Kur të ardhmen e sheh në Kukës!
14/02/2025 Shpërndaje

Kur të ardhmen e sheh në Kukës!

Fatjola dhe Rubin Kurxhaliu, binjakët 21-vjeçarë nga Kukësi, janë shembulli i të rinjve që besojnë në potencialin e qytetit të tyre. Studentë të informatikës ekonomike në Tiranë, ata janë të përkushtuar për të ardhmen e tyre dhe të biznesit familjar në Kukës.

Një lidhje e hershme me biznesin

Fatjola dhe Rubini janë rritur mes dinamikave të biznesit familjar. Prej moshës 12-vjeçare, ata kanë marrë pjesë aktivisht në menaxhimin e tij. Rubin si kamarier dhe Fatjola si recepsioniste, ata mësuan qysh herë rëndësinë e punës së palodhur dhe përkushtimit.

“Ne vijmë çdo fundjavë në Kukës për të ndihmuar prindërit, sidomos pasi nuk kemi punëtorë të mjaftueshëm. Merremi me reklamimin online, menaxhimin e turistëve dhe organizimin e ofertave për grupet dhe guidat,” thotë Fatjola.

Një zgjedhje e vetëdijshme: Të jetojnë dhe të punojnë në Kukës

Ndonëse shumë bashkëmoshatarë të tyre e shohin emigracionin si rrugën e vetme drejt suksesit, Fatjola dhe Rubini nuk e kanë konsideruar asnjëherë si alternativë.

“Shumë të rinj mendojnë se po të shkojnë në Angli do bëhen të pasur menjëherë. Por realiteti është ndryshe: askush nuk pasurohet pa punuar fort dhe sakrifikuar. Ne kemi vizituar vende të ndryshme në Europë dhe SHBA, por gjithmonë kemi dashur të kthehemi në Kukës për të investuar atje ku kemi rrënjët tona,” shpjegon Rubini.

Besimi në të ardhmen e Kukësit

Për binjakët, Kukësi ka potencial të madh për zhvillim, sidomos në sektorin e turizmit.

“Ne shohim që vit pas viti qyteti po zhvillohet gjithnjë e më shumë. Prandaj kemi për qëllim ta zgjerojmë biznesin jo vetëm si hotel, bar dhe restorant, por duke ofruar guida turistike dhe ture malore. Shumë vizitorë nuk e dinë që Kukësi ka vende të mrekullueshme si Shtegu i Ngjyrave, Shishtaveci dhe Kroi i Kuq,” thotë Fatjola.

Sfida me të rinjtë që nuk duan të punojnë

Përkundër potencialit të qytetit, binjakët e kanë të vështirë të gjejnë punëtorë të rinj.

“Shumë prej tyre nuk pranojnë të punojnë sepse mbështeten nga familjarë që janë në emigracion. Disa na kanë thënë hapur: ‘Kam një familjar në Angli, nuk kam nevojë të punoj’,” tregon Rubini.

Ata theksojnë se nëse të rinjtë nuk investojnë dhe nuk punojnë në qytetin e tyre, Kukësi nuk do të zhvillohet.

Një mesazh për të ardhmen

Fatjola dhe Rubini janë të bindur se suksesi nuk është i lidhur me vendndodhjen, por me punën dhe vizionin.

“Mesazhi ynë për të rinjtë është që të mos e shohin emigracionin si zgjidhjen e vetme. Po të punojnë fort, mund të arrijnë gjithçka edhe në Kukës. Ne kemi vendosur të qëndrojmë dhe të investojmë në qytetin tonë sepse besojmë në potencialin e tij,” përfundon Fatjola.

Me vendosmëri dhe dashuri për vendlindjen, Fatjola dhe Rubini po kontribuojmë në rritjen e qytetit të tyre, duke u bërë shembull për shumë të rinj të tjerë. Ata tregojnë që suksesi mund të arrihet kudo, mjafton të kesh përkushtim dhe vizion.

© 2025, Pozitivi. All rights reserved.