Bunkerët, trashëgimia pa ligj, mes braktisjes dhe transformimit
22/09/2025 Shpërndaje

Bunkerët, trashëgimia pa ligj, mes braktisjes dhe transformimit

Dhjetra mijëra bunkerë, me densitetin më të lartë në raport me sipërfaqen dhe popullsinë se çdo vend tjetër, janë ende sot nëpër Shqipëri. Në gjendje optimale apo të shkatërruar, të braktisur apo funksionalë, të ripërdorur për qëllime turizmi e utilitare ose jo, ato janë të shpërndarë në çdo cep të vendit e mbeten mes të shkuarës dhe së ardhmes. Nga njëra anë janë potencial për kujtesë dhe turizëm, nga ana tjetër, relike të braktisura që shpesh pengojnë zhvillimin lokal. Pa një kuadër ligjor që përcakton qartë pronësinë, apo mënyrën si mund të ripërdoren, tani, sa nuk është vonë duhet një vendim. Do të ketë një strategji kombëtare për to (sic propozojnë ekspertët) apo do të mbeten të fragmentuara dhe të varura nga iniciativa individuale, pa një vizion të përbashkët që i jep kuptim kësaj trashëgimie unike.

Nga Beklie Koltraka

Bunkeri në Lin

Nga veriu në jug të Shqipërisë, në male, fusha e brigje, disa prej bunkerëve, simboli i izolimit dhe frikës së sistemit komunist, sot po marrin një jetë të re. Mbi Liqenin e Pogradecit, në fshatin Lin, ndodhet një nga shembujt më të veçantë të transformimit të këtyre strukturave. Një bunker i fshehur mes gjelbërimit, dikur pjesë e sistemit gjigand mbrojtës kundër një armiku imagjinar, sot është kthyer në një kishë. Dikur i paarritshëm për këdo tjetër përveç ushtarëve, tani tërheq vizitorë që ngjiten deri aty për të parë nga afër një pjesë të historisë së errët të vendit. Muret e ftohta prej betoni, që dikur shërbenin për mbrojtje, sot bëhen sfond për fotografi, tregime e strehë për lutje.

Ardian Isufi
MIRRORS SHOULD THINK LONGER BEFORE THEY REFLECT
Solo Show The Gallery of Arts – Albania.

Projekti është realizuar nga Ardian Isufi, profesor në UART, njëkohësisht artist dhe kurator i fokusuar në artin bashkëkohor e çështjet publike e politike. Ai vetë shpjegon se ky bunker simbolizon kalimin nga errësira e izolimit në dritë reflektimi dhe ringritjeje.

“Bunkeri Kishë është një nga projektet e pamundura që u realizua së fundmi me një përkushtim të jashtëzakonshëm për të kuptuar kontrastet e dy ideologjive, të diktaturës si religjion dhe besimit si fe, si vertikalitet shpirtëror”, thotë Isufi. “Në Lin të Pogradecit, përmes këtij bunkeri tipik militar dhe objektit kulti, vizitohet dhe mbahet rit nga njerëzit, duke na bërë të mendojmë për paradokset e Shqipërisë me gjithë mrekullitë e saj.”

Ardian Isufi
METALLURGIC DREAM Solo Show
KURSAAL The Museum Foundation PINO PASCALI Bari Italy

Ky bunker nuk është vetëm një dëshmi e izolimit të komunizmit, por edhe një shenjë e rimëkëmbjes kulturore dhe shoqërore. “Bunkerët nuk mbrojtën vendin nga një armik real, por e izoluan atë nga pjesa tjetër e kontinentit. Ky bunker i kthyer në kishë është si një magji që rigjallëron një objekt të heshtur, duke i dhënë kuptim të ri një historie të dhimbshme”, thotë Isufi.

