Jetimët pas 18 vjeç
Hekuran Hysën mund ta ndeshësh rrugëve të Tiranës, si një endacak prej më shumë se dy dekadash. Ka fatin e jetimit. Në moshën kur jeta e tij duhet të merrte një drejtim, ai thjesht mori “zanatin” e rrugës. Çdo jetim sapo mbush moshën 15 vjeçare, duhet të largohet nga shtëpia e fëmijës dhe të shkojë në ato që quhen konviktet e shkollave të mesme. Në Shqipëri ka 13 të tillë, nga të cilët 5 në Tiranë. E tillë ka qenë edhe historia e Hekuranit. Pas largimit nga shtëpia e fëmijës, ai humbi çdo kontroll e përkujdesje në moshën më delikate. Edhe pse në konvikt duhet të ndiqte gjimnazin, per Hekuranin jeta rrodhi mes punëve në të zezë e më pas në rrugë. Ai përfitonte në konvikt ushqimin falas dhe një shtrat për të fjetur. Për shkak të kushteve të këqija mes të cilave jetohet në këto konvikte, që vetë jetimët i etiketojnë si “geto”, Hekurani nisi të bëjë punë të rëndomta dhe u largua nga konvikti. Fillimisht arrinte të siguronte të ardhura për një shtëpi me qira, por me pas humbi punën dhe nuk përballonte dot më jetesën. Doli në rrugë duke lypur e duke bërë endacakun ashtu si edhe sot. Çdo muaj ndihma ekonomike që mund të marrë një jetim është 3 mije lekë të rinj, por ashtu si Hekurani edhe shumë të tjerë nuk arrijnë të plotësojnë as dokumentacionin e duhur në zyrat rajonale pranë pushtetit vendor.
Kujtim Nikshiqi është një tjetër jetim endacak rrugëve të Tiranës. Edhe ai nuk mori asnjë shkollim apo profesion gjatë moshës 15-18 vjeç, ashtu siç ligji dikton për këtë kategori. Pasi mbushin moshën 18 vjeç, jetimët duhet të jenë të pavarur për të gjetur një punë e për të ngritur një familje. Por një pjesë e tyre vazhdojnë të jetojnë deri në fund të jetës në konviktet e shkollave të mesme në katër qytete të vendit, Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Elbasan. Por dalja e jetimëve në moshë të hershme nga shtëpitë ku kanë jetuar më parë, veç traumave dhe frikës shoqërohet me një sërë pasojash reale negative. Kushtet e papërshtatshme të konvikteve, mungesa e kushteve minimale higjeno-sanitare etj i detyron shpesh vajzat të kërkojnë të martohen, vetëm për tu larguar prej atje. Sipas të dhënave të drejtorit te Instituti Kombëtar të Integrimit të Jetimeve shqiptarë, Ilir Çumani, nuk janë të pakta rastet kur vajzat jetime rikthehen në konvikte edhe me fëmijë të jashtëligjshëm me vete, ose kur ato nuk arrijnë dot të celebrohen me burrat me të cilët jetojnë. Duke lënë qendrat rezidenciale ku kane jetuar deri 15 vjeç, jetimët kane nevojë për shërbime sociale ekstra ndërkohë që ndodh e kundërta, iu minimizohet kujdesi. Ndërkohe që ata as nuk arrijnë të kenë prioritet në listat e punësimit apo strehimit. Nëse Hekurani do të përfitonte nga statusi i jetimit, ai sot nuk do të endej rrugëve i pashpresë, por minimalisht do te kishte nje punë dhe një strehë ku të jetonte. Banesat sociale me qira mund të ishin një zgjidhje për të apo për qindra jetimë, te cilët përjetojnë ndjesinë e braktisjes dy herë, një herë nga nëna biologjike dhe së dyti nga shteti.
