Nëna shqiptare e ‘humbur’ në emigracion për fëmijët, shpreson të realizojë ëndrrën e vetme pas të 40-ve
14/08/2018 Shpërndaje

Nëna shqiptare e ‘humbur’ në emigracion për fëmijët, shpreson të realizojë ëndrrën e vetme pas të 40-ve

Shqiptarët që jetojnë jashtë përbëjnë 40% të atyre që janë brenda. Emigracioni për ta ka qenë e vetmja mundësi që të ndryshojnë të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve.  Greqia është një nga destinacionet kryesore të shqiptarëve. Gjatë një bisede, rrugës për në shtetin fqinj një zonjë nga Durrësi na rrëfen në vija të përgjithshme historinë e jetës së saj. 15 vite më parë,  ajo mori rrugën për në Greqi për të shkuar tek bashkëshorti, i cili ishte stabilizuar atje 5 vite më herët. Këtë e bëri për fëmijët, për të cilët flet gjatë gjithë rrugëtimit nga Tirana për në Katerini. Ishte kthyer në Shqipëri për vetëm 5 ditë në  Korrik, që të takonte prindërit e saj, tashmë në moshë të thyer. Dukej e çmallur, njëkohësisht e mërzitur për kohën që kaloi me ta, sepse i dukej e shkurtër.

Ishim ulur në 2 ndenjëse autobusi afër njëra-tjetrës. Për gati 7 orë rrugë më tregoi vetëm për fëmijët për të cilët fliste me një dashuri kaq të madhe, siç vetëm nënat dinë. Kishte 3 fëmijë. Dy djem dhe një vajzë. Së bashku me fëmijët dhe bashkëshortin kanë jetuar në një fshat të thellë në Edessa për vite me rradhë dhe ende atje jetojnë. Deri në gjimnaz fëmijët i ka çuar në shkollë në Greqi. Ndërsa tani ka 2 vite që ata ishin kthyer në Shqipëri për të ndjekur universitetin. Edhe pse janë rritur në Greqi, ajo thotë se i ktheu së pari sepse djalit të madh i doli shkolla në Greqi në një qytet tjetër dhe shpenzimet ishin shumë të larta për ekonominë e tyre. Mendoi se shumë shpejt edhe 2 të tjerët do shkonin në universitet dhe s’do mund t’ja dilnin me shpenzimet. Arsyeja tjetër është sepse do që e ardhmja e fëmijëve të saj të jetë në Shqipëri, shkruan pozitivi.org. Ajo vetë me bashkëshortin s’u larguan me dëshirë nga vendlindja, por sepse s’kishin rrugë tjetër. Gjithë këto vite është munduar që fëmijët të mos kenë të njëjtin fat si ata, por të kenë në dorë të zgjedhin rrugën që duan.

Kështu që vendosën t’i sjellin në vendin amë të 3 së bashku, 2 vite më parë. Kurse ajo dhe bashkëshorti jetojnë atje gjithë muajt e vitit. Me krenari të madhe tregon që fëmijët janë shumë mirë në mësime. Ndikim ka pasur dhe nxitja e vazhdueshme që prindërit u kanë bërë, se “për të mos qenë shërbëtori i tjetrit duhet së pari të mësosh dhe të shkollohesh”. Ata nuk kanë shumë diferencë me njëri-tjetrin.  Vajza, me e vogla nga fëmijët është në vit të 3 në gjimnaz. Nxënëse shumë e mirë dhe dëshiron të studiojë për Arkitekturë, si vëllai i madh. Nuk do ta ndjekë këtë degë vetëm prej vëllait, por sepse ka talent. I madhi është në vit të 3 për Arkitekturë në nje universitet privat, me rezultate të shkëlqyera gjithashtu.  Kurse djali i dytë, edhe pse nuk ishte shumë i mirë në mësime, prindërit e nxitën fort që të ndjekë shkollën dhe ai tashmë vazhdon akademinë e rendit në vitin e dytë.