Bunkeri në Lin

Bunkeri kishë nuk mbeti vetëm në Pogradec. Isufi e ka shndërruar atë edhe në një vepër lëvizëse, një kopje identike që e ka shëtitur nëpër ekspozita brenda dhe jashtë Shqipërisë. “Me instalacion  “U.F.O. – Unidentified False Object”, dua të rikthej zërin e njerëzve që, përmes veprimeve të vogla, rifituan lirinë e tyre, duke i dhënë bunkerëve një kuptim krejt tjetër, një kuptim që vjen nga vetë historia dhe nga fuqia e ëndrrës njerëzore për ndryshim”, tha ai.

Ky instalacion nuk lindi brenda natës, por u finalizua pas shumë vitesh pune. “Këto janë projekte të rëndësishme sepse janë kulturore, politike, antropologjike…Më janë dashur 15 vite punë për ta finalizuar”, tha mes të tjerash për Pozitivi.org.

Projekti u prezantua për herë të parë në Itali, në ekspozitën “Sogno Metallurgico” në Bari në mars të 2024. Publiku italian e pa veprën si një kombinim të rrallë mes dimensionit fetar dhe historisë së dhimbshme që përfaqësonte bunkeri. Ajo u pasqyrua gjerësisht në median italiane.

“Industritë e pashfrytëzuara nga periudha komuniste të shndërruara në parqe argëtimi, oxhaku i një ish-fabrike xhami industriale të ripërdorur në minaren e një xhamie, bunkerët e lashtë ushtarakë bëhen hapësira e shenjtë e kishave të vogla ortodokse. Është Shqipëria që lë pas barrën e së shkuarës dhe diktaturën e Enver Hoxhës. Zëvendësuar nga projekte të reja, ëndrra, shpresa”, shkruajtën mediat italiane.


Ilustrim nga mediat italiane Rai Network

Pas ekspozitës në Itali, instalacioni u prezantua edhe në Tiranë, pranë Piramidës, një tjetër simbol i diktaturës. “Nuk do ta ekspozoja diku tjetër. Më intereson një vend politik si Piramida, për të sjellë një bunker”, thotë Isufi.

Projekti i Isufit dhe të tjera të ngjashme në Shqipëri dhe jashtë, dokumentohen në katalogun e ekspozitës “Sogno Metallurgico”. Ai shënon një hap të rëndësishëm në rikthimin e hapësirave të dhunës dhe frikës në hapësira reflektimi dhe lirie. Siç vetë ai thekson: “Arti ka fuqinë të rrëzojë muret që ndajnë njerëzit, të çlirojë hapësirat dhe të na bëjë të mendojmë për atë çka ishim dhe atë çka mund të bëhemi. Potblloku ishte fillimi, një thirrje për ta kthyer tmerrin në shpresë”.

Në thelb, katalogu e paraqet Isufin si një artist që sfidon të kaluarën, vë në diskutim të tashmen dhe provokon reflektim mbi identitetin dhe kujtesën kolektive shqiptare, përmes një arti që qëndron mes dokumentimit historik, kritikës sociale dhe poetikës vizuale. Kjo edhe për faktin se Ardian Isufi ka qenë një nga artistët e parë në Shqipëri që ndërmori këtë rrugë, duke transformuar bunkerin e parë në një instalacion artistik. Bëhet fjalë për memorialin “Postbllok” i ngritur në qendër të Tiranës, pranë Kryeministrisë. Një bunker i zhvendosur nga hyrja e ish-vilës së Enver Hoxhës në 2013 u kthye në pjesë të një kompleksi përkujtimor, ku sot ekspozohen objekte të diktaturës dhe një fragment i murit të Berlinit.

PRONËSIA/ Ministria e Mbrojtjes

Kujt i takojnë bunkerët? Ky kaos shtrihet në të gjithë vendin. Çështja e pronësisë së bunkerëve ka qenë e paqarte që në zanafillë. Në kohën e komunizmit, institucioni përgjegjës për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e bunkerëve ishte Ministria e Mbrojtjes. Por, siç shpjegon për Pozitivi.org ish-drejtori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, historiani studiues Kastriot Dervishi, ajo “nuk kishte kapacitete njerëzore dhe logjistike për t’i administruar të gjitha”.

