U bënë prindër në adoleshencë, të rinjtë tregojnë si ia dolën të arsimohen
Martesa në moshë të hershme është një fenomen në Shqipëri, që ndodh kryesisht në zona të thella. M.P sot 31 vjeç na tregon historinë e saj si u fejua kur ishte 14 vjeç e gjysmë, me një djalë që ishte 17 vjeç, në vitin 2001. S’donte të fejohej sepse ishte e vogël por vendimi në njëfarë mënyrë iu imponua edhe për shkak të opinionit të fshatit. Në moshën 15 vjeçare u martua edhe pse nuk e kishte idenë se çfarë po bënte. Pas dy vitesh martesë dy të rinjtë u bënë prindër të një vajze.
Sot Mira është infermjere kurse i shoqi dentist. Historinë e tyre tashmë e tregojnë me humor, sepse as ato vetë nuk arrijnë ta besojnë çfarë kanë kaluar. Sakrificat dhe sfidat që kanë kaluar i kanë bërë të pandashëm. Kur vajza e tyre e parë bëri një vit që kishte lindur Mira duhej të largohej në Tiranë të ndiqte Universitetin e Infermjerisë, ndërsa i shoqi studionte në vitin e dytë për stomatolog po në Tiranë. Vajzën për disa muaj e lanë nën kujdesin e vjehrrës në Dibër ndërsa vetë shkonin çdo fundjavë në shtëpi. 31 vjeçarja sot ka katër fëmijë, 3 vajza dhe një djalë, por as që e mendon të njëjtin ‘fat’ në martesë. Në realitetin shqiptar ka shumë histori të tilla por çifti në fjalë ia dolën të arsimohen dhe të krijojnë një familje të shëndoshë pavarësisht sfidave.
Intervista ekskluzive për pozitivi.org:
1.Sa vjeç je martuar?
Jam martuar 15 vjec e gjsymë.
2.Në çfarë viti ka ndodhur?
Martesa ka ndodhur në vitin 2002 kurse ne 2001 u fejuam.
3.Po bashkëshorti sa vjeç ishte?
Ne fejse ishte 17 vjeç. Ndërsa kur u martuam 18 e gjysmë.
4.Si e more këtë vendim, a nuk mendove se ishe e re për të marrë një impenjim kaq të madh?
Në fakt unë isha një fëmijë. Isha vetëm 14 vjeç në klasë të 8 kur babai i të fejuarit donte që të më merrte për djalin e tij, bashkëshortin tim. Vinte në shtëpinë tonë vazhdimisht edhe pse babai i kishte thënë se vajzën e kam të vogël dhe nuk e fejoj. Unë nuk doja të fejohesha, as që e kisha menduar ndonjëherë sepse doja të studioja. Asnjë nga familja ime nuk donte, por ngaqë vjehrri vinte shpesh dhe ishte i vendosur për të mos na u ndarë derisa të fejoheshim, kështu babai disi u detyrua dhe nga këmbëngulja e tij dhe opinioni që të më fejonte. Fshatrat tonë ishin pak larg por njerëzit njiheshin me njëri tjetrin, dhe ngaqë vjehrri kishte pyetur, u mor vesh pothuaj në të gjithë fshatin se donte të më merrte për djalin e tij. Keshtu behej atehere.
5.Sa kohë qëndrove e fejuar?
Në fillim kur u fejuam e kishim lënë që do të qëndronim gjatë të fejuar sepse si unë edhe bashkëshorti ishim të rinj. Por gjërat ndryshuan, sepse që e fejuar duhej të shkoja te shtëpia e bashkëshortit. Ata të shtëpisë së bashkëshortit donin të më merrnin herë pas herë, mirëpo babai nuk donte. Njerëzit e shtëpisë time donin që të shkoja rrallë duke pasur parasysh sa e re isha, dhe unë po ashtu sepse ndihesha në siklet kur shkoja. Se imagjinoja veten si nuse shtëpie. Fakti që nuk shkoja i nxiti që të martoheshim shpejt. Pas një viti u martuam.
6.E kishe idenë në atë moshë se çfarë ndodh pasi martohesh?
