Ç’ndodhi “poshtë” flokëve të borës
28/02/2018 Shpërndaje

Ç’ndodhi “poshtë” flokëve të borës

Moti i acartë ka përfshirë të gjithë vendin. Bora zbardhi zonat malore dhe ato të ulëta, përfshirë këtu dhe kryeqytetin. Gjatë ditëve të furtunës qytetarët janë përballur dhe ende po përballen me shumë të papritura. Një 18 vjeçar, Fabio Bashllari, nga Vlora ditën e djeshme kishte humbur mes mjegullës së Llogarasë.

Sipas familjarëve i riu shkoi në Llogara në një udhëtim me shokët por u humbi nga sytë për shkak të motit të keq që ishte i shoqëruar edhe me mjergull. Sakaq si pasojë e kësaj situate hasen vështirësi në qarkullimin e automjeteve, ç’ka ka sjellë dhe aksidente të njëpasnjëshme, përmendim aksidentin masiv të 9 makinave pranë tunelit të Krrabës në aksin Tiranë-Elbasan.

Banorët kanë hasur vështirësi në qarkullimin normal të mjeteve ndërsa autoritetet janë përpjekur të jenë në gatishmëri vazhdimisht për zgjidhje. Punonjësit e pastrimit e mirëmbajtjes së rrugëve gjatë këtyre ditëve kanë shpërndarë edhe kripë për të normalizuar situatën në zonat më problematike. Si rrallëherë, mbarë qarkun e Shkodrës e ka mbuluar dëbora, si pasojë është ndërprerë procesi mësimor në Universitet, pasi pjesa më e madhe e studentëve vijnë nga zona të thella të Malësisë.

Të gjithë janë përpjekur të sjellin një klimë më të mirë, mes tyre kanë qenë dhe punonjës të Forcave të Armatosura të cilët siç shihet dhe në foton më poshtë i kanë shpëtuar jetën një nëne të dy fëmijëve në Kukës, por jo vetëm. Ata ecën 3 orë në këmbë  pasi nëna 38 vjeçare për shkak të temperaturës dhe rrugëve të bllokuara e kishte të pamundur të shkonte pa ndihmën e tyre në spital. Raste të tilla ka shumë.

Pavarësisht rreziqeve të shkaktuara si pasojë e motit, bora ka gëzuar shumë fëmijë e të rritur, sidomos të kryeqytetit, pasi siç dihet  rrallë ndodh të zbardhet. Në fshat dhe qytet fëmijë e të rritur  kanë shijuar bardhësinë, duke u argëtuar me topa bore si dhe duke shijuar qetësinë që ajo përcjell teksa bie. Megjithëse sjell vështirësi në zona të ndryshme, kur ajo bie çdo gjë duket më e bukur, dhe shumica janë më të gëzuar. Ajo fsheh “llumin e tokës” dhe përcjell vetëm paqe për aq ditë sa mund të rezistojë mbi tokë.

 

 

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.