Vullneti i një të riu që nuk dorëzohet ngrihet lart nga shoqëria
08/12/2017 Shpërndaje

Vullneti i një të riu që nuk dorëzohet ngrihet lart nga shoqëria

Në jetë pa e kuptuar të ofrohen mundësi por shpesh edhe duhet t’i kërkosh ato. Visi tregon vështirësitë që ka hasur në gjimnaz për shkak të pamundësisë ekonomike dhe vullnetin që kishte për të punuar, që të mbarojë studimet por dhe të ndihmojë familjen.

Në vendin tonë dhe në botë ka mijëra studentë dhe më pak nxënës që punojnë njëkohësisht dhe studiojnë. Rrëfimi i të riut për nismën “Thurje” është frymëzim për të rinjtë që ankohen se nuk kanë mundësi në jetë, shkruan pozitivi.org. Në kohën që ishte në shkollë punoi si ndihmës me një usta gipsi dhe rraskapitja në darkë i këpuste dhe gjunjët.

Vendosi t’ia dedikojë jetën zanatit dhe shumë shpejt do të shkojë të punojë jashtë shtetit, për mundësi më të mira. Ai nuk do ndalet, do gjejë më të mirën për veten. Historia e Visit ka ngjallur reagime tek ndjekësit të cilët e kanë vlerësuar vullnetin dhe punën  e ndershme që ka bërë që në moshë të re.

Historia e Visit:

Ndoshta jam shumë i ri për të nxjerrë mësime jete, por kam kuptuar që edhe kur ajo nuk të ofron shumë mundësi, jemi ne ata që duhet tia krijojmë mundësitë vetes.
E kisha gjimnazin jo shumë larg shtëpisë, e megjithatë më këputeshin gjunjët kur nisesha për atje, jo se nuk doja të mësoja, por nga pamundësia ekonomike qoftë edhe për të blerë librat e rinj. Me ato ritme e dija që një ditë do e lija shkollën fare, gjë që nuk mund tia lejoja vetes. 2 javë me radhë endesha nëpër Tiranë pas shkolle, doja të gjeja një punë, një punë që të më jepte mundësinë të mos e lija shkollën e të ndihmoja dhe familjen.

Një vizitë e një miku të familjes në shtëpi, ndryshoi gjithë jetën time. Ishte usta gipsi, për dy orë me radhë i jam lutur të më merrte si ndihmës, nuk mund ta lija atë mundësi të më ikte. Edhe pse i dukesha i vogël në moshë, pak dhe i dobët fizikisht, në fund arrita ta bind. Fillova punë që ditën tjetër, mezi prisja të dilja nga shkolla e të shkoja në punë. Lodhesha e rraskapitesha deri në mbrëmje vonë, por kurrë nuk u dorëzova, nuk mund të dorëzohesha, nuk duhet të dorëzohesha. I jam shumë mirënjohës ustait tim, falë dashamirësisë së tij e mësova zanatin shumë shpejt dhe u bëra vet usta.

Vendosa tia dedikoj jetën time zanatit se dua të jetoj ndershëm dhe me djersën e ballit, por në këtë vend jo shumëçka shkon siç duhet, shumë pak njerëz e vlerësojnë njeriun e ndershëm e punëtor. Për fatin tim të mirë arrita të gjej rrugë të tjera, kam aplikuar dhe do shkoj jashtë shtetit me punë, shpresoj shumë shpejt, diku ku vërtetë e respektojnë ndershmërinë. Visi”.

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.