Ikën zjarret me gushtin por dëmi mbetet, është Shqipëria në rrezik ekologjik?
26/09/2025 Shpërndaje

Ikën zjarret me gushtin por dëmi mbetet, është Shqipëria në rrezik ekologjik?

Gjatë verës së vitit 2025, Shqipëria përjetoi një situatë alarmante nga zjarret, duke shënuar një rekord përvëlues në rajon. Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS) të BE-së konfirmoi se gjatë këtij sezoni u dogjën rreth 55,154 hektarë sipërfaqe, me 100 vatra të regjistruara deri më tani. Ky numër e vendos vendin në krye të vendeve të rajonit për sipërfaqen e djegur gjatë këtij viti.

Sipërfaqja e pyjeve dhe kullotave

Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2024, fondi pyjor dhe kullosor shtrihet në një sipërfaqe prej 1,731,891 hektarësh, duke përfaqësuar 60.2% të sipërfaqes së përgjithshme të vendit. Ekspertët mjedisorë theksojnë se kombinimi i temperaturave gjithnjë e më të larta, thatësirës së zgjatur dhe mungesës së reshjeve ka krijuar kushte të favorshme për shpërthimin e zjarreve. Valbona Mazreku, eksperte e mjedisit, shpjegoi më parë për Euroneës Albania se kushtet meteorologjike këtë verë kanë favorizuar përhapjen e flakëve dhe kanë kontribuar në rritjen me rreth 22% të sipërfaqes së djegur krahasuar me vitin 2024 .

Dëmet për qytetarët

Ndikimi i njeriut përforcon faktorët natyrorë: ndezjet e pakujdesshme, djegia e mbetjeve dhe prerjet e paligjshme shpesh e kthejnë një incident të vogël në një katastrofë ekologjike. Raportime lokale tregojnë se disa familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe fermerë kanë humbur të korrat dhe bagëtinë, duke shtuar peshën sociale të këtyre zjarreve. Një rast konkret ndodhi në në gusht 2025 kur një zjarr masiv në Delvinë detyroi evakuimin e rreth 2,000 banorëve dhe shkaktoi lëndime. Reuters citoi zv.kryetaren e bashkisë, Brunilda Meleqi: “Tre persona pësuan djegie dhe asfiksi.”

Reagimi institucional

Qeveria ka premtuar e ndërmarrë disa iniciativa për të përballuar dëmet mjedisore. Sipas komunikimeve zyrtare, projekte të ndryshme kanë sjellë shtim të mbjelljeve me 220 hektarë, ndërsa projekte të bashkëfinancuara kanë kontribuar në një rritje totale prej mbi 3,800 hektarë sipërfaqesh mbështetëse Vendimi i Këshillit të Ministrave, datë 22 janar 2025, autorizon Bashkinë e Elbasanit të rehabilitojë me pyllëzim kompensues një sipërfaqe prej 4.44 hektarësh. Megjithatë, deri më tani nuk ka një deklaratë zyrtare që garanton një objektiv kombëtar konkret për hektarët që duhet mbjellë deri në vitin e ardhshëm.

Masat e nevojshme

Ekspertët sugjerojnë se për të përballuar zjarret është e domosdoshme një qasje e kombinuar, që përfshin forcimin e infrastrukturës së zjarrfikësve dhe trajnime profesionale, rritjen e masave ligjore dhe ndëshkuese ndaj prerjeve të paligjshme, si dhe fushata të vazhdueshme ndërgjegjësimi. Edhe qytetarët mund të luajnë një rol të rëndësishëm duke raportuar prerjet dhe zjarret, shmangur djegien e mbetjeve gjatë verës dhe mbështetur fushatat lokale të mbjelljes së drunjve.

Impakti klimatik

Zjarret lëshojnë sasi të mëdha CO₂: çdo hektar pyje i djegur liron rreth 100 ton CO₂. Duke marrë parasysh sipërfaqen e djegur këtë verë, emetimet e karbonit arrijnë rreth 5,5 milion ton CO₂, duke kontribuar në ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike rajonale  sipas globalforestëatch.org.

Krahasimi rajonal

Krahasuar me vendet fqinje, situata shqiptare është pjesë e një sfide më të gjerë mesdhetare. Greqia raportoi mbi 100,000 hektarë të djegur këtë verë, ndërsa Mali i Zi përjetoi sezonin më të keq të dekadës me qindra vatra zjarresh. Humbja e 55,154 hektarëve pyjore vendos Shqipërinë në nivel të lartë rreziku rajonal dhe tregon se ndryshimet klimatike dhe ndikimi i njeriut po bashkohen për të rritur vulnerabilitetin ekologjik.

Situata e verës 2025 tregon se Shqipëria ka nevojë urgjente për masa mbrojtëse të qëndrueshme dhe planifikim afatgjatë për mbrojtjen e pyjeve dhe kullotave. Përgjegjësia e qytetarëve, investimet institucionale dhe bashkëpunimi rajonal janë thelbësore për të zvogëluar dëmet ekologjike, për të mbrojtur komunitetet dhe për të ruajtur “mushkëritë” natyrore të vendit dhe rajonit.

© 2025, Pozitivi. All rights reserved.