Mbrojtja ligjore
E drejta e jetimëve për një mbështetje sociale dhe kryesisht për strehim është një e drejtë jetike që garantohet jo thjesht me ligj por edhe me kushtetutë. Ligji themeltar shqiptar përcakton:
…plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim (neni 59.1 b),
Sigurimin e përkujdesjes dhe ndihmës “për të moshuarit, jetimët dhe invalidët” (neni 59.1 e)
Nëse do të zbatoheshin kushtetuta dhe ligji, ata që njihen si jetimë duhej të ishin sot persona që gëzojnë një sërë të drejtash dhe mbrojte të veçantë. Gjithashtu ligji ka gjetur zgjidhje dhe për dy problemet e tyre kryesore që punësimin dhe strehimin. Nëse do të zbatohej neni 17 ligjit “Për statusin e jetimit”, nuk do të përballeshim në këto 2 dekada e gjysëm me qindra jetimë në panik të cilët duhet të përballojnë vetë jetesën që në moshën 15 vjeçare kur dalin nga institucionet dhe strehohen në konvikte apo 18 vjeçare kur këta të rinj duhet të plotësojnë një sërë dokumentesh e procedurash për të përfituar ndihmë ekonomike. Konkretisht neni 17 shprehet se “Strehimi i personave që përfitojnë nga ky status bëhet me përparësi dhe me kredi afatgjata nga shteti”. Neni 2 lejon që personat e njohur si jetimë të vazhdojnë ta gëzojnë këtë status (dhe si rrjedhim, edhe të drejtat që vijnë nga ky status, përfshirë të drejtën për t’u trajtuar me përparësi për strehim) edhe pas moshës 25 vjeç “nëse nuk janë trajtuar nga shteti me strehim dhe janë në kushte të vështira jetese”.
Pikërisht ky nen do të mund të ndihmonte edhe sot si Hekuranin ashtu edhe Kujtimin pasi konkretisht shprehet se:
Neni 2
Personat që plotësojnë kriteret e përcaktuara në nenin 1, përfitojnë nga ky status edhe pasi kanë kaluar moshën 25 vjeç, nëse nuk janë trajtuar nga shteti me strehim dhe janë në kushte të veshtira jetese.
E këto histori nuk do të kishin përfunduar aspak në këtë gjendje që tashmë duket e pashpresë nëse do të ishte zbatuar neni 4 i ligjit për jetimët:
Neni 4
Institucionet që trajtojnë jetimë, duke përfshirë dhe ato arsimore, janë të detyruara që me mbarimin e vitit të parafundit të shkollës të dërgojnë statistika të sakta pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, si dhe pranë zyrave të ndihmës dhe përkujdesit shoqëror në bashki e komuna, me qëllim që të merren masa për sistemimin e tyre me punë dhe strehim sipas rregullave të caktuara nga Këshilli i Ministrave.
Ndërkohë që vetëm duke lexuar ligjin kupton se sa pak shanse ka të zbatohet ai. Neni 10 shprehet se:
Neni 10
Udhëtimi me mjetet e transportit shtetëror a privat qytetas, si dhe ndërqytetës i jetimëve, që s’janë në marrëdhënie pune bëhet falas.
Ndërsa do të ishte jetik zbatimi i dy neneve të mëposhtme të ligjit të miratuar që në vitin 1996 e qw mbeten kërkesa bazike edhe nw vitin 2016:
Neni 12
Punësimi i jetimëve bëhet me përparësi nga zyrat e punës e përkujdesjes sociale.
Neni 13
Jetimët e punësuar trajtohen me përparësi nga punëdhënësi, duke krijuar mundësi për mbajtjen në punë gjatë procesit të shkurtimit të veprimtarisë.
E nëse Kujtimi dhe Hekurani i kanë mbajtur shpresat vetëm te nenet e ligjit të mësipërm, jetimët me të rinj në moshë mund të shpresojnë pak më shumë.
Një program për nxitjen e punësimit të të rinjve që kanë fituar statusin e jetimit i miratuar në 27.1.2016 është pak më optimist. Ky program ofron lehtësira për punëdhënësit që punësojnë një jetim nën 30 vjeç, financime mujore, trajnime dhe pagesa suplementare. Por një shembull konkret suksesi që të ketë përfituar nga ky program mungon ende, ndoshta sepse është ende herët?
