Rrëfimi i Arbenit: Jeta si emigrant ilegal, më keq se jeta në burg
Arbeni, një djalë nga fshati Shtiqën i Kukësit, ka jetuar tre vite si emigrant ilegal në Angli. Pas kthimit në Shqipëri, ai po përpiqet të rindërtojë jetën e tij duke menaxhuar një servis makinash. Historia e tij është një pasqyrë e realitetit të ashpër që shumë të rinj shqiptarë përballin në kërkim të një jete më të mirë.
Ikja drejt Anglisë
Në vitin 2018, Arbeni mori vendimin e vështirë për të emigruar ilegalisht në Angli. Gjendja e tij ekonomike ishte “jo e mjerueshme, por super e mjerueshme”, siç e përshkruan ai. Me ndihmën e një kushëriri, ai siguroi rrugën për të shkuar, duke kaluar me kamion, një praktikë e zakonshme për shumë kuksianë.
“Rruga ishte një eksperiencë që as dua ta kujtoj. Na mbajtën mbyllur në kamion, me ajrim minimal. Ishte një vuajtje e vërtetë,” tregon Arbeni.
Realiteti i ashpër i emigrantit ilegal
Pasi mbërriti në Angli, e kuptoi shpejt që realiteti nuk ishte siç i ishte premtuar. “Të thonë se puna është gati dhe pagesat janë të mira, por realiteti është ndryshe. Ditët e para ishin të tmerrshme. Nuk kishte ku të flija, nuk kishte as punë siç ma kishin premtuar,” rrëfen ai.
Puna në ndërtim apo lavazh ishte e vetmja mundësi, por pagat nuk mbulonin dot shpenzimet e larta të jetesës. “Për të mbijetuar, duhet të punosh 12-14 orë në ditë. Nëse në Shqipëri do të punonim me po kaq përpjekje, do të jetonim më mirë se atje,” thotë Arbeni.
Vendimi i kthimit
Nga dita e parë që mbërriti në Angli, Arbeni e kuptoi që nuk ishte siç e kishte menduar. Megjithatë, kthimi nuk ishte një opsion i menjëhershëm, pasi kishte borxhe për të shlyer. “Për rrugën kam paguar 12 mijë paund. Më mori mbi një vit për të larë borxhet,” tregon ai.
Kur më në fund i shlyeu detyrimet, vendosi të kthehej. “Anglia nuk është ajo që mendojnë shumë shqiptarë. Aty jeta është stresuese, punon pa pushim, jeton me frikën e arrestimit. Kur u ktheva, ndjeva një lumturi të madhe, pranë familjes dhe në vendin tim.”
Një fillim i ri në Kukës
Me kthimin në Shqipëri, Arbeni vendosi të hapte një servis makinash. “E vetmja gjë që më motivoi ishte të mos mendoja më për të ikur. Kukësi ka shumë të rinj që e kanë mendjen vetëm te Anglia. Unë doja ta fshija këtë mendim nga jeta ime.”
Sot, ai është i lumtur që ka ndërtuar një jetë të re në vendlindje, pranë familjes së tij dhe dy fëmijëve.
Mesazhi për të rinjtë dhe prindërit
“Në Kukës, idenë e emigrimit e mbjellin që fëmijët e vegjël. Prindërit nuk i inkurajojnë për shkollim, por i nxisin të ikin jashtë. Kjo duhet të ndryshojë. Ka punë në Shqipëri, por duhet të punojmë me seriozitet,” thekson ai.
Mesazhi i tij për prindërit është i qartë: “Paratë që u jepni fëmijëve për të ikur në Angli, investojini në shkollimin e tyre. Nuk ka vend më të mirë se vendi yt.”
© 2025, Pozitivi. All rights reserved.
