EMIGRIMI I PALIGJSHËM NË ANGLI: UA THONË TË GJITHA, POR JO ATË QË DUHET TË DINË, RREZIKUN QË I PRET.
Nëse për të gjithë botën Amerika është toka e ëndrrave, për shqiptarët e sidomos për banorët që jetojnë në veri të vendit, kjo tokë e ka emrin Angli. E dini sa e tentuan emigracionin e paligjshëm drejt këtij shteti përmes udhëtimit me anije të vogla? Plot 12.301 shqiptarë, vetëm në vitin 2022. Kjo shifër është 28% e numrit total të emigrantëve të paligjshëm nga e gjithë bota, që provuan të hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar në kërkim të një jete më të mirë. Rritja e nurmit të tyre është e jashtëzakonshme, kur mendon se në 2020 kjo histori emigrantësh ilegalë nisi vetëm me 50 shqiptarë. 300 të tjerë iu shtuan në 2021, duke e çuar shifrën në 800. Dhe vetëm një vit më pas, ekspansion i frikshëm i fenomenit çoi drejt Anglisë mijëra shqiptarë. 85% e shqiptarëve që mbërritën me anije të vogla në 2022 paraqitën kërkesë për azil. Vetëm 0.7% (68 persona) e kërkesave u morën në shqyrtim dhe asnjë nuk u pranua për status refugjati ose një tjetër formë lejeje për qëndrim. Pjesa më e madhe e këtyre aplikantëve, rreth 58%, ishin të moshës 18-29 vjeç, ndërsa 13.7% ishin fëmijë nën 18 vjeç, shpesh të pashoqëruar. Në total, 72% e aplikantëve ishin nën moshën 29 vjeç, duke treguar një tendencë alarmante të largimit të të rinjve nga vendi. Si pasojë 900 shqiptarë u larguan nga Mbretëria e Bashkuar deri në fund të shtatorit 2022. 469 shqiptarë janë larguar vullnetarisht. Nga të dhënat rezulton se pjesa më e madhe e shqiptarëve të deportuar ishin kriminelë.
Në dhjetor të 2022-it, një gomone me rreth 40 persona u përmbys në Kanalin Anglez. Vetëm disa u shpëtuan, ndërsa të tjerët humbën në det. Tragjedia e tyre nuk ishte një rast i izoluar. Çdo vit, dhjetëra emigrantë humbin jetën duke ndjekur këtë rrugë të rrezikshme.
Për ata që arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar, realiteti është shpesh zhgënjyes. Në vend që të gjejnë punën dhe jetën e premtuar, shumë përfundojnë në qendrat e mbipopulluara të emigrantëve, të pasigurt për të ardhmen e tyre. Në vitin 2022, mbi 1,000 shqiptarë u deportuan nga Britania, 51% e tyre e kthyer me forcë.
Ata që ikën jo për punë të jashtëligjshme, por për një jetë më të mirë morën me vete përveç zhgënjimit edhe faturat e majme të borxheve të udhëtimit. Më e pakta 3 apo 5 mijë paund, por udhëtime që cilësohen më të favorshme si përshembull ai me kamion shkon edhe 10 mijë edhe 11 mijë paund. Ja çfarë thotë Aida, një e re nga Kukësi që e ka provuar emigrimin në lëkurën e saj.
“Si person që ka punuar dhe studiuar jashtë mendoj se rreziqet askush nuk i njeh deri sa përballet me realitetin e hidhur atje duke filluar nga pjesa e akomodimit, ku 50 % e pagës do shkojë te pjesa e akomodimit dhe nqs je me fat do mundesh ta sigurosh menjëherë. Rreziqet janë nga jeta e vështirë nga njerëzit të cilët nuk të mirëpresin. Rreziku tjetër është mënyra jo ligjore në të cilën shumica e të rinjve kukësian zgjedhin për të lëvizur sidomos në vende që kanë popullsi jo homogjene si Anglia. Personalisht nuk do ua sugjeroja si shtet për të emigruar pasi mendoj që ka shumë mënyra të tjera që ne duhet t`i zgjedhim. Duhet të aplikojmë për vende pune dhe pasi të gjejmë intervistën të jemi të sigurtë ku do të shkojmë në mënyrë që të gjejmë veten. Personalisht mendoj se mënyra ligjore është mënyra më e mirë. Po marr pjesën e sistemit shëndetësor, ata të cilët kanë mbaruar degët mjekësore dhe mbrojnë një gjuhë. Ata janë të mirëkualifikuar dhe me eksperiencë dhe përfaqësojnë denjësisht Kukësin.”
*Kjo intervistë është marrë nga grupi i të rinjve që u bënë pjesë e projektit “Mite vs fakte; edukim mbi emigrimin e paligjshëm”. Ky projekt po zbatohet nga Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore në qarkun e Kukësit, në kuadër të programit Alternative Pathways, financuar nga FCDO dhe menaxhuar nga British Council në Shqipëri.
© 2025, Pozitivi. All rights reserved.