Ai thekson se bunkerët shpesh ngatërrohen me vendstrehimet, që në fakt kishin tre kategori, ato për popullatën (bodrume, trashete pallatesh, që sot shfrytëzohen si magazina apo lokale), ato për udhëheqjen e lartë të PPSH-së dhe ushtrisë, dhe ato të tipit ku sot ndodhet Bunk’Art 2, të cilat administroheshin nga Ministria e Mbrojtjes. Ndërsa objektet e udhëheqjes së lartë, sipas Dervishit, mbroheshin nga Drejtoria e Dytë e Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme.

Bunkerët sipas tij nuk kanë qenë të regjistruar kurrë si pasuri. As sot nuk janë. Për vendstrehimet, nga ana tjetër, pas viteve 2000 u bë një përpjekje ligjore për t’i kaluar në inventarët lokalë. Çështja e pronësisë mund të ketë interes për vendstrehimet, por jo për bunkerët. Ato nuk kanë qenë të regjistruara”, thotë Kastriot Dervishi.

Ilustrim nga albumi i Ardian Isufit

Këtë e konfirmon edhe Ministria e Mbrojtjes në përgjigjen zyrtare: “sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 500, datë 14.08.2001 dhe Udhëzimit nr. 3, datë 18.07.2002, të Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike: bunkerët dhe objektet e ngjashme të vendstrehimit janë tani në inventar dhe administrim të pushtetit vendor, pra të Bashkive.”

Përgjigja zyrtare e Ministrisë së Mbrojtjes

Megjithëse në letër, bunkerët sot janë në kompetencën e bashkive, ky transferim juridik, nuk është shoqëruar me një kuadër ligjor modern që përcakton mënyrën si mund të ripërdoren për turizëm, kulturë apo komunitet.

PRONËSIA/ Qasja e Bashkive

Mungesa e një strategjie kombëtare nuk është vetëm teori, situata në terren tregon boshllëqet e qarta. Për të parë se si kjo reflektohet në praktikë, pyetëm pesë bashki të ndryshme për gjendjen e bunkerëve dhe vendstrehimeve në territorin e tyre. Përgjigjet e marra nga Vlora, Kukësi, Tirana, Lezha dhe Saranda tregojnë një panoramë të fragmentuar dhe të paqartë, ku bunkerët ose nuk figurojnë fare në inventarët lokalë, ose janë trajtuar vetëm si objekte mbrojtjeje civile, pa një vizion të qartë për përdorim të ardhshëm. Shifrat që ata dhanë i referohen kryesisht vendstrehimeve.

Vlora: Vetëm vendstrehime, bunkerët jashtë inventarit

Bashkia Vlorë sqaron se nuk ka asnjë inventar të bunkerëve. Në listën e pronave të paluajtshme të transferuara në pronësi ose përdorim të bashkisë, të miratuara me vendimin nr.1643, datë 17.12.2008, figurojnë vetëm vendstrehime të lidhura me mbrojtjen civile, jo bunkerë. Këto vendstrehime janë në përgjegjësi administrative të bashkisë, por për bunkerët si struktura ushtarake, institucioni kompetent mbetet Ministria e Mbrojtjes. “Sipas listës së inventarit Bashkia Vlore nuk ka në inventar të saj bunkerë, por vetëm vendstrehime,  funksioni i tyre është mbrojtja civile, janë në përgjegjësi administrative  tek Bashkia Vlore  dhe  Insitucioni përdorues  Bashkia Vlorë. Për sa kërkoni  mund ti drejtoheni Ministrisë së Mbrojtjes.”, i përgjigjet bashkia Vlorë  kërkesës tonë për informim.

Përgjigjia zyrtare e Bashkisë Vlorë

Tirana: Mungesë totale e regjistrimit

Bashkia e Tiranës konfirmon se në regjistrin kontabël të aseteve nuk ka asnjë pasuri me emrin “bunker”. Po ashtu, nga viti 2015 nuk ka pasur asnjë projekt, investim apo ndërhyrje për administrimin e tyre. Për kryeqytetin, bunkerët nuk ekzistojnë në nivel inventari, çka e bën edhe më të qartë mungesën e çdo përgjegjësie ligjore apo financiare mbi këtë trashëgimi.