Në fshatin tonë bija në sy për faktin se isha e gjatë në trup dhe nuk dukesha se isha vetëm një fëmijë 14 vjeç. Por realisht që s’e kisha idenë fare se çfarë ndodhte mes një çifti pasi martohej. Ndoshta e dija se që të lindë një fëmijë duhet të jenë dy persona, pra një burrë dhe një grua, por që se dija si ndodh. Atëherë nuk bëhej fjalë ti diskutonim këto as në shkollë as në familje, ishte turp i madh. Aq më pak në fshat. Unë kam motrën më të madhe se vetja dhe gjithmonë ajo më mësonte për çdo gjë. Por për këtë s’kishim folur, besoj se edhe nëse do mundohej të më fliste, unë do i thoja pusho, sepse e quanin për turp.
7.A keni pasur informacion mbi shëndetin seksual dhe riprodhues në atë kohë?
Ne lidhje me shëndetin seksual dhe riprodhues s’kishim ku të merrnim informacion. Në shkollë nuk diskutohej asnjëherë, edhe kur kishte tema që mund të kishin këtë natyrë, nuk zhvilloheshin. Është turp ta thuash por unë natën e parë të martesës se dija se çndodh mes burrit dhe gruas, dhe mbaj mend që u zemërova me motrën. Me vete thoja po Elsa pse s’më ka treguar, duke qenë se ajo më fliste për çdo gjë.
8.Ti tani ke katër fëmijë, pas sa kohësh martesë linde fëmijën e parë?
Bëra një vit e martuar dhe ngela shtatzanë. Isha 17 vjeç e gjysmë kur linda fëmijën e parë.
9.E kishe të vështirë të kujdeseshe për të por edhe për të bërë gjërat që doje?
Në fakt nuk e kam pasur të vështirë rritjen e vajzës. Nuk dija asgjë në lidhje me fëmijët por fatmirësisht kisha vjehrrën që më ka ndihmuar me çdo gjë. Në shtëpi më trajtonte si vajzat e saj, duke qene se vajzën me të madhe e kishte në një moshë me mua. Edhe vajzën time të parë më shumë e ka rritur ajo. Kur vajza bëri 1 vit unë duhej të filloja universitetin për Infermjeri në Tiranë. Bashkëshorti hidhej në vitin e dytë të fakultetit, duke qenë se kishte bërë një vit pushim pas gjimnazit.
Ai studjonte për Stomatologji. Ishte shumë e vështirë sepse kishim vajzën. Megjithatë sakrifikuam, unë u largova në Tiranë dhe vajzën e lamë bë Dibër me vjehrrën. Për disa muaj shkonim çdo fundjavë. Ishte tepër e vështirë. Vajza na kërkonte vazhdimisht siç na tregonte vjehrra. Por pas disa kohësh e morëm me vete. Falë martesës së hershme kishim vështirësi dhe shumë gjëra i bëmë me vonesë. Megjithatë sot kur i kujtojmë ato ditë na duket si ëndërr, themi jo s’i kemi bërë ne këto gjëra.
10. A do e martoje vajzën tënde të re, edhe nëse ajo do dëshirojë vetë?
Apsolutisht jo. Prandaj jam prindi unë që të vendos në njëfarë mënyre çfarë është e mirë për të. Se kur e gjen personin e jetës se caktojmë dot, por që vajzat e mija, unë së paku dua të mbarojnë universitetin dhe tja dinë kuptimin jetës dhe të martesës kur të marrin një vendim të tillë. Ndoshta unë se pengoj derisa të mbarojë universitetin por sa të mbushë 18 vjeç besoj kam diçka në dorë.
11. Çfarë do ndryshoje në jetën tënde nga ato që kanë ndodhur?
Nuk do ndryshoja asgjë në fakt. Martesa e re ishte një gabim nëse mund të them kësh, por në atë periudhë përveç vështirësive kishte dhe gjëra të bukura. Sot kur e tregojmë historinë tonë me bashkëshortin, sa të rinj u martuam dhe u bëmë prindër kaq herët, njerëzve u duket e pabesueshme. Sidomos periudha kur vendosëm të ndjekim dhe shkollën e lartë, me gocën e vogël. Unë në tetor bëj 16 vite e martuar. Me bashkëshortin na duket sikur e kemi kaluar gjithë jetën bashkë. Çdo gjë e kemi përballuar bashkë dhe kjo na ka lidhur jashtë mase saqë sot kemi marrëdhënie shumë të mirë.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.
