Edukata seksuale, problemi ende tek njohuritë e mësuesve!
09/10/2020 Shpërndaje

Edukata seksuale, problemi ende tek njohuritë e mësuesve!

Edukimi shëndetësor-seksual u bë pjesë e sistemit arsimor shqiptar në vitin 1995. Pavarësisht se kanë kaluar 25 vjet nga ajo kohë, ende sot flitet për trajnimin e mësuesve lidhur me këtë aspekt, për shkak se është një element që shpesh neglizhohet.

Ku qëndron rëndësia?

Në raportet e UNFPA Albania theksohet se mungesa e përgatitjes së mësuesve për t’i mësuar dhe për t’i motivuar nxënësit, që të mësojnë siç duhet, mund të cenojë rezultatet.Këto janë tema të ndjeshme dhe mësuesit mund ta kenë të vështirë t’i trajtojnë. Fokusi i edukimit të mirë seksual është jo vetëm tek transferimi i njohurive, por edhe tek diskutimi i normave sociale dhe gjinore, si dhe tek zhvillimi i të menduarit kritik. Për këtë arsye, janë konceptuar ndërhyrje multidimensionale në sistemin arsimor, me qëllim pajisjen e mësuesit me qëndrimet, njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të planifikuar dhe për të lehtësuar mësimdhënien e edukimit seksual në shkollë.

Problematikat që ka pasur & ka edukimi seksual në shkolla!

Që në nisje të këtij procesi në sistemin arsimor shqiptar janë vënë re disa aspekte dilematike:

  1. Edukimi merrte jetë në kushtet kur vetë stafi mësimor kishte të mbartura problematika që lidheshin me formimin e tyre të munguar, problematik dhe barriera socio-kulturore në aspektin e edukimit seksual.
  2. Institucionet ballafaqoheshin me kundër-argumente dhe barriera që vinin nga faktorë të tjerë. Shkolla dhe faktorë të caktuar relativisht nuk ishin të gatshëm të përmbushin cilësisht edukimin shëndetësor/seksual.
  3. Tabutë e kanë shoqëruar këtë proces.

Çelsi suksesit: Kombinimi prind-mësues!

Fëmijët e moshës shkollore, zhvillojnë repertorin sjellor nëpërmjet ndërveprimit me bashkëmoshatarët dhe e ballafaqojnë këtë repertor me edukatorët dhe mësuesit.Kombinimi i kujdesit prindëror me aspektin e edukimit shkollor, mund të sjellë baza të qëndrueshme në formimin e njohurive të tilla.Prindërit duhet të jenë të aftë t’u adresojnë fëmijëve aspektet fizike dhe të sjelljes të seksualitetit njerëzor, si dhe fëmijët duhet të jenë të informuar dhe të pajisur me njohuritë dhe aftësitë për të marrë vendime të përgjegjshme rreth seksualitetit, marrëdhënieve, HIV-it dhe infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme.

Përgatitja e fëmijëve dhe të rinjve për kalimin në moshën madhore ka qenë gjithmonë një nga sfidat më të mëdha të njerëzimit, me në qendër seksualitetin dhe marrëdhëniet njerëzore.Nëse dëshirojmë të kemi një ndikim tek fëmijët dhe të rinjtë përpara se këta të jenë seksualisht aktivë, është e domosdoshme përfshirja e edukimit seksual gjithëpërfshirës nëpërmjet zbatimit të programeve mësimore.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.