Bes Kondi, pranë të sulmuarve me furgon në Toronto
Bes Kondi është shtetasi shqiptar që ndihmoi të prekurit nga sulmi me furgon në një rrugë këmbësorësh në Toronto të Kanadasë ku të paktën 10 persona humbën jetën dhe 15 të tjerë u plagosën.
Sipas prononcimeve të shkurtra në medie Kondi ka treguar se ka lindur në Tiranë ndërsa në Kanada ka emigruar në moshën 14-vjeçare së bashku me prindërit dhe vëllain Gazmendin, dhe tashmë punon në biznesin e tij. Prej dy vitesh punon si menaxher pranë Kompanisë DEL, Property Management.
Metropoli kanadez përjetoi një tragjedi të vërtetë pikërisht në “Champs-Elysee”, në Young Street, aty ku ndodhej dhe puna e Kondit, shqiptarit që u erdhi në ndihmë shumë të lënduarve nga kjo ngjarje e rëndë.
Ngjarja u raportua minutë pas minute me detaje nga mediet e huaja, duke i bërë jehonë shqiptarit i cili me të ndodhur sulmi ka dalë menjëherë jashtë zyrës për të dhënë ndihmën e shpejtë, ashtu si policia. Ai ka qenë ndër të parët që ka dhënë ndihmë për të lënduarit.
I patrembur nga ajo çfarë ka ndodhur ai u ka dhënë ndihmë dhe mbi të gjitha ka inkurajuar me fjalë shumë të plagosur, gjë që është përmendur dhe nga mediet e huaja kur janë dhënë detaje mbi ngjarjen.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.



