Një Mark Zuckemberg i ri në Paskuqan
23/09/2017 Shpërndaje

Një Mark Zuckemberg i ri në Paskuqan

Gjeniu shqiptar i kompjuterit, që po mahnit botën!

Hysen Ndregjoni, 16 vjeçari nga Paskuqani është një talent i rrallë në fushën e teknologjisë dhe informacionit. Që në moshën 3 vjeçare ka nisur të përdorë kompjuterin, ndërsa më vonë arriti të marrë pjesë në konkurse ndërkombëtare. Ka ndërtuar disa aplikacione dhe programe të cilat Hyseni i tregon me modesti për pozitivi.org.

Në 2003 është vlerësuar Kampion Botëror në arsim, në kategorinë R & D (Kërkim – Zhvillimit) për projektin “Ëeb Blocker”, eksperiencë që 16 vjeçari e tregon më poshtë për Pozitivi: “Për një periudhë, unë studiova në kolegjin turk, dhe aty arrita të konkuroj në një konkurs që organizohej në  Turqi, ku merrnin pjesë shkolla nga shumë shtete, mjaftueshëm per t’u quajtur ndërkombëtar.

Konkurova me një aplikacion të tipit “parental kontroll” dhe arrita të zë vendin e parë në këtë kategori”. Konkretisht Hyseni ka mundur të realizojë një Ëeb Blocker, i angazhuar me sipërmarrje minimale, lojë në platformen Flash, apo një makinë llogaritëse të cilën e quan “vepër të një 11 vjeçari kurioz”. Hyseni gjatë një interviste për Pozitivi këto i quan aktivitete që i kanë mbajtur kuriozitetin gjallë.

Pasionin që ka e quan të zakonshëm, “realisht s’ka individ, me apo pa pasion qe s’ka imagjinuar një “app” që atij i duket ideal”, por faktet nuk tregojnë të njëjtën si fjalët e tij. Kurioziteti s’e lë në një vend, përpiqet vazhdimisht për diçka të re, për atë idealen. “Në përgjithësi angazhime që më mbajnë kuriozitetin gjallë, por që shuhen shumë shpejt për shkak se mundohem ta zhvendos shpejt vëmendjen.

Në intervistën e plotë Hyseni tregon konkurset dhe çmimet e tjera që ka marrë, përditshmërinë, fëmijërinë e kaluar para kompjuterit dhe rrjedhën e së ardhmes.

Intervista me Hysen Ndregjoni ekskluzive për pozitivi.org:

P: Një prezantin të shkurtër për veten. Kush është Hysen Ndregjoni?
H.N: Jam 16 vjeç dhe vazhdoj vitin e dytë të shkollës së mesme “Ismail Qemali”… Kam lindur në Dibër, megjithatë që herët kemi ardhur në Tiranë, ku dhe banoj.

P: Ma përshkruaj pak si kanë qenë vitet e fëmijërisë tënde? 

H.N: Çdokush e shijon fëmijerine në mënyrën e tij, për shkak të pëlqimeve dhe pasioneve që mund të ketë. Shumicën e fëmijërisë time e kam kaluar para kompjuterit (për këtë jam shumë i sigurt që nuk jam i vetëm). Megjithaë, nuk e përjashtoj faktin që me ka pëlqyer gjithnjë të jem një individ i shoqërueshëm dhe jo totalisht i mbyllur në vetvete.

P: Me çfarë merresh zakonisht gjatë ditës?
H.N: Angazhime me shkollën, detyra e mësime. Perveç kesaj, kohën e lirë (shumicën e ditës e konsideroj kohë të lirë) e shpenzoj në kompjuter ose në disa raste duke lexuar.

P: Cilat ka qenë ëndrrat e Hysenit vite më parë dhe tani? 
H.N:Ëndrrat e mia gjithnjë kane qene jo te ngurta dhe tepër të papërcaktuara. Asnjëherë s’më ka tërhequr diçka mjaftueshëm sa për të bindur veten se do ta përkushtoj të gjithë jetën për atë gjë të vetme, të paktën akoma… Më e përafërta do të ishte një jetë pa strese të kota e monotone, tipike të shoqërisë së sotme. Ndoshta një ëndërr disi më pragmatike do të ishte të krijoja një aplikacion të përdorur dhe të sukseshëm, por kjo ngelet për t’u parë.

