Letra e Zelensky-t për familjen e gazetarit të vrarë amerikan
16/03/2022 Shpërndaje

Letra e Zelensky-t për familjen e gazetarit të vrarë amerikan

UKRAINË-Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i shkroi një letër ngushëlluese familjes së Brent Renaud, gazetarit amerikan të vrarë nga forcat e armatosura ruse në Irpin, pak kilometra larg Kievit, ndërsa dokumentonte ikjen e ukrainasve nga kryeqyteti. Vetë kreu i shtetit ukrainas publikoi letrën në profilin e tij në Twitter:

“Me pikëllim të thellë ju shkruaj për të shprehur ngushëllimet e mia të sinqerta për humbjen e djalit dhe vëllait tuaj të dashur. Një gazetar i talentuar dhe i guximshëm, Brent humbi jetën teksa dokumentonte tragjedinë njerëzore, shkatërrimin dhe vuajtjen e miliona ukrainasve. Me gjithë guximin dhe vendosmërinë e tij, ai udhëtoi në zonat më të rrezikshme të luftës për të filmuar pamëshirësinë dhe të keqen që i është shkaktuar kombit tonë nga shteti agresor. Jeta dhe sakrifica e tij le të frymëzojnë botën për t’iu kundërvënë forcave të errësirës “.

Brent Renaud kishte mbushur 51 vjeç në shkurt: me një karrierë si video-reporter për gazetat si New York Times , Boston Globe, Nbc, Discovery Channel, Pbs dhe Vice News. Ai u qëllua për vdekje në Irpin, pranë një postblloku: ai u qëllua në qafë dhe vdiq menjëherë, ndërsa kolegu i tij, Juan Redondo, u transferua në spital.

Me veprën e tij , Renaud ka treguar tragjeditë e luftërave në Afganistan dhe Irak, tërmetin shkatërrues në Haiti në vitin 2010, dhunën e karteleve të drogës në Meksikë dhe shumë të tjera. Së bashku me vëllain e tij Craig, ai kishte themeluar një kompani të vogël produksioni, Ranaud Brothers, me të cilën kanë fituar disa çmime ndërkombëtare: si çmimi George Foster Peabody Award, për përsosmëri në sektorin e transmetimit të radios dhe televizionit.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.