Çfarë janë kriptovalutat dhe si t’i përdorni për të bërë blerje
09/04/2022 Shpërndaje

Çfarë janë kriptovalutat dhe si t’i përdorni për të bërë blerje

Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain” (shqip: blloqe zinxhir). Kriptovaluta është mjet shkëmbimi, i cili është digjital, i koduar dhe i decentralizuar.   Ato mund të përdoren për të blerë mallra dhe shërbime të zakonshme, ndonëse shumë njerëz investojnë në to, ashtu sikurse në pasuri të tjera, siç janë aksionet apo metalet e çmueshme.

Mund të keni dëgjuar tashmë për versionet më të popullarizuara, Bitcoin dhe Ethereum, por ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore.

Përderisa kriptovaluta është një lloj i ri dhe interesant i pasurisë, blerja e saj mund të jetë e rrezikshme, pasi duhet të bëni hulumtime të konsiderueshme për ta kuptuar mënyrën se si funksionon secili sistem.

Si funksionon: Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute. Këto detyra janë të shpërndara gjerësisht mes përdoruesve të një kriptovalute, nëpërmjet internetit. Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.

Nakamoto e përshkroi projektin si “një sistem elektronik pagesash, i bazuar në dëshmi kriptografike, në vend të besimit”. Kjo dëshmi kriptografike vjen në formë të transaksioneve, të cilat verifikohen dhe regjistrohen në formën e një programi, të quajtur “blockchain”.

Blockchain: “Blockchain” është një libër i hapur, i shpërndarë, i cili regjistron transaksionet me shifra. Në praktikë, është disi si një libër shitblerjeje, që është i shpërndarë nëpër kompjuterë të pafundmë nëpër botë. Transaksionet regjistrohen në “blloqe”, të cilat lidhen me njëra-tjetrën nëpërmjet një “zinxhiri” të transaksioneve të mëparshme të kriptovalutës, shkruan Forbes.

“Imagjinojeni një libër, ku e regjistroni çdo shpenzim paraje çdo ditë. Secila faqe është e ngjashme me një bllok, ndërsa i tërë libri, një grup faqesh, përbën një ‘blockchain’”.

Buchi Okoro – shef ekzekutiv dhe bashkëthemelues i këmbimores afrikane të kriptovalutës, Quidax. Me “blockchain”, secili person që përdor një kriptovalutë e ka kopjen e vet të këtij libri, për të krijuar një regjistër të unifikuar transaksionesh. Programi regjistron çdo transaksion të ri sapo ai ndodh, dhe çdo kopje e “blockchain”-it përditësohet njëkohësisht me informata të reja, duke i mbajtur të gjithë regjistrat identikë dhe të saktë.

Për të parandaluar mashtrimet, secili transaksion verifikohet, duke përdorur njërën prej dy metodave kryesore të sanksionimit: dëshminë e punës apo dëshminë e pronësisë. A duhet të investoni në kriptovaluta? Ekspertët kanë mendime të ndryshme rreth të investuarit në kriptovaluta. Meqenëse kriptovaluta është investim tejet spekulues, me potencial për lëkundje të mëdha çmimesh, disa këshilltarë financiarë nuk u rekomandojnë njerëzve aspak që të investojnë.

Si mund t’i përdorni kriptovalutat? Ju mund t’i përdorni kriptovalutat për të bërë blerje, por kjo formë pagese ende nuk gjen pranim të gjerë. Vetëm pak tregtarë ‘online’ pranojnë Bitcoin, kriptoja është larg normëzimit. Kjo, megjithatë, mund të ndryshojë në të ardhmen. Gjiganti i pagesave, PayPal, së voni ka njoftuar krijimin e një shërbimi të ri, i cili do t’i mundësojë klientëve të blejnë, të mbajnë dhe të shesin kriptovaluta, nga llogaritë e tyre në PayPal. “Kjo është e jashtëzakonshme”, thotë Montgomery. “Nëse PayPal do të konsiderohej bankë, ajo do të ishte banka e 21-të më e madhe në botë, dhe ajo po i jep qasje të gjithë përdoruesve të saj. Ata do ta bëjnë të lehtë për njerëzit që të dërgojnë kripto”.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.