P: Kam lexuar se je shumë i apasionuar pas teknologjisë. Nga të lindi ky pasion i madh për teknologjinë dhe informacionin?
H.N: Ky është një pasion që e ndaj me mjaft bashkëmoshatarë (dhe shumë të tjerë më të rinj në moshë). Arsyeja kryesore është se gjithnjë më ka tërhequr teknologjia, dhe meqë është aktiviteti me të cilin merrem më së shumti, më është shtuar kureshtja dhe interesi. Përveç kësaj, një arsye pse unë mendoj që kompjuterat dhe teknologjia janë tepër tërheqëse për personat kuriozë, është fakti që janë tepër të lehta per t’u qasur në to dhe lejojnë një pafundësi mundësish ku individi mund të krijojë shumë duke humbur kohë pak.

P: Në çfarë kokursesh ke marrë pjesë brenda dhe jashtë vendit? Me çfarë je vlerësuar ose çfarë mudësih të janë ofruar? 
H.N: Me interesanti ndër to mund të them që është një konkurs i organizuar ne Turqi, i quajtur E-Biko. Aty mora nje çmim monetar. Rastet e tjera janë më pak emocionuese dhe ofrojnë lavdërime, që mendoj se janë të mjaftueshme.

P: Kush ka qenë personi që ka zbuluar talentin tënd? Sa kanë ndikuar prindërit?
H.N: Zbulimi i “talentit” ka qenë rezultat i një sërë ndodhive mjaft fatlume (mund t’i kishin ndodhur edhe shumë të tjerevë) për mua. Megjithatë nuk duhet të fsheh faktin që kam pasur një ndihmesë mjaft të madhe nga disa persona, duke nisur nga babai im.

P: Çfarë profesionesh kanë prindërit?

H.N: Babi ka kohë që punon në arsim, tani si inspektor arsimi në DAR Tiranë Qark. Ka mbaruar për Matematikë-Fizike dhe ka dhënë mësim për disa vite. Meqë kompjuterat janë bërë një element thelbësor i punës në zyrë, ai ka qenë një nga shtysat e para që më ka bërë kurioz për këtë fushë. Në anën tjetër mami punon si edukatore, dhe përgjithësisht nuk angazhohet me kompjutera, megjithatë më mbështet me sa ka mundësi.

P: Gjatë verës ke patur bursë nga Universiteti “John Hopkins”. I vazhdove studimet gjatë verës apo nuk e pranove bursën?
H.N: Për të qene më transparente, kjo ishte një bursë e ofruar nga fondacioni AADF dhe ishte një shkollë verore (“summer school”) 3 javore në SH.B.A. Unë e pranova dhe ajo periudhe, ku studiuam bazat e kriptografise, më ka lënë një impresion tepër të madh.

P: Në çfarë zone të Tiranës jeton dhe sa kohë kalon në kompjuter gjatë ditës?
H.N: Unë jetoj në një zonë periferike të Tiranës, në Paskuqan. Duke qenë disi larg nga “kafenetë” vende tipike të moshës sime, e izoloj veten dhe përpiqem te jem tepër i rezervuar. Rrjedhimisht kaloj pjesën më të madhe të ditës në shtëpi, dhe nga kjo kohë, pjesa më e madhe është në kompjuter. Nëse do të jepja një numër do të thoja nga 6-7 orë mesatarisht.

P: Na thuaj disa gjëra konkrete të tuat që ke arritur të realizosh deri tani?
H.N: Gjëja me konkrete e mundshme mund të them që është Web Blocker. Ky rast është një nga të vetmit ku jam përpjekur të përfundoj një program të shfrytëzueshëm. Përveç kësaj jam angazhuar me sipërmarrje minimale, si një lojë para disa vitesh në platformën Flash, apo një makinë llogaritëse (vepër e një 11 vjecari kurjoz , është e qartë që s’është dhe s’ka pse të jetë impresive , por për mua ishte mjaftueshëm). Në përgjithësi angazhime që më mbajnë kuriozitetin gjallë, por që shuhen shumë shpejt për shkak se mundohem ta zhvendos shpejt vëmendjen.

P: Çfarë planesh ke bërë për të ardhmen?
H.N: Asnjë plan konkret. Perpiqem t’i lë disa aspekte të jetës të rrjedhin në mënyrën e tyre. Shpresoj të përfundoj universitetin për një degë që më pëlqen (shkenca kompjuterike …) dhe rrejdhimisht të kem mundësi të shfrytëzoj dijet e marra për diçka që më duket e drejtë, në rastin më të mirë, ose të gjej një punë tipike, në rastin më të keq.

     

 

 

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.