Ajo shprehet se gjithë  jetën janë robëruar, kanë punuar në bujqësi për grekët, vetëm për të shkolluar fëmijët që e ardhmja e tyre të jetë me e lehte. Ndërsa vazhdon të tregojë detaje dhe ngjarje lidhur me fëmijët sytë i shkëlqejnë. Sidomos kur flet për vajzën, që e ka pikë të dobët. Më tregon fotot e saj dhe thotë se i ngjan në gjithçka. Dhe në të vërtetë duket një kopje e saj në paraqitje. Shkrihet e tëra kur e përshkruan, si në portret, për sjelljen, për rezultatet e shkëlqyera në shkollë, për talentin e jashtëzakonshëm që ka në pikturë të cilin e ka shfaqur që në moshën 6 vjeçare, atëherë kur i ka sjellë të ëmës dhuratën e parë, të bërë me duart e saj të vogla. Dhurata e parë të cilën e ruante dhe sot ishte një gur i gdhendur që merrte formën e një zemre. Më tregoi gjithçka me detaje …

Tani që fëmijët ndjekin shkollën në Tiranë, gjatë verës të tre shkojnë tek prindërit në Edessa. Dy djemtë punojnë në bujqësi, me prindërit, për të siguruar një pjesë të shpenzimeve të shkollës. Kurse vajzën nuk e kanë futur asnjëherë në punë. Ndërsa flet për jetesën atje, në mes të malit, për punën e lodhshme, tregon se asnjëherë nuk ka pasur dëshirë të jetojë në Greqi, sidomos në fshat. Sepse e dashuron Shqipërinë, sidomos qytetin bregdetar të Durrësit që është dhe vendlindja e saj. Herën e parë në Greqi e mban mend si sot. Edhe pse e dinte se nuk kishte zgjidhje tjetër, për ditë me rradhë lotët nuk i janë hequr nga sytë. Shkurt, nuk e pranonte jetesën atje. Fëmijët ishin arsyeja e vetme që e shtynë të jetë e fortë, të pranojë gjithçka kishte përreth, dhe te punojë pa u lodhur për 15 vite me rradhë. Punës nuk i është ndarë për asnjë ditë të jetës. Madje këto 2 vitet e fundit thotë se edhe kur vjen në Shqipëri gjatë vitit, për të qëndruar ndonjë muaj me fëmijët edhe atëhere punon në fabrikë këpucësh.

Dy djemtë drejtimet i kanë të qarta. Merak kishte për vajzën, duke qenë se është në vitin e  fundit të gjimnazit. Nuk mund t’i transmetoj të gjitha ç’me tregoi për vajzën dhe djemtë, sepse asnjëherë s’do mund t’i shihja siç i shohin sytë e kësaj nëne. Temë kryesore ishin fëmijët dhe jetesa në Greqi, gjithë rrugës. Kur fliste për vitet atje, ndërsa e pyes nëse shqiptarët janë të paragjykuar futet në mendime, pastaj thotë: “Sigurisht që janë. Gjithmonë shihen me një sy tjetër. Sado i mirë të jesh ti si shqiptar dhe punëtor, përsëri nuk mund të jesh baras me vendasit. Kjo është një arsye pse dua që fëmijët e mi të krijojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Hapat t’i hedhin aty, pastaj nëse janë të zotët dhe do kenë mundësi të punojnë dhe jashtë jam e sigurt që s’kanë për ta mohuar si mundësi”, thotë ajo mes të tjerash, shkruan pozitivi.org.

Më bëri përshtypje thjeshtësia dhe ëmbëlsia e zonjës. Flokët e palyera që kishin filluar t’i thinjeshin i kishte mbledhur në fund të qafës. Diçka normale për moshën, sepse i kishte kaluar të 40-at. Veshur me një bluze të gjatë me streçe të zeza trreçerekëshe, ndersa në prehër mbante një çantë dore të madhe në të cilën kishte mbledhur të gjitha sendet personale. Fytyra rrumbullake, e qeshur gjithë kohës. Sytë plot shkëlqim. Duart e fryra nga puna shtrëngonin telefonin gjithë kohës, të cilin shpesh e përdorte për të më treguar ndonjë foto. Për veten s’më foli asnjë sekondë. Kur unë e pyesja për veten, muhabeti rridhte tek fëmijët. Identifikohej prej tyre. Ajo ishte ata. Nëse e keni verejtur as emrin e zonjës s’e kam shkruajtur, sepse nuk ma tha. S’linte hapësirë ta pyesje për veten kur gjithë kohës tregonte për projektet që kishte bërë në shkollë djali i madh, pikturat dhe çdo gjë tjetër kreative e ndërtuar nga vajza e vogël.

