Mbijetuan për shekuj, bombardohen shqiptarët e Ukrainës, boshatisin fshatrat ku ruajtën traditat
02/03/2022 Shpërndaje

Mbijetuan për shekuj, bombardohen shqiptarët e Ukrainës, boshatisin fshatrat ku ruajtën traditat

Forcat ruse kanë nisur të bombardojnë fshatrat shqiptare në Ukrainë. Në pamjet që qarkulluan në rrjet shiheshin me qindra njerëz në rrugë të cilët kanë braktisur banesat e tyre pas bombardimeve.

Në këto kushte shumë prej tyre kanë marrë rrugën për t’u larguar sa më parë nga Ukraina. Një prej tyre është shqiptarja Nelli Syupur e cila jetonte në periferi të Odessas. Ajo la burrin e saj në luftë ndërsa vetë bashkë me djalin është larguar drejt vendeve fqinjë.

Një destinacion kryesor për shumë qytetarë që jetojnë në Ukrainë tashmë është edhe Shqipëria. Gjatë 3 ditëve të fundit përmes pikës doganore të Qafë-Thanës kanë hyrë rreth 20 ukrainas. Një pjesë e tyre kanë qenë të vetëm dhe të tjerë me familjet. Ata nuk kanë kërkuar ndihmë nga autoritet shqiptare për t’u strehuar. Mendohet se këta shtetas kanë udhëtuar drejt qyteteve bregdetare pasi kanë blerë apartamente.

Shumë të tjerë pritet të vijnë në vendin tonë.  Sipas burimeve të ministrisë së Jashtme në Ukrainë është një grup jo i madh shqiptarësh. Ata kanë një histori që nuk duhet harruar, pasi edhe pse kanë rezistuar për shekuj, komuniteti shqiptare në Ukrainë rrezikon të zhduken për shkak të luftës.

Të gjithë flasin toskërishten e vjetër, ruajnë kostumet popullore qindravjeçare, festojnë Shën Gjergjin në kujtim të Gjergj Kastriotit. Janë rreth 5 mijë shqiptarë të vendosur në katër fshatra në jug të Ukrainës. Komuniteti shqiptar jeton aty që prej shekullit të 19, shkruan pozitivi.org.

Ata fillimisht u vendosën në veri të Odesës 220 km në fshatin Karakurt së bashku me bullgarët dhe gagauzët. Në fillim të vitit 1860 një pjesë e fshatit Karakurti sot Zhovtnjovoje u shpërngul në rajonin e brigjeve të detit Azov rreth 10 km larg brigjeve, ku u themeluan 3 fshatra: Taz sot Devnenskoje, Tyshki sot Gjeorgjevka, Xhandran sot Gamovra sot ku jetojnë edhe sot që këtë toke ja dhuroi Katerina II e Rusisë.

Banorët janë toskë, të shpërngulur nga rajoni i Pogradecit dhe Korçës, si pasojë e përndjekjes osmane. Pas një rrugëtimi nëpër Greqi, Bullgari e Rumani përfunduan në Ukrainë. Gjuha që flitet sot në këto katër fshatra, Karakurt (Zhovtnjovoje), Taz (Devneskoje), Tyshki (Gjeorgjevka) dhe Xhandran (Gamovra), është një përzierje e shqipes toske me rusishten. Por megjithatë zakonet, veshjet dhe tiparet dalluese mbetën të njëjta. Banorët e këtyre fshatrave e identifikojnë veten si shqiptarë.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 200 vite nga koha kur shqiptarët pas një kalvari të gjatë peripecish u vendosën në Ukrainë, ato nuk u ju nënshtruan asimilimit dhe kultivuan gjuhën dhe traditat shqiptare ndër breza.

Ndonëse vite larg nuk i  harruan traditat. Në vitin 2019 në Karakurt u vendos busti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Sot pas kaq shumë vitesh duan të rikthehen në Shqipëri. Një prej tyre Nelli Syupyur cila është një koreografe në Ukrainë ka publikuar video përgjatë rrugëtimit të saj të arratisë nga Ukraina bashkë me djalin e saj të vogël që kur nisi lufta. Në video shqiptarja shihet bashkë me fëmijën dhe një grup miqsh të tjerë të cilët shtegtuan për të gjetur një dalje sa më të sigurt. Rrugëtimi i saj nga banesa ishte fillimisht për në kufi me Moldavinë ndërsa destinacioni final ishte në Poloni. Deri më tani nuk dihet nëse ka arritur të shkojë në destinacion, shkruan pozitivi.