Përgjigjia zyrtare e Bashkisë Tiranë

Lezha: Referim te Ministria e Mbrojtjes

Ngjashëm me Tiranën dhe Vlorën, edhe Lezha nuk ka në inventar bunkerë dhe nuk disponon informacion për to. Në çdo rast të organizimit të aktiviteteve kulturore pranë tyre, bashkia sqaron se është dashur të kërkojë leje paraprake nga Ministria e Mbrojtjes, të cilën e konsideron si institucionin e vetëm përgjegjës.

Përgjigjia zyrtare e Bashkisë Lezhë

Saranda: Inventar i pjesshëm dhe potencial turistik

Në Sarandë janë evidentuar gjithsej 94 vendstrehime sipas inventarit të vitit 2014, nga të cilët 54 janë në gjendje të lirë e funksionale, 34 të bllokuara, 2 të privatizuara dhe 4 të prishura. Bashkia sqaron se nuk ka projekte konkrete për transformimin e tyre, por e sheh këtë trashëgimi si një potencial për zhvillim turistik. Një element i veçantë është tuneli i madh nëntokësor (1080 metra i gjatë) nën Kodrën e 40 Shenjtorëve, i ndërtuar mes viteve 1974–1981, që konsiderohet si një aset unik për ta përfshirë në paketat turistike të ardhshme të qytetit.

Përgjigjia zyrtare e Bashkisë Sarandë

Kukësi: Trashëgimi e regjistruar dhe plane për turizëm

Ndryshe nga Vlora, Kukësi ka një inventar të detajuar që përfshin 18 vendstrehime dhe tunele të transferuara me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2010. Shumica e tyre kanë nevojë për rehabilitim, por bashkia i sheh si potencial për turizëm. “Ju informojmë se pjesa më e madhe e këtyre vendstrehimeve kanë nevojë për ndërhyrje rehabilituese. Nuk kemi inventare të bunkerëve në Njësitë Administrative pasi edhe inventari i pronave të transferuara ish-Komunave nuk figuron i plotë”, na sqaron bashkia.

Sidomos “Qyteti nëntokësor i Kukësit” konsiderohet një aset unik që mund të shndërrohet në atraksion turistik dhe muzeal. Në vitet e fundit janë zhvilluar edhe studime fizibiliteti me ekspertë nga Mbretëria e Bashkuar, për të vlerësuar sigurinë dhe kostot e rikonstruksionit. Kukësi shfaqet si shembull i rrallë i pushtetit vendor që kërkon ta kapitalizojë trashëgiminë ushtarake.

Përgjigjia zyrtare e Bashkisë Kukës

Panorama e dhënë nga pesë bashkitë tregon boshllëqet institucionale në nivel vendor: Tre bashki (Tiranë, Vlorë, Lezhë) nuk i kanë fare në inventar bunkerët dhe i referohen Ministrisë së Mbrojtjes; Saranda ka një inventar të pjesshëm dhe evidenton interes turistik, por deri më tani pa projekte konkrete. Edhe në rastet më të mira kur bashkitë kanë inventor, bunkerët nuk ekzistojnë në dokumentacion, maksimumi janë dokumentuar vendstrehimet.

Ndalemi më gjerësisht te Kukësi. Kjo bashki ka një vizion të qartë për ripërdorim turistik të bunkerëve e vendsrehimeve, por i mungon mbështetja ligjore dhe financiare për ta realizuar. Qyteti i nëndheshëm i Kukësit, një nga dëshmitë më të pazakonta të periudhës komuniste në Shqipëri është lënë në harresë. Këtë nxjerr në pah investigimi i gazetares Fatjona Mejdini në 2020. Struktura është jashtëzakonisht e amortizuar, madje e rrezikshme për t’u vizituar. “Shqipëria ka mijëra bunkerë por asnjëra nuk krahasohet me atë se çfarë sistemi komunist kishte ngritur në Kukës. Është një qytet i nëndheshëm i harruar dhe që me gjasa kushedi se sa kohë do të dojë që të vendoset në funksionim.  Kemi shkuar, e kemi parë bunkerin ose qytetin e nëndheshëm, është e rrezikshme të futesh për shkak se është komplet i amortizuar”, thotë ajo. Premtimet për ta kthyer në atraksion turistik kanë mbetur vetëm në letër, për shkak të kostove dhe kompleksitetit të madh.

