OPINION / Laura Xhaxho: Transparenca mund të jetë e pakëndshme në afat shkurtër, por është zgjidhja më e mirë kur “luani” afatgjatë.
13/10/2022 Shpërndaje

OPINION / Laura Xhaxho: Transparenca mund të jetë e pakëndshme në afat shkurtër, por është zgjidhja më e mirë kur “luani” afatgjatë.

Në mars të vitit 2020, pas mbylljes së COVID-19 shumë biznese u përballën me efekte të menjëhershme. Shumë klientë, të nervozuar nga e panjohura, kërkuan të ndalonin apo anulonin blerjet, të tjerë thanë se do të vononin pagesat e detyrimeve të pagueshme. 

Askush nuk kishte asnjë ide se çfarë do të ndodhte më pas, a duhej pranuar një e ardhme e pasigurt? A duheshin marrë masa? Çfarë duhet t’i komunikohet stafit? Për më tepër, shumë punonjës nuk kishin përjetuar asnjëherë një rënie ekonomike të ngjashme. 

Në atë kohë, çdo ekip drejtues është gjendur përballë një sfide të madhe duke përpunuar realitetin e situatës së tij. 

Edhe pse aktualisht situata jonë është e ndryshme nga ajo e ditëve të para të pandemisë, sot në mbarë botën ka përsëri pasiguri, me shumë njerëz dhe organizata që ndjejnë efektet e disa krizave. Midis inflacionit, rritjes së normave të interesit, gjeopolitikës dhe luftës, konsensusi i ekonomistëve është se ka të ngjarë të shkojmë drejt një recesioni global në vitin 2023, nëse nuk jemi tashmë në një recesion. Ky do të ishte recesioni i parë real i qëndrueshëm që nga kriza financiare e vitit 2008.

Gjatë kësaj kohe sfiduese, mënyra se si drejtuesit e biznesit do të komunikojnë me ekipet e tyre do të ndikojë shumë në performancën e kompanive të tyre në afatgjatë.

Disa drejtues do të punojnë për t’u mbledhur dhe për t’i mbajtur ekipet e tyre të angazhuara. Në të njëjtën kohë, ata drejtues që nuk janë të gatshëm të përballen me realitetin, me shpresën për të ruajtur moralin, mund t’i lënë njerëzit e tyre “të verbër” nëse godet “fatkeqësia”, ose mund të kapen të papërgatitur nëse planet e tyre optimiste rezultojnë se janë thellësisht joreale.

Por mund të ofrojmë një terren ideal të mesëm: drejtuesit duhet të pranojnë “realitetin e hidhur” të ambjentit makroekonomik – për shembull, normat më të larta të huamarrjes, kostot e rritura, reduktimi i kërkesës, ndërsa në të njëjtën kohë ndajnë me ekipin një vizion të qartë të një plani veprues për fleksibilitet dhe rekuperim. Ekipet duhet të kuptojnë realitetin e situatave të tyre, ndërkohë që ende besojnë se mund ta ndihmojnë kompaninë të mbijetojë në planin afatgjatë.

Në fund të fundit, një recesion nuk është një dënim me vdekje – disa nga kompanitë më të njohura në botë si FedEx, Microsoft, Disney, GM, Apple, Uber dhe Instagram u krijuan gjatë periudhës së recesioneve. 

Shpesh dëgjoj drejtues që shqetësohen se si veprime ose mesazhe të caktuara mund të shkaktojnë stres ose ankth për ekipet e tyre. Megjithatë, nuk është detyra e një lideri t’i mbrojë njerëzit nga emocionet negative, dhe përpjekja për ta bërë këtë shpesh i bën gjërat edhe më keq. Njerëz të ndryshëm gjithmonë do të reagojnë në mënyra të ndryshme ndaj të njëjtit informacion; ajo që është më e rëndësishme është prezantimi i informacionit me fakte, në një mënyrë të qetë dhe të sigurt, duke siguruar që njerëzit ta kuptojnë situatën në mënyrë të qartë.

Përpjekja për të shmangur shkaktimin e stresit duke mbajtur informacione të fshehta ose të veshura me “sheqer” nuk e zgjidh problemin. Ndonjëherë, përpjekja për ta bërë këtë, krijon një ndjenjë të rreme sigurie që mund t’i bëjë drejtuesit të humbasin besueshmërinë kur besimi dhe optimizmi i tyre bien në kundërshtim me realitetin.

Transparenca mund të jetë e pakëndshme në afat shkurtër, por është gjithmonë zgjidhja më e mirë kur luani lojën për në afatgjatë.

“Një e vërtetë e hidhur është e dhimbshme të pranohet, por në fund ajo ka shërim. Shpresa e rreme, është një gjë shumë e rrezikshme e cila në fund nuk të jep asnjë shpërblim”.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.