Për të mësova një ëndërr që kishte prej vitesh. E vetmja gjë që i përkiste vetëm  asaj. Dëshira e madhe për të shkuar njëherë të vetme në Stamboll. Kur përmendte Stambollin i shkëlqenin sytë dhe i shtohej ritmi i fjalëve, saqë nuk llogariste sa thoshte në minutë. Ishin fjalë zemre. Kjo dashuri per këtë vend i ka lindur përmes telenovelave turke. “Sa herë e shoh në telenovela më shtohet dhe me shumë dëshira për të shkuar, e kam ëndërr. Por edhe  për disa vite të tjera s’dua të shkoj, pa mbaruar femijet shkollen jo. Djali i madh ma ka premtuar. Ka thënë mos u shqeteso o mami se me rrogën e parë që do marr t’i do të shkosh në Turqi bashkë me babin”, thekson ajo ndër të tjera me krenari.

Shpreson që djali do ta mbajë premtimin sepse është tepër ambicioz. “Pasi të marrë disa vite eksperiencë ai dëshiron të hapë studion e tij. Për projektet që bën aktualisht frymëzohet nga momunente greke me shumë por jo vetëm. Të gjithë mësuesit i thonë se ka shumë talent dhe së shpejti do fillojë t’i shesë projektet që bën në shkollë me gjysmë çmimi”. Ka kaluar vështirësi por është e kënaqur nga jeta. “Jam e lumtur për çdo gjë në jetën time deri tani. Kam gjithçka, sa të kem fëmijët mirë. Ajo për të cilën kam luftuar, një drejtim i duhur për fëmijët, po më plotësohet”, thotë zonja.

Ata janë një familje e thjeshtë por që dinë t’ja shprehin dashurinë njëri-tjetrit në formën më të bukur. Ndërsa zonja më përshkruan sa e bukur është vajza e saj, më tregon me foto dhuratat që i kishte bëre çdo vit për ditëlindje. “Çdo vit që vjen më bën një dhuratë më të madhe se viti paraardhës. Te gjitha i bën vetë, me duart e saj”. Kjo e gëzon pa masë sepse dhuratat janë shumë simbolike dhe shprehin një dashuri të madhe për nënën që i ka rritur me sakrifica.  Një dhuratë të tillë e kishte me vete, në çantë. Ishte një varëse çelësash, e bërë me një katror druri ku shkruhej, “Je mami më e mirë në botë”. Edhe pse ishim në orën e fundit të udhëtimit, të tronditura nga lëvizjet e autobusit dhe ndalesat e shpeshta nuk ngurroi ta nxirrte nga çanta dhuratën që të ma tregonte. Përveç kënaqësisë që po merrte në momentin ma tregoi mua, s’mund ta përshkruaj lumturinë që kishte ndjerë kur vajza ia kishte dhuruar.

A janë të gjitha nënat të tilla vallë? Ku epiqendër e gjithë jetës së tyre të jenë fëmijët, ëndrrat dhe e ardhmja e tyre?  Unë po e mbyll me mendimin  qe më krijoi zonja nga Durrësi, një nënë që vetë ka hequr te zinjtë e ullinjve që fëmijëve t’u plotësojë çdo mundësi për t’u bërë të zotët e vetes. Ndonjëherë me duhej ta ndërprisja për shkak të lodhjes së rrugës sepse ajo nuk ndalonte. Edhe pse unë e ndërprisja ajo sërish pas pak minutash e vazhdonte bisedën aty ku e kishte lënë, tek FËMIJËT…

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.