuar që në moshë të vogël, kur e kuptuat që keni talent?

Krejt natyrshëm e kam kuptuar. Çdo  gjë që kam parë qoftë të mirë dhe jo të mirë e kam përfytyruar sesi mund ta realizoj  që t’ja jap edhe tjetrit përmes pikturës. Baza ime gjithmonë ka qenë lapsi i plumbit, kurse tani pikturoj me bojëra uji.

Pozitivi: Çfarë lloj pikturash bëni më së shumti?

Peisazhin kam në shpirt. Bëj edhe portrete. Por që të pikturosh një fotografi do njëfarë kohe dhe durim. Një të tillë e kam pikturuar rreth 10 ditë. Sepse ka njerëz që nuk i kanë sytë njësoj, ndërsa të tjerët mendojnë se i kanë njësoj, por piktura i nxjerr ndryshimet. Janë gjëra intime.

Pozitivi: Ju thatë që keni nisur të pikturoni që në klasë të katërt, vetëm me këtë punë jeni marrë apo keni bërë edhe të tjera?

Pikturën e kam bërë më së shumti për pasion. Unë kam pasur edhe 7 profesione të tjera. Kam bërë si profesion muratorin, kapantier, minator, kuzhinier, pastiçer, kam punu edhe me pompa që thithin ujin etj. Të gjitha këto zanate i kam ushtruar në Shqipëri. Kam bredhur ngado, brenda Shqipërisë. Nga të gjitha këto zanate më shumë më ka pëlqyer muratura, ajo e shtëpisë me gurë sidomos. Ajo është si punë arti, për shumë breza. Kam qenë merakli për profesionet.

Pozitivi: A i keni ruajtur pikturat në shtëpi apo diku tjetër?

Po kam peisazhe në natyrë, aty e kam shpirtin. Pesiazhet i kam pikturuar vazhdimisht. I ruaj po s’i  vlerëson kush.

Pozitivi: Keni provuar t’i shisni apo të kërkoni ndihmë për të bërë një ekspozitë?

Jo për ti shitur nuk i shes, ndërsa për ekspozitë kam pasur qejf gjithmonë por mundësitë më kanë munguar.

Pozitivi: A keni dëshirë të bëni një ekspozitë në të ardhmen, nëse dikush jua ofron si mundësi?

Patjetër që kam dëshirë. Disa i kam, por mund të bëj edhe të tjera shpejt e shpejt, dhe ekspozitën nuk do e refuzoja asnjëherë.

Pozitivi: Cila është piktura jote e preferuar nga ato që ke realizuar?

Një skaf me dallgë deti, krijohet një shkumë e bardhë nga skafi në det dhe mbrapa kur perëndon diellë, që shfaqet ngjyra e verdhë.

Pozitivi: A keni ndonjë pikturë të veçantë, ku keni shprehur gjendjen emocionale kur iu ka ndodhur një ndodhi  e keqe apo  e mirë?

Jo nuk mund ta shpreh, në ato momente. E kam të vështirë.

Pozitivi: Më ke jetoni në Tiranë?

Unë jetoj vetëm fare. Fëmijët i kam jashtë vendit, djem e vajza, kurse plaka më ka braktis para një viti. Ajo banon në Babrru kurse unë në Kamëz. Më ka braktis dhe fajtore është ajo e ka pranuar dhe vetë. Është shumë e vështirë të jetoj vetëm, por çfarë të bëj.

Pozitivi: Krahas pikturës a keni pasione të tjera?

Mua më pëlqen shumë edhe poezia. Kam pas qejf me botu një libër me poezi, sepse edhe poezia më vjen ndoresh. Poezinë e parë që kam bërë një jetën ka qenë kur një vajzë don me bashku jetën me një djalë. Kam ba dhe shumë poezi të tjera, një prej të cilave ishte për Bajram Currin i cili luftoi fort për me na bashku me Kosovë. Më vjen ndoresh shumë për poezi, i bëj shpejt e shpejt.

Një aktor i madh Kosovar ka thënë për jetë: Në bahçen e jetës 3 gota gjeta, kapa të parën si diell si tëlyni, kapa të dytën e ëmbël si shërbeti, i bana të dyja bashkë dhe i hodha te e treta dhe doli siç është vetë jeta.

Pozitivi: Nga biseda po kuptoj se ju lexoni shumë, i apasionur pas letërsisë, pikturës, pra keni një shpirt artisti. Çfarë mendoni se ju  ka penguar të punoni në këtë fushë? 

Mua më ka penguar fakti se jeta që kam bërë ka qenë larg asaj jete që kam lexuar nëpër libra dhe kam menduar. Unë di të them se në kohën e kaluar, që e kam jetu vetë atë kohë aty ku i ishte zi i thoshin bardhë, aty ku ishte bardhë i thoshin zi. Kur kam shkuar ushtar buka ishte me racion. Na thonin me barkun plot s’e vret dot armikun. Kurse vëllai im ka ikur në Amerikë që fëmijë dhe ka jetu atje. Atje thoshin se me barkun bosh se vret dot armikun. Domethënë ai është realiteti por ne na thonin të kundërton. Gjithmonë këtu na kanë thënë të kundërtën.

Pozitivi: A e keni imagjinuar ndonjëherë të ardhmen  tuaj, si i famshëm? E keni ëndërruar këtë moment?

Normal që po por mundësitë s’kanë qenë. Unë tani kam qejf me punu me të rinjtë. Biles e kam menduar kështu, por njerëzit edhe qeshin kur e them. Në lagje me mbledh fëmijët edhe ata që kanë filluar klasën e parë dhe ata që nuk e kanë filluar ende, me ju  fol per artin. Me jua themelu që fëmijë artin. Unë e vlerësoj shumë artin  figurativ, prandaj thuhet për te që është poezi pa zë.

Unë kam qenë shumë aktivist në jetë me shumë aktivitete, por krahas kësaj kam qenë edhe pesimist ndaj jetës. Kur shikoj realitetin them po pse të jetë kështu dhe jo kështu. Gjithmonë me pse. Pse të mos jetë ashtu siç duhet të jetë?

Poezia e parë që ka shkruajtur:

Në at breg deti unë po rri,

po shof detin pa kufi

në çdo ëndërr e dashur më del ti.

Dil nga ajo derë me çelës shtrenguar,

dil nga ajo penxhere me hekura të kryqëzuar

se në kalanë e dashurisë unë po ju pres;

Një besë e dhanun është dëshmi me ty me vdek

Ne të dy  dorë për dorë,

si një varg malesh me borë;

Ka një portë jeta,

ka një portë për të hy

aljen e ka te një dhe i zi;

Tek ata dy varre lulja e verës do vijë,

Aroma e asaj luleje besnikëri.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.