Si ta dimë zyrtarisht nëse po helmohemi nga ajri? Shteti nuk bën matje, ekspertët gjejnë zgjidhjen
Trafiku i rënduar, ndërtimet pa kriter dhe mungesa e hapësirave të gjelbra e bëjnë Tiranën një nga qytetet më të ndotura në vend. Prej majit të 20240-ës, stacionet e monitorimit janë jashtë funksioni dhe të dhënat mungojnë pasi Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk ka para për mirëmbajtjen e tyre. Zgjidhja e vetme? Monitorimet alternative nga një rrjet ekspertësh.
Esmeralda Topi
Prej shtatë vitesh stacionet shtetërore të matjes së ajrit në Tiranë fiken e ndizen herë pas here. E në një situatë kur ndotja shtohet, sëmundshmëria madje edhe vdekshmëria e lidhur me këtë fenomen gjithashtu rritet, kush jeton në kryeqytet nuk ka mundësi të mësojë zyrtarisht nëse po thith çdo ditë ajër që i vret apo brenda normave. Në këto rrethana një rrjet ekspertësh ka ndërhyrë vetë për ti gjetur një zgjidhje matjeve në terren. Nisma ‘Mushkëri të Gjelbra’ (Green lungs), e nisur nga Co-PLAN, është aktualisht burimi i të dhënave mbi cilësinë e ajrit në Tiranë. Në fakt Green Lungs është një nga nismat e shoqërisë civile, e cila qëndron si burimi i vetëm i informacionit në lidhje jo vetëm me monitorimin alternativ të cilësisë së ajrit por edhe niveleve të zhurmës dhe shërbimeve të ekosistemit, me fokus në gjelbërimin urban.
“Vitin e parë të projektit ne kryem matje vetëm në Tiranë. Por tani jemi të shtrirë edhe në qytete të tjera si Shkodra, Durrësi, Fieri, Vlora, Korça dhe Elbasani,” thotë për Pozitivi.org Imeld Sokoli, menaxher projekti në Co-PLAN.
Të dhënat sipas Green LungsSot, kjo përvojë është bërë pjesë e programit më të gjerë GreenAL, i financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida). Brenda këtij programi, nisma Green Lungs vazhdon të jetë shtylla kryesore për monitorimin alternativ të cilësisë së ajrit, duke ofruar të dhëna të pavarura për situatën mjedisore në Tiranë dhe qytete të tjera.
E sipas këtyre të dhënave Tirana është një qytet që frymon helm. Në kryqëzimet më të mëdha si “21 Dhjetori”, “Pazari i Ri”, apo “Zogu i Zi” ndotja e ajrit tejkalon normat e Bashkimit Europian, shpesh dyfish.
“85% e pikave që monitorojmë në Tiranë janë mbi standardet europiane. Burimet kryesore janë të dukshme, trafiku dhe ndërtimet pa kriter, të shoqëruara nga zhdukja e hapësirave të gjelbra,” shpjegon Sokoli.
Raporti i fundit i GreenAL, i realizuar nga Co-PLAN, mbi cilësinë e ajrit dhe ndotjen akustike në Tiranë, përmes monitorimeve alternative në 13 stacione, tregon se ndotja në kryeqytet tejkalon në mënyrë të vazhdueshme normat e lejuara. Rezultatet e matjeve për grimcat e imëta, gazrat ndotës dhe nivelet e zhurmës dëshmojnë për një situatë shqetësuese, ku trafiku i dendur dhe aktivitetet urbane janë burimet kryesore. Të dhënat e plota të monitorimit pasqyrohen në tabelën më poshtë (Raporti “Cilësia e Ajrit dhe Ndotja Akustike”, GreenAL/Co-PLAN, 2025).
Green Lungs është një nismë e shoqërisë civile që prej vitit 2017 mat ajrin që thithim çdo ditë në qytetet kryesore të Shqipërisë. Pajisjet e tyre të vogla, por të sakta, vendosen në pika të ndryshme urbane për të matur grimcat PM2.5 dhe PM10, gazrat e dëmshëm si NO₂ e CO₂, e deri tek ozoni. Të gjitha këto të dhëna mblidhen e krahasohen sipas standardeve ndërkombëtare, duke krijuar një pasqyrë reale të ndotjes në qytet – një pasqyrë që shpesh mungon nga institucionet shtetërore.