Por për të zbërthyer ligjin apo Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 64, datë 27.1.2016 “Për programin e nxitjes së punësimit të të rinjve që kanë fituar statusin e jetimit”, në situatë konkrete:
Aktualisht jemi në kushtet kur një fëmijë jetim, sapo mbush 15 vjeç praktikisht duhet ti dalë zot vetes. Nuk ka më një kujdestar që kujdeset për të. Ai /ajo dërgohet në konviktin e shkollës së mesme dhe janë ligjërisht “nën juridiksionin e drejtorisë së konvikteve dhe bashkitë përkatëse”. Një term ky i përgjithshëm aq sa dhe përgjegjësia për këta jetimë. Atyre iu sigurohet ushqim falas, 3 mijë lekë në muaj për nevojat ditore dhe 15 mijë lekë në vit për veshjet. Llogaritë mund ti bëjë kushdo. Ky fëmijë 15 vjeçar duhet të vazhdojë shkollën e mesme duke menduar gjatë këtyre viteve “çfarë do ti ndodhë kur të mbushë 18 vjeç?”. Shifrat sipas Instituti Kombëtar të Integrimit të Jetimeve shqiptar tregojnë se pjesa më e madhe e braktisin shkollën e mesme pa e mbaruar atë. Disa kërkojnë punë, disa dalin në rrugë duke lypur ose duke rënë pre e krimeve tw ndryshme, ndërsa vajzat shohin si zgjidhje të dëshpëruar martesat përpara moshës 18 vjeçare. Ky ngut sjell dhe vendime të ngutshme e si rrjedhojë sot konviktet e shkollave të mesme janë tejmbushur me jetimë të mitur ose të rritur që janë kthyer sërish pasi kanë mbetur pa punë, ose nëna që kanë bërë fëmijë (shumica dërrmuese jashtë martese) dhe tashmë duhet të kujdesen për ta. Por nëse jetimët në konvikte janë me mijëra, vetëm 112 prej tyre janë pjesë e sistemit pra që përfitojnë dhe asistencën që ofron shteti. Të tjerët, janë jashtë kujdesit familjar. Në Shqipëri janë sot 31 mijë fëmijë jetimë. 90 për qind e tyre janë jashtë kujdesit familjar, pra të braktisur tërësisht ndërsa 10 për qind prej tyre i ka familjet biologjike. Aktualisht në Shqipëri ka 13 konvikte prej të cilave 5 në Tiranë, të tjerat në Shkodër, Durrës dhe Elbasan
Kërkesat
Normalisht këta jetime që hyjnë e dalin nëpër konvikte nuk duhet të jetojnë fare në konvikte. Ata duhet të marrin trajtim me banesa sociale nga Bashkitë që duhet ti venë në krye të listave të të pastrehëve kur shpërndajnë këto banesa. Gjithashtu Instituti Kombëtar të Integrimit të Jetimeve Shqiptar kërkon prej vitesh që të riformulohej statusi i jetimit qe ka 20 vite qe është miratuar nga kuvendi dhe sipas tyre ka favorizuar një grup njerëzish. Jetimët që kanë arritur të integrohen dhe të organizohen në shoqata apo organizata kërkojnë që institucionet të sigurojnë strehimin, punësim në sektorin shtetëror dhe privat, mbështetje psiko- sociale. Zyrat rajonale pranë bashkive duhet të jenë “kujdestarët” në vazhdim të këtyre fëmijëve pas moshës 15 apo 18 vjeçare. Këta “kujdestarë” mund e duhet ti orientojnë jetimët si të vazhdojnë të përfitojnë nga shërbimet sociale që ligjërisht i kanë të garantuara. Një prej zgjidhjeve të ofruara nga shoqatat është ngritja e qendrave rinore për të vendosur këta jetimë. Këto qendra mund të ofrojnë atë mbështetje që kanë gjetur jetimët më parë në institucionet e shërbimit të fëmijëve. Kjo për ë evituar që pas moshës 15 apo 18 vjeçare fëmijët të lidhen në rrugë të madhe.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