Por në përgjigjen e saj bashkia thotë ende sot për Pozitivi.org se Shqipëria nuk e ka humbur mundësinë për të transformuar këtë simbol të frikës dhe izolimit në një vlerë kulturore dhe ekonomike. “Nisur nga interesimi i vazhdueshëm prej vitesh i turistëve vendas dhe të huaj për të vizituar tunelet dhe vendstrehimet, Bashkia Kukës ka planifikuar ti kthejë ato në atraksione turistike, për ti jetësuar duke ju dhënë edhe funksione muzeale. Vazhdimisht Bashkia Kukës ka aplikuar në thirrje me qëllim rivitalizimin e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e turizmit duke e menduar si një mundësi vënien në shfrytëzim për qëllime kulturore dhe turistike edhe “Qytetin nëntokësor të Kukësit”. Vitet e fundit, kërkesës së Bashkisë Kukës i është përgjigjur edhe Mbretëria e Bashkuar nëpërmjet projektit “Prespektiva të Reja”.

Ekspert nga Mbretëria e Bashkuar kanë punuar disa ditë në bashkëpunim me specialistët e bashkisë me fokus studimin e fizibilitetit duke u shprehur se mund të bëjmë një projekt që hedh dritë mbi situatën aktuale dhe sigurinë e tuneleve si dhe përcaktimin e kostove të rehabilitimit të tyre. Duke qenë se “Qyteti nëntokësor i Kukësit” është i veçantë në llojin e vet, ne e konsiderojmë si një potencial që mund të shërbejë në zhvillimin lokal duke ofruar dhe një numër të shtuar turistësh. Mendojmë që një paketë e plotë ligjore specifike për menaxhimin dhe transformimin e tuneleve dhe vendstrehimeve, si dhe mbështetja me fondet e nevojshme për ndërhyrje rehabilituese do i sherbente më së miri pushtetit vendor”, thotë bashkia në përgjigjen zyrtare.

Nga ana tjetër ArbenTrota, banor në Kukës, kujton me nostalgji për Pozitivi.org se si bunkerët përdoreshin dikur për lojëra, strehim nga shiu apo për të mbajtur bagëtitë, ndërsa sot shumica janë shkatërruar ose janë mbuluar me dhe gjatë zgjerimit të infrastrukturës.

Arben Trota, banor i Kukësit

Po ka pasur shumë bunkerë, veçanërisht afër fshatit tim Shtiqën, 4 km nga Kukësi, pasi aty ishte edhe një repart ushtarak. Por shumë u shkatërruan rreth viteve 2010–2011 dhe u mbuluan me dhe gjatë zgjerimit të aeroportit të Kukësit. Kam qenë gjithmonë kundër prishjes së tyre. Pse jo, duhet të ruheshin dhe të shfrytëzoheshin për turizëm, pasi ishin një pjesë e historisë së Shqipërisë.”

Kështu, Kukësi shfaqet si një rast tipik i kontradiktës shqiptare: nga njëra anë vizionet e pushtetit vendor për ta kapitalizuar trashëgiminë ushtarake, dhe nga ana tjetër, një realitet ku strukturat mbeten të degraduara.

Panorama kombëtare e bunkerëve është po aq shqetësuese: Shqipëria nuk ka strategji të miratuar dhe asnjë kuadër ligjor specifik për të përcaktuar se si duhen trajtuar, rehabilituar apo ripërdorur bunkerët. Nëse sot pyet kush është pronari i një bunkeri, përgjigjja më e zakonshme është: Askush.

Shumica e tyre janë jashtë çdo regjistri pronësie, duke mbetur në një status gri, të braktisur nga shteti dhe të shpërfillur nga bashkitë.