Nisma nisi falë mbështetjes së Delegacionit të BE-së dhe sot financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), që mbulon kostot e pajisjeve dhe analizës. Green Lungs nuk është një projekt i qeverisë, por i shoqërisë civile, megjithatë të dhënat e tyre ndahen rregullisht me institucionet për të shtyrë përpara politika më të mira mjedisore.
Prandaj, kur lexojmë shifrat e Green Lungs, dimë që bëhet fjalë për matje të pavarura, të kryera në terren – një zë i qytetarëve për ajrin që na përket të gjithëve.
Drejtoresha Ekzekutive e Co-PLAN, znj. Anila Bejko, e cila ka mbi dy dekada eksperiencë në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe angazhimit qytetar. Ajo thekson se motivimi i saj kryesor për të udhëhequr nisma si GreenAL lidhet me bindjen se ndryshimi fillon nga komuniteti dhe nga njerëzit e zakonshëm. “Ajo që më shtyn përpara është besimi se zgjidhjet duhet të ndërtohen nga poshtë-lart, duke përfshirë qytetarët, shkollat, të rinjtë, gratë dhe fermerët – ata që shpesh kanë qenë të lënë jashtë vendimmarrjes. Vetëm kështu mund të arrijmë transformim të vërtetë,” – deklaroi Bejko gjatë fjalës së saj hapëse në një ceremonin të organizuar me rastin e dhënies së granteve të GreenAL.
Një aparaturë e fikurAparatura të fikura për mungesë fondesh
Ndërkohë, aparaturat publike të matjes së ajrit në Tiranë janë të fikura prej më shumë se një viti e gjysmë. Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë dhe shtëpia e mbi një të tretës së popullsisë së vendit, është sot një nga qytetet më të ndotura por ironikisht, rreziku që na vjen nga ky kërcënim nuk matet.
Përgjigja zyrtare e Agjencisë Kombëtare të MjedisitAgjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), institucioni që duhet të monitorojë cilësinë e ajrit, e pranon hapur. Arsyeja? Po e njëjta që përsëritet prej më shumë se një dekade, mungesë fondesh për mirëmbajtje dhe kontrata shërbimi të pazgjatura.
Tirana sot numëron gjithsej katër stacione që duhet të masin cilësinë e ajrit, dy prej të cilave janë të lëvizshme të financuara nga Bashkimi Evropian.
Pamje nga stacionet në TiranëE ndërsa qeveria shpenzon miliarda lekë për rrugë, fasada apo koncesione, ajri që qytetarët thithin nuk ka as një buxhet minimal për t’u matur.
Fondet për përmirësimin e cilësisë së ajrit janë pjesë e programit të mbrojtjes së mjedisit. Financimet për Programin e Mbrojtjes së Mjedisit, ndonëse në rritje në vitin 2025 (941.7 mln lekë), mbeten minimale përballë objektivave të gjera që mbulon programi, nga cilësia e ajrit e menaxhimi i mbetjeve, deri te biodiversiteti dhe përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike. Për më tepër, sa herë që buxheti rishikohet, ky zë pëson shkurtime. Edhe akti i fundit normativ uli fondet krahasuar me buxhetin fillestar.
Financimet për Programin e Mbrojtjes së Mjedisit“Monitorimi i mjedisit ka kosto, por Agjencia përgjegjëse merr vetëm 10% nga buxheti që i nevojitet,” thotë për Pozitivi.org Olsi Nika, ekspert për mjedisin që drejton shoqatën Eco Albania në Shqipëri. Ligji “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit” përcakton se Agjencia Kombëtare e Mjedisit është institucioni përgjegjës për vlerësimin e gjendjes së ajrit, për garantimin e saktësisë së matjeve dhe për shqyrtimin e metodave të përdorura në këtë proces. Në të njëjtën kohë, ligji liston gjashtë ndotës kryesorë që duhet të monitorohen, mes të cilëve edhe grimcat PM10 dhe PM2.5, të njohura si ndotësit me ndikimin më të madh në shëndetin e njeriut.
Premtimi i radhës është se stacionet do të rikthehen në punë brenda këtij muaji.