Duke publikuar pamje të bombardimeve të fshatrave me shqiptarë,  ish ministri i mbrojtjes Pandeli Majko ka bërë një reagim të ashpër  ku ka  thënë se Rusia po përgatitet që të sulmojë edhe qytetin e Odesës, një prej rajoneve ku është vendosur prej shekujsh komuniteti shqiptar. Sipas asaj që shkruan Majko ky sulm nuk bëhet pa qëllim por për të shkatërruar edhe një pjesë e historisë së shqiptarëve. “Eshtë Ukraina që flet shqip”, thotë Majko referuar qytetit të Odesës.

“Ushtria Ruse po përgatitet të sulmojë qytetin e Odesës! Kërkoni në Google… fjalët “Arnaut, Odesa” dhe do ta kuptoni se po sulmohet për tu shkatërruar edhe një pjesë e historisë së shqiptarëve. …Eshtë Ukraina që flet shqip. Mospëlqimi i frikacakëve është lavdia e trimave”, shkruan ai. Të larguarit në masë janë ukrainas. Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) thotë se 874,026 njerëz janë larguar nga Ukraina që kur Rusia nisi pushtimin e saj të enjten e kaluar. Polonia ka marrë më shumë se gjysmën e këtij totali.

Reagimet e politikës shqiptare

Luftën barbare të nisur në Ukrainë prej 7 ditësh e kanë dënuar të gjithë udhëheqësit e Shqipërisë që në ditët e parë duke u shprehur mbështetje qytetarëve ukrainas. Ata theksuan se Shqipëria është përkrah popullit të Ukrainës dhe u bashkohet aleatëve në NATO dhe Bashkimin Europian në dënimin e fuqishëm të agresionit rus.

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, shkroi se “Shqipëria dënon sulmin e pajustifikueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe duke kërcënuar jetën e civilëve të pafajshëm”, ndërsa i bëri thirrje Rusisë të tërhiqet nga veprimet ushtarake kundër tërësisë tokësore dhe sovranitetit të Ukrainës! “Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj në këtë orë të errët!”, shkruante Meta

Kryeministri shqiptar Edi Rama, shkroi se Shqipëria “u bashkohet aleatëve në NATO dhe Bashkimin Evropian në dënimin e fuqishëm të agresionit rus. Mendimet tona janë me popullin e Ukrainës”, shkroi ai. Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, dënoi “ashpër sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, një vend sovran. Shqipëria është krah NATO-s dhe BE-së në mbështetje të Ukrainës”, shkroi ajo.

Minsitrja e Jashtme, Olta Chaçka, tha se “sulmi rrezikon jetën e miliona njerëzve të pafajshëm, minon themelet e rendit ndërkombëtar dhe shkel Kartën e OKB-së”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dënoi sulmin duke bërë thirrje për një qëndrim të shpejt, të paekuivok, të vendosur kundër këtij agresioni nga OKB-ja NATO-ja dhe nga Bashkimi Evropian. “Ajo para së cilës ndodhemi, ndonëse në një gjeografi tjetër dhe jo me paralele të ngjashme, nuk ndryshon në dramën njerëzore që po përjeton populli i Ukrainës nga ajo që ne përjetuam në vitet 98-99, agresionin e makinerisë ushtarake genocidale të Millosheviçit kundër shqiptarëve në Kosovë, futjen e ushtrisë dhe formacioneve paraushtarake, masakrat mbi civilët, pushtimin me forcë, zhvendosjen, spastrimin etnik dhe gjenocidin”.

Masat e qeverisë shqiptare ndaj Rusisë

Në një kohë që agresioni rus po rritej Shqipëria vendosi të dielën ndalimin e fluturimit në hapësirat e tyre ajrore për avionët e kompanive ruse. Tirana iu bashku në këtë mënyrë rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të Bllokut, të cilat e morën po të dielën këtë vendim.

“Hapësira ajrore e Shqipërisë do të jetë e mbyllur prej mbrëmjes së sotme për të gjithë operatorët ajrorë rusë apo çdo avion të regjistruar në Rusi, me përjashtim të fluturimeve emergjente, humanitare, mjekësore apo nevoja ndërshtetërore”, tha Ministrja e Jashtme e Shqipërisë Olta Xhaçka.

Tirana zyrtare vendosi ndalimin e udhëtimit në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE, si dhe po shqyrton anulimin e politikave lehtësuese për lëvizjen e diplomatëve, zyrtarëve të tjerë rusë dhe njerëzit e biznesit, bëri të ditur zonja Xhaçka.

Shqipëria njoftoi edhe për masa të tjera shtrënguese kundër Rusisë. Ministrja Xhaçka, deklaroi të dielën në mbrëmje se Shqipëria do të zbatojë kufizime për 654 individë dhe 52 subjekte për ngrirjen e aseteve të individëve nga Presidentit rus, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Federatës Ruse, dhe anëtarët e Dumës Shtetërore Ruse, pas vendimeve që ata morën lidhur me njohjen e menjëhershme nga ana e Rusisë të dy zonave të kontrolluara joqeveritare të Donjeckut dhe Luhanskut si entitete të pavarura. Xhaçka tha se Shqipëria gjithashtu nuk do të marrë më pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Ruse deri në dhënien fund të pushtimit të Ukrainës.

Shqipëria dhe Rusia janë në të njëjtin grup për ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe kishin të planifikuar një ndeshje mes tyre në Moskë më 2 qershor. UEFA kishte njoftuar më herët se ndeshjet me Rusinë do të luheshin në fusha asnjanëse.

“Shqipëria do të ndalojë shitjen, furnizimin, transferimin ose eksportin në Rusi të mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës, në industrinë e aviacionit dhe hapësirës, do të vendosë kufizime për eksportet e mallrave dhe teknologjisë me përdorim të dyfishtë, në eksportet e mallrave dhe teknologjisë, të cilat mund të kontribuojnë në përmirësimin teknologjik të Rusisë në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë” – theksoi ministrja e punëve të jashtme të Shqipërisë.

Zonja Xhaçka shtoi se Shqipëria po ofron Ukrainës ndihmën e vet me materiale ushtarake dhe spitalore.

Shqipëria do të vazhdojë të bashkohet me çdo nismë e masë të aleatëve e partnerëve tanë. Ky është një detyrim, që çdo vend demokratik ka sot ndaj Ukrainës dhe ndaj shoqërive e popujve tanë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë” – shtoi ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Tirana: BE të përshpejtojë integrimin e Ballkanit

Ministrja Xhaçka kërkoi të martën një vëmendje më të madhe të Bashkimit europian ndaj Ballkanit perëndimor, dhe përshpejtim të procesit të integrmit europian të këtij rajoni, nën dritën e agresionit rus në Ukrainë. Në një takim të zhvilluar me përfaqësuesë të trupit diplomatik në Tiranë, zonja Xhaçka ta se “si një rajon që është parë prej kohësh nga Rusia si një një zonë e pambrojtur nga BE ndaj sulmeve, si një rajon që ka përjetuar ndërhyrjen ruse dhe përpjekjet për të fermentuar tensionet dhe konfliktet, ne ndjehemi të shqetësuar për cfarë po ndodh”.

Ministrja e jashtme kujtoi se “për një kohë të gjatë ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë, veçanërisht në BE, të jenë më strategjikë në marrëdhëniet e tyre me Ballkanin Perëndimor. Ngjarjet në Ukrainë janë dëshmi se shqetësimet tona ishin të justifikuara. Kjo e bën shumë të qartë se kostoja e izolimit është shumë më e lartë se kostoja e integrimit”.

Zonja Xhaçka u shpreh se shpreson se “pas pasojave të cenimit të Ukrainës diçka do të ndryshojë në dinamikën e marrëdhënieve mes nesh. Se do të ketë më shumë fokus dhe më shumë urgjencë për të ecur përpara me procesin e integrimit dhe mbi të gjitha për të ecur përpara dhe për t’u përballur me çdo përpjekje ruse për të fermentuar telashet”.

Protesta

Pavarësisht masave të marra nga politika, sulmi rus është dënuar dhe nga qytetarët. Jo vetëm në Londër, Amsterdam, Francë e Gjermani, Rusi, protesta kundër sulmit të urdhëruar nga Vladimir Putin janë zhvilluar edhe në Tiranë. Qytetarët kanë protestuar për ditë me radhë përpara ambasadës ruse për t’i thënë ndal luftës. Me pankarta në duar, qytetarët u shprehen: Ne e duam Ukrainën, ndalni sulmet.

Mes protestuesve ishte edhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, i cili deklaroi se sanskionet ndaj Rusisë do vazhdojnë. Ai theksoi se lufta duhet të ndalet ndërsa i bëri thirrje popullit rus që të ngrihet e t’i thonë ndal, udhëheqësit të tyre, Vladimir Putin pasi ka një buton të kuq në dorë.

E pavarësisht kësaj revolte masive, sot jemi në ditën e 7 të luftës në Ukrainë dhe forcat e armatosura ruse kanë intensifikuar sulmet në zonat e banuara. Forcat e armatosura ruse kanë intensifikuar sulmet në zonat e banuara në disa qytete ukrainase. Ministri i jashtëm rus Lavrov paralajmëroi se nëse do të niste një luftë e tretë botërore ajo do të ishte bërthamore. Raundi i dytë i bisedimeve mes Kievit dhe Moskës po zhvillohet sot por nuk dihen a do sjellë fundin e luftës.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.