HISTORIA/ Sa u ndërtuan dhe sa kanë mbetur sot

Por si erdhëm deri këtu? Çfarë pasojash ka sjellë mungesa e një kuadri ligjor për ruajtjen dhe përdorimin e bunkerëve?

Historianët sjellin një tablo të plotë duke e nisur nga vendimi për bunkerizimin që u mor në vitin 1971 nga Pleniumi i Komitetit Qendror, si pjesë e “tezave të mbrojtjes”. Ishte projekti më i madh i militarizimit në Europë në kohë paqeje, i nisur nga regjimi i ish diktatorit Enver Hoxha, që i shihte armiqtë kudo, në Lindje e në Perëndim. Bunkerët u konceptuan si strehë ushtarake për një popull të armatosur, ku çdo qytetar do të ishte ushtar.

Por sa u ndërtuan? Kjo pyetje, gjysmë shekulli më vonë, ende nuk ka një përgjigje të saktë.

Ish koloneli Elmas Leci, profesor, doktor, studiues e historian përmend shifrën prej 173.213 bunkerësh, të dokumentuar në arkiva. Ish-drejtori i Arkivit në Ministrinë e Brendshme, historiani Kastriot Dervishi konfirmon se mund të kenë qenë deri në 175 mijë, por kurrsesi shifra prej 700 mijë, që shpesh është përmendur në opinion publik. Ndërsa arkitekti dhe eksperti i trashëgimisë kulturore Artan Shkreli nënvizon mungesën e një inventari zyrtar: “numrat llogariten në mbi 150 mijë, por pa një dokumentim të plotë dhe të besueshëm”.

Por kjo trashëgimi e frikës nuk erdhi pa kosto. Të ndërtuar me çimento e hekur special, secili bunker kushtonte sa një apartament, ndërsa kosto totale llogaritet rreth 1 miliard dollarë të asaj kohe. Kjo ndikoi drejtpërdrejt në jetën e përditshme pasi varfëria e shqiptarëve u rrit. Pas dekadash qëndrese ndaj kohës sot ky thesar ekonomik ka shkuar drejt shkatërrimit spontan. Shumë prej tyre janë zhdukur pa asnjë gjurmë, të rrënuar nga koha, deti apo dora e njeriut.  “Shumicën e ka ngrënë deti ose i kanë shkatërruar njerëzit në fusha e male për t’i marrë hekurin”, shprehet Kastriot Dervishi.

Arkitekti Artan Shkreli thekson se kjo mungesë e saktë statistikash, tregon një mungese të strategjisë kombëtare për menaxhimin e këtyre strukturave. Shqipëria nuk ka një ligj apo kuadër institucional që të përcaktojë se si duhen trajtuar, rehabilituar apo ripërdorur bunkerët. Asnjë agjenci shtetërore nuk ka marrë përgjegjësi për regjistrimin, mirëmbajtjen apo vendosjen e prioriteteve për përdorimin e tyre. “Deri tani asnjë ligj apo dispozitë nuk parashikon që bunkerët e braktisur, e që ndodhen të shpërndarë në gjithe territorin e vendit, të regjistrohen, të inventarizohen, apo të akomodohen në kuadër të planit kombëtar, plan që mund të jetë i motivuar në pikëpamje të trashëgimisë kulturore ose asaj ushtarake”, thotë Shkreli.

Foto Artan Shkreli

Ndërsa institucionet heshtin ndaj zhdukjes graduale të përkujtuesve të regjimit, artistë, historianë, studies dhe aktorë të tjerë të shoqërisë besojnë se bunkerët e strehimoret nëntokësore duhet të ruhen. Nëse bunkerët në Shqipëri vazhdojnë të mbeten thjesht struktura të braktisura, të injoruara dhe të padiskutuara, rrezikojmë të humbasim shumë më tepër se thjesht disa objekte betoni; rrezikojmë të humbasim një pjesë thelbësore të kujtesës sonë kolektive, një mjet për reflektim shoqëror, dhe një mundësi unike për ndërtimin e identitetit kritik dhe të vetëdijshëm kombëtar… pra humbjen e kujtesës historike dhe të së vërtetës”, paralajmëron Shkreli. Brezat që nuk kanë jetuar nën diktaturë, sipas tij, mund të rriten pa kuptuar realitetin e kontrollit totalitar, duke u bërë më të pambrojtur ndaj propagandës, nostalgjisë apo relativizmit historik.

Shoqëri që nuk përballen me të kaluarën, e rrezikojnë ta përsërisin atë në forma të reja, më të rafinuara. Në rastin e Shqipërisë, rreziku është edhe më i madh, humbja e një trashëgimie unike në nivel europian, pasi pak vende në botë kanë një peizazh kaq të dendur të fortifikimeve të vogla, të shpërndara në çdo cep të territorit. “Humbje që asnjë muze i vonuar nuk do mund ta rekuperonte më” përfundon Shkreli.

ZGJIDHJA?

Çfarë do të bëhet me bunkerët e mbetur? A do të mbeten plagë të historisë së trishtë, apo mundësi për të ndërtuar një të ardhme të re? Pikërisht këtë dilemë ngrenë ekspertët e fushës, të cilët prej vitesh kërkojnë një strategji kombëtare.


Foto Artan Shkreli

Për Artan Shkrelin, çështja e bunkerëve nuk mund të zgjidhet me ndërhyrje të pjesshme. Ai propozon një qasje të plotë ligjore, institucionale dhe një vizion strategjik afatgjatë. Nga këndvështrimi i tij, për të mundësuar ripërdorimin e bunkerëve për turizëm, kulturë apo funksione komunitare, duhet filluar “me përcaktimin e një definicioni juridik të termit ‘bunker’, si strukturë ndërtimore me origjinë ushtarake dhe me vlerë historike, kulturore apo funksionale”. Pa këtë bazë, bunkerët mbeten objekte të paqarta, shpesh të braktisura dhe jashtë çdo përgjegjësie ligjore.

Hapi tjetër i rëndësishëm është inventarizimi dhe krijimi i një regjistri kombëtar. Ky regjistër duhet të përmbajë koordinatat gjeografike, tipologjinë, periudhën e ndërtimit, gjendjen strukturore dhe statusin ligjor të çdo bunkeri. “Kjo duhet rregullarizuar me akte ligjore e nënligjore. Kësisoj mund të krijohet një agjensi ose strukturë e posaçme për ketë qëllim, strukturë e cila mund të jetë nën autoritetin e Ministrisë së Kulturës dhe Ekonomisë ose asaj të Mbrojtjes. Regjistri pastaj nga ana tij mund të artikulohet duke evidentuar llojin e bunkerit, koordinatat gjeografike, periudhën e ndërtimit, gjëndjen strukturore, statusin ligjor (pronësi private apo publike/shtetërore). Autoritetet vetë i konsiderojnë ato “pronë publike”, por sikurse dimë bunkerët janë të braktisur dhe shpesh të shkatërruar nga komuniteti lokal. Nevojitet një sqarim mbi pronësinë pasi shumë bunkerë janë në tokë publike ose të paqartë. Duhet pasuar, sipas rastit edhe nga një procedurë për transferimin e tyre në pushtetin vendor, dhe legalizimin apo leje përdorimi për ato që ndodhen në pronësi private”, sqaron Shkreli.

Foto nga Saimir Kristo

Pa pronësi të qartë, nuk dihet se kush ka përgjegjësinë për mirëmbajtjen, restaurimin apo sigurinë e strukturës. OJF-të, komunitetet dhe bizneset lokale shpesh nuk mund të marrin leje për ndërtim apo rikonstruksion, nëse bunkerët nuk janë të regjistruar zyrtarisht. Pa sqarim ligjor, asnjë projekt ose nismë për transformimin e bunkerëve nuk ka garanci afatgjatë dhe për rrjedhojë nuk tërheq investitorë. “Pa këtë qartësi, çdo projekt rrezikