Lufta, pronari i furrës së bukës: Qytetarët në panik, për 3 ditë kam shitur 50 ton miell
Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës, ka krijuar panik edhe te qytetarët shqiptarë. Shumë prej tyre i druhen një krize të mundshme ekonomike. Kjo gjë është konstatuar në furrat e bukës dhe pikat që shesin miell. Për shkak të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, 2 vende që kanë rol kryesor në furnizimin e vendit tonë me miell, qytetarët janë dyndur të marrin miell duke krijuar fabrika në shtëpitë e tyre.
Vebi Pira, pronari i Furrës së bukës “Pira” në Institut, në një intervistë të dhënë për pozitivi.org ka deklaruar se duke nisur nga e shtuna ka pasur një fluks të lartë të kërkesave deri në 40 -60 thasë miell për familje. Sipas tij kjo ka bërë që kërkesa të jetë e papërballueshme edhe për fabrikat, duke çuar kështu në rritje çmimi.
“Nga e premtja ka pasur shumë kërkesa për miell. Nga e premtja pasdite ka pasur një kërkesë e dyfishtë e familjarëve nga 4 deri në 5 thasë. Të shtunën është dyfishuar kërkesa si nga ana e familjeve por edhe kërkesa e sasisë së miellit. Të shtunën pasdite të dielën të hënë dhe në vazhdim është një fluks i paparë i kërkesave deri në 40 -60 thasë për familje. Kemi arritur në atë pikë sa të e përballojmë . Me sasinë që na vjen nga fabrika ne nuk kemi pasur mundësi të përballojmë fluksin e kërkesave. Në këtë moment që po flasim magazine është bosh. Sa për furrat nuk na kanë lënë pa furnizim për anën e gatimit kemi pasur dhe nuk është problem”, tha ai në një intervistë për gazetaren Beklie Koltraka.
Lufta ka nxitur edhe rritjen abuzive të çmimit të miellit në shumë qytete të vendit. Pira duke iu referuar asaj se çka i kanë thënë qytetarët shton se rritje çmimi ka pasur por jo në ekstrem. Në Tiranë, çmimi për kuintal ka shkuar në 400 lekë më shumë.
“Rritje çmimi ka pasur, jo ekstreme siç thonë disa, brenda normës duke pasur parasysh krizën. 3 lekë-katër lekë për kile, ose 3 mijë lekë të vjetra 4 mijë lekë për kuintal është rritur. Megjithatë kërkesat janë të shumta. Nuk i përballojmë dot, aktualisht jemi bosh”, shtoi ai për pozitivi.org.
Gjatë bashkëbisedimeve me klientët ai thotë se ka vërejtur panik të panevojshëm.
“Nga bashkëbisedimi që kemi me familjarët që njohim në momentin që nuk themi se nuk kemi mill, është krijuar një panik, panik e theksoj, frikë. Vijnë dhe thonë lufta në Ukrainë dua 40 thasë miell. Problemi do jetë këtu e më pas, këto njerëz ku do e çojnë të gjithë këtë miell që marrin. Asnjë nga këto të paktën për sa u kam shërbyer unë nuk janë në gjendje që ta konsumojnë as për një vit apo një vit e gjysmë aq miell sa kanë marrë. 3 veta në shtëpi 40 thasë miell ku do i hanë. Unë nuk po ja jap 40, do marrësh 20, do shkojë ta marrë te tjetri çfarë rëndësie ka”.
Për 3 ditë ai thotë se ka shitur 50 ton miell. “Miellin që kam pasur në gjendje të premten e llogarisja për të paktën 20 ditë punë, por as dy orë nuk ka zgjatur. Normalisht dhe fabrika s’më përballon dot. Nëse unë kam marrë 10 ton miell në javë këto 3 ditë kam marrë 50 ton miell dhe jam përsëri bosh, atëherë s’ka çfarë të më bëjë fabrika. Secili ka të drejtën e vetë sepse unë për të shitur kam dalë por njerëzit janë të tmerruar të stresuar, por nuk besoj se ka vend për panik. Deri në 2 thasë e kuptoj se ka familje që mund të marrin dhe 4. Hajde edhe 6, për tre muaj si konsumon dot një familje. Për më shumë është ekstrem. Edhe fabrika do e rrisë çmimin sepse me punëtorinë që ka nuk i përballon”.
Të njëjtën gjë deklaron edhe Landa, pronare e një tjetër furre buke në këtë zonë. Ajo shprehet e bindur se miell ka por janë kërkesat e larta që e bëjnë të papërballueshme furnizimin nga ana e fabrikave.
“Problemi është se paniku që është krijuar nuk e di nga vjen. Lufta bën të vetën. Është një panik I paparë, uuu miell na është bërë shumë stresuese. Edhe të mos e kesh mendjen aty, mielli çfarë është bë me miellin. Unë besoj se miell ka thjesht kërkesat janë shumë më të larta krahasuar me kapacitetin që mund të prodhojë fabrika”.
Që pas nisjes së luftës ajo thotë se ka parë t’i shkojnë në dyqan klientë jo të zonës. “Ka raste që vijnë klientë që si kam parë asnjëherë në zonë. Të paktën 11 vite punë si kam parë. Kanë ardhur edhe nga Sukthi. Nga magazine në magazinë dhe krijohet një panik sepse thonë nuk gjeta këtu as atje, kam dëgjuar që ka pasur abuzime me çmimet. E kam dëgjuar nga njerëzit nëse është e vërtetë ajo që thonë njerëzit ka pasur abuzime shume. Uroj që njerëzit të qetësohen, s’ka nevojë për panik. Edhe po more 20 thasë miell shkove në shtëpi s’i shpëton dot luftës”.
Nga kjo situatë pasigurie e shkaktuar nga vetë qytetarët që nxitojnë të shtojnë rezervat e miellit për 3-4 muajt e ardhshëm, ka dhe nga ata që përfitojnë. E blejnë miellin më lirë duke menduar se do ketë rritje çmimesh e kështu do ta shesin më shtrenjtë.
“Këto njerëz që kanë marrë kaq shumë miell një përqindje e kanë marrë se do rritet e të përftojnë nga çmimi. 30% e klientëve thonë do rritet çmimi ta marr ta kem te shtëpie. 40 thasë si merr dot dhe si të vijë vapa do detyrohet që ta hedhë. Ne të vërtetë furnizohemi nga Rusia dhe Ukraina në një përqindje të lartë por ka dhe mundësi të tjera. Bëni durim s’është nevoja me u përplas kaq shumë. Miell ka sa të duash”.
Sipas INSTAT Shqipëria siguron nga tregu rus 47% të nevojave vjetore për grurë dhe nga Ukraina 3.3%.
/Nga Beklie Koltraka
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