Përgjigja zyrtare e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit“Është një këmbanë e madhe alarmi, sepse monitorimi i mjedisit, sidomos i ajrit, është hapi bazik që shtyn më pas vendimmarrësit drejt masave,” shton Nika. Por ndërsa këmbana ka kohë që bie, institucionet duket se janë shurdhuar.
Kjo nuk është hera e parë që matja e cilësisë së ajrit nuk kryhet. Herë pas here Agjencia e Mjedisit ngec tek e njëjta dramë. Në vitin 2006, Bashkimi Europian dhuroi dy stacione matëse për Elbasanin dhe Tiranën. Pesë vite më pas, u investuan edhe 530 mijë euro të tjera për katër stacione të reja në qytete të tjera, bashkë me pajisje kalibrimi. Por pavarësisht parave të investuara nga taksapaguesit evropianë stacionet në Shqipëri shuhen, sepse askush nuk paguan shërbimin minimal të mirëmbajtjes.
Dhe këtu përgjegjësia i kalon autoriteteve shqiptare.
“Operimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve është detyrë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit”, saktëson Delegacioni i BE-së në Tiranë pas një kërkesë për informim.
Përgjigjia zyrtare e delegacionit të BE-sëTrafiku dhe ndërtimet si burime helmi
Në Tiranë, edhe pa matësit, burimet kryesore të ndotjes janë të qartë, trafiku i rënduar dhe ndërtimet pa kriter. Vetëm pesë vitet e fundit, Bashkia Tiranë ka dhënë mbi 1,400 leje ndërtimi, gati gjysma e të gjitha lejeve në Shqipëri. Çdo pallat i ri do të thotë më shumë pluhur, më shumë makina dhe më pak hapësira të gjelbra që mund të thithin dioksidin e karbonit.
Lejet e ndërtimit në viteTë dhënat e fundit të matura nga Agjencia e Mjedisit tregojnë se Tirana është një ndër qytetet më problematike, ndjekur nga Elbasani.
Të dhënat sipas AKMMegjithatë, nëse krahasojmë të dhënat e raportuara nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit me matjet e GreenAL, vlerat bëjnë kontrast që ngre pikëpyetje mbi vërtetësinë e raportimeve shtetërore.
Për shembull, ndërsa stacionet shtetërore në Tiranë tregojnë PM₂.₅ rreth 14–15 µg/m³, monitorimi i GreenAL arrin deri në 22 µg/m³ në rrugën e Kavajës dhe 20 µg/m³ në Pazarin e Ri. Një diferencë shumë më e dukshme shfaqet edhe tek dioksidi i azotit (NO₂): sipas të dhënave zyrtare, përqendrimet variojnë nga 25 deri në 28 µg/m³, nën kufirin europian prej 40 µg/m³, ndërsa matjet e GreenAL tregojnë nivele alarmante që arrijnë deri në 106 µg/m³ në zonën e “21 Dhjetorit”.
E teksa, Agjencia Kombëtare e Mjedisit duket se ka një tjetër realitet, monitorimet e ‘Mushkërive të Gjelbra’ tregojnë se kryeqyteti tejkalon vazhdimisht normat e lejuara të Bashkimit Europian për tre ndotës, grimcat PM10 dhe PM 2.5, si dhe dioksidet e azotit NO2.
“Sidomos në nyjet kryesore të trafikut si “Zogu i Zi” apo rruga “21 Dhjetori”, ku vlerat janë dy deri në dy e gjysmë herë mbi standardet”, pohon Imeld Sokoli nga Co Plan.
“85% e pikave që ne monitorojmë në Tiranë janë mbi standardet e lejuara europiane”- shton ai.
Nga matjet e Green Al, treguesit e ndotjes bien ndjeshëm vetëm gjatë ditëve të eksperimentit “Dita pa makina”, kur bashkia ndalon qarkullimin për disa orë. Por edhe pse burimi është i qartë, zgjidhja politike mungon. Transporti publik i Tiranës që është propozuar disa herë si formë zgjidhje për të qarkulluar më pak automjete private në Tiranë, është i mbingarkuar, pa orare fikse, pa numrin e duhur të autobusëve dhe pa mbështetjen e duhur financiare.
Pasoja të matura nga të tjerët
Në mungesë të matjeve vendase, janë institucionet europiane që flasin për pasojat e ndotjes së ajrit. Sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit, ndotja e ajrit ka shkaktuar vdekjen e parakohshme të mbi 5 mijë shqiptarëve vetëm në periudhën 2018–2022. Shifër dramatike kjo, në një vend me popullsi gjithnjë në tkurrje.
