“Tavolina s’mbushet me shumë gjëra, por ngopem sepse kemi dashurinë”
13/12/2017 Shpërndaje

“Tavolina s’mbushet me shumë gjëra, por ngopem sepse kemi dashurinë”

Pamundësitë ekonomike janë një problem me të cilin përballen shumë familje shqiptare dhe pasojat në shumicën e rasteve i vuajnë fëmijët. Një i ri nga Shkodra ka treguar hisorinë e tij, si u detyrua të braktisë shkollën për shkak se familja nuk kishte mundësi financiare. Në familjen e tij ishin 5 fëmijë, Koli duke qenë më i madhi shkoi vetëm 2 javë në gjimnaz, më pas nisi punë.

Ai tregon për nismën “Thurje” se s’kishte mundësi tjetër, veçse të punonte në një furrë gëlqereje. Ishte 15 vjeç, pasion kishte librat dhe shkollën, ndaj punën që bënte nuk arriti ta përballojë për shumë gjatë, shkruan pozitivi. Çfarë ndodhi më pas dhe dëshirën që ka ende për të bërë shkollë i riu shkodran e tregon më poshtë në rrëfimin e plotë.

Tani është bërë i zoti si usta gipsi dhe shumë i thonë të largohet jashtë sepse fiton mjaft të ardhura. Megjithatë i riu ngul këmbë të qëndrojë në vendin e tij për një arsye të fortë. “Unë do rri këtu, në vendin tim e pranë të afërmve të mi. Më ngop më shumë kur na mbledh tavolina e madhe anipse nuk mbushet me shumë gjëra, ama kemi dashurinë”.

Historia e Plotë:

“Pasioni im janë librat dhe shkolla. Më pëlqen të lexoj kur më lejon koha dhe trupi. Leximi ta ndriçon mendjen ashtu si edhe shkolla të bën njeri më të mirë. Vetëm se me shkollën unë nuk i rregullova dot kurrë raportet. 8 vjeçaren e mbarova me një frymë e nga inercia u rregjistrova edhe në shkollë të mesme.
Po si të shkoja?
Në Shkodër ishim 5 fëmijë e 7 gojë gjithsej në shtëpi, gjithë gjithë me një asistencë qesharake që zhdukej sa merrej sikur të ishte e magjepsur. Megjithatë shkova 2 javë si për fiksim, provova ndjesinë të ulesha në bankat e shkollës së mesme por librat nuk arrita ti blej dot. Rrugë tjetër nuk kisha, isha më i madhi prej fëmijëve dhe duhet të filloja patjetër punë, ti bëhesha krahë familjes. U mundova të gjeja një punë që të më lejonte të vazhdoja dhe shkollën, por nuk ishte e mundur.

E vetmja punë që arrita të gjej ishte në një furrë gëlqereje, me 3 turne dhe me asnjë ditë pushim. E kisha shumë vështirë sidomos ditët e para, era e gomave që digjeshin ishte e tmerrshme edhe për një trup të shëndoshë, e aq më tepër për mua që isha vetëm 15 vjeç dhe fizik i dobët. Disa herë jam matur ta lija punën, por kur mendoja që me shumë mundësi nuk do kishim bukë në darkë në shtëpi, shtrëngoja dhëmbët dhe vazhdoja, vazhdoja se ishte një përgjegjësi që më takonte mua, të tjerët ishin më të vegjël dhe donin përkujdesje.

3 vite më pas, megjithëse unë vazhdoja punë, situata në familje sërish nuk përmirësohej, sepse aq rrogë merrja, ndaj duhet të ishim më shumë që punonim për t’ia dalë. U trasferuam në Tiranë, me qera, por të paktën kishim më shumë mundësi për të punuar. Këtu fillova punë ndihmës te derdhjet e gipsit, e më pas u bëra usta i parë. Mësoj shpejt. E lodhshme është dhe kjo, por mushkëritë më falenderojnë që i hoqa nga gomat e djegura. Punë pa lodhje nuk ka.

Shumë më thonë të iki jashtë shtetit, i gjej tani mundësitë për të ikur, por jo, unë do rri këtu, në vendin tim e pranë të afërmve të mi. Më ngop më shumë kur na mbledh tavolina e madhe anipse nuk mbushet me shumë gjëra, ama kemi dashurinë. Një ditë shpresoj e besoj ta mbaroj dhe shkollën dhe do përpiqem me mish e me shpirt, do punoj fort që djali im të mos ketë nevojë të rropatet si unë, por të shkojë në shkollë e të mësojë i qetë që të bëhet njeri i mirë dhe i ditur.”

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.