Adelina, mësuesja e librave në Krujë
23/04/2022 Shpërndaje

Adelina, mësuesja e librave në Krujë

“Më pëlqen të kujtoj një thënie të Leo Buskalias që thotë: Çdo herë që mësoni diçka të re bëheni dhe ju vetë diçka e re. Pra nëna e tij i thoshte Leos një shprehje të tillë. Këtë shprehje nuk kam si të mos e lidh me ambientin në të cilin punoj, me bilbiotekën e shkollës. Do më pëlqente që çdo herë  që nxënësit të marrin nga një libër, çdo herë që të lexojnë një libër, të komunikojnë të ndërveprojnë të shprehin medimet tyre dhe të bëhen diçka e re”.

Pasionin e saj për letërsinë mësuese Adelina Toska po e transmeton çdo ditë te nxënësit. Përmes këtyre fjalëve ajo i nxit ata që t’i duan më shumë librat dhe të mësojnë prej tyre.

Me rikonstruktimin e gjimnazit “Skënderbeu” në Krujë biblioteka u transformua. Nga një dhomë me mure të shembura tashmë është kthyer në një sallë të madhe e mbushur me libra.

“Ky ambient është i plotësuar në të gjitha kushtet është krijuar një klimë pozitive fantastike. Realisht përpos kushteve është edhe dëshira e madhe, një dëshirë e shtuar e nxënësve për të lexuar”.

Para rikonstruktimit të shkollës, mësuese Adelina tregon për Pozitivi.org se nuk kishin ku të lexonin një libër. Ndërsa tani nga e hëna në të premte dera e bibliotekës është e hapur. Në total 525 nxënësit e kësaj shkolle (355 me kohë të plotë) tanimë shihen me libra në duar, pasi ambientet e reja kanë nxitur edhe më shumë leximin.

“Po të kujtojmë kushtet në të cilat ishte shkolla më parë, kishim tituj librash po nuk kishim ambiente ku nxënësit të lexonin, të ndërvepronin, të shprehnin mendimet e tyre të diskutonin për librat. Nga këto libra nga kjo botë që ata përfshijnë brenda tyre nuk ka kënqaëi më të madhe teksa i shoh të vijnë me libra në duar”.

Përpjekja e radhës është pasurimi i bibliotekës me sa më shumë libra.

“Përdorej më parë por nuk ishte ambient i përshtatshëm për të nxitur leximin, për t’u ulur dhe për të diskutuar. Kjo ishte mangësia më e madhe e kësaj periudhe. Librat ishin  futur në disa dollapë. Nuk ishin kushtet. Pas tërmetit të nëntorit bilbioteka u dëmtua ishte një kalvar i gjatë për të ruajtur librat për t’i ulur poshtë për të sistemuar të gjithë librat që kishim. Nxënësit në këtë periudhë s’kishin mundësinë e leximit të librave pasi ne u zhvendosëm në një shkollë tjetër që na mikpriti derisa u rikonstruktua.

Siç e shikoni është një situatë komplet ndryshe është gjithçka në kushte optimale. Dita e hënë është e dedikuar bilbliotekës nxënësit vijnë marrin libra diskutojmë, bëjmë orë bisedash letrare, praktikisht tekste tituj librash. Kemi organizuar aktivitete dhe fonde për të pasuruar bibliotekën”.

Investimi në këtë shkollë i ka shërbyer edhe komunitetit, konkretisht për fshatrat Brreti, Barkanshi, Nuaj, Shkretë, Mafsheq, Picrragë, Qafshtamë.

“Duke qenë se shkolla jonë është shkollë qendër komunitare ne zhvillojmë aktivitete të ndryshme. Një pjesë e aktiviteteve zhvillohen në bilbiotekën e shkollën dhe në sallën e veprimtarive. Përfshihen edhe prindër. Praktikisht janë ambiente që shërbejnë për një qëllim të caktuar, që është formimi i këtij brezi të ri të kulturuar të hapur dhe të aftë për jetën. Prindërit vijnë dhe ndjekin aktivitete të ndryshme të organizuara nga fëmijët kontribuojnë japin ide, ndërveprojmë me prindërit dhe me të gjithë komunitetin. Bilbioteka është e hapur dhe pas mësimit”.

Një pjesë e godinës së gjimnazit Skënderbeu është rikonstrukturuar. Punimet kanë zgjatur 12 muaj, ndërsa në janar të këtij viti janë rikthyer në shkollë. Ambientet që i janë shtuar shkollës së re janë: një sallë multifunksionale, 1 sallë mësuesish, sallë psikologjie, ambient infermierie. Shkolla sot ka 9 klasa, 1 palestër dhe një sallë aerobie; kanë laborator kimie, fizike, biologjie dhe bibliotekë.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.