Të dhënat e ndotjes sipas Agjencisë Europiane të Mjedisit
Grimcat PM10 dhe PM2.5 hyjnë në rrugët e frymëmarrjes dhe depozitohen në mushkëri, duke shkaktuar sëmundje kronike respiratore dhe kardiovaskulare. NO2, i lëshuar kryesisht nga makinat me naftë, dëmton rëndë sistemin respirator dhe ul rendimentin e kulturave bujqësore. Ky është një helm që dëmton njerëzit dhe tokën njëkohësisht.
“Këta ndotës dëmtojnë shëndetin, dobësojnë trupin dhe kur sëmundjet bëhen kronike, e rrezikojnë jetën”, shpjegon Ahmet Mehemeti, ekspert i mjedisit.
Por pavarësisht këtij rreziku, Instituti i Shëndetit Publik është një tjetër institucion që i mungon betejes për ajër të pastër. Prej më shumë se një dekade, ISHP nuk ka publikuar asnjë studim mbi ndikimin e ndotjes së ajrit në shëndetin e shqiptarëve. Në përgjigje të një kërkese për informacion, institucioni u mjaftua me disa rekomandime të përgjithshme, pa asnjë të dhënë konkrete.
Përgjigjia e Institutit të Shëndetit Publik“Kjo ndotje nuk ndikon vetëm në mjedis por ka pasoja edhe në shëndetin e popullatave duke ndikuar në zhvillimin e një sërë problemesh shëndetësore: repiratore, kardiovaskulare, rritje të niveleve të vdekshmërisë nga këto problem”, pohon ISHP.
Ndërkohë, direktiva 2008/50 e Bashkimit Europian e detyron Shqipërinë të monitorojë dhe të publikojë të dhënat mbi cilësinë e ajrit. Pa këtë, vendi rrezikon jo vetëm shëndetin e qytetarëve, por edhe procesin e integrimit europian.
“Shqipëria është zotuar të rrisë monitorimin dhe të sigurojë qasje publike në kohë reale në cilësinë e ajrit në përputhje me kërkesat e Direktivës së BE-së për Cilësinë e Ajrit në Ambient.”, nënvizon Delegacioni i BE-së.
Përgjigjia e Delegacionit të BE-së në Tiranë
Zgjidhjet që nuk duan të dëgjohen
Ekspertët rekomandojnë masa konkrete. Përmirësimi i transportit urban, menaxhim i ndotjes industriale, krijim i zonave të gjelbra dhe, mbi të gjitha, monitorimi i pandërprerë i ajrit.
“Monitorimi nuk mund të jetë sporadik. Duhet të jetë i vazhdueshëm dhe në të njëjtat pika, për të ndërtuar një historik të saktë,” thotë sërish Nika. Pa të dhëna, çdo politikë është thjesht një letër bosh.
“Krijimi i zonave të gjelbra është një ndër masat kryesore. Mbjellja e bimëve që absorbojnë më mirë CO 2, do të ndihmonte në përmirësimin e cilësisë së ajrit”, argumenton Imeld Sokoli nga Co Plan.
Por në Tiranë hapësirat e gjelbra po zhduken me shpejtësi. Vetëm parku i Liqenit dhe ai i Paskuqanit arrijnë disi të përthithin një pjesë të ndotjes. Por kjo është një pikë uji në oqean, në një qytet që përmbytet nga makinat dhe betoni.
Pamje Tiranë, ndërtime, trafik e ndotjeHapi i parë drejt zgjidhjes është hedhur. Ai është monitorimi alternativ. Për momentin, të dhënat më të besueshme për cilësinë e ajrit dhe nivelet e ndotjes vijnë vetëm nga nisma jo-shtetërore GreenAL / Mushkëri të Gjelbra. Përmes saj, çdo qytetar mund të dijë nëse jeton në një zonë me ndotje të lartë apo të ulët dhe të ndjekë situatën përmes faqes online të projektit, duke bërë që njohja e problemit të shërbejë si bazë për veprim konkret.
Ky artikull u realizua me mbështetjen e Journalismfund Europe.
www.journalismfund.eu
© 2025, Pozitivi. All rights reserved.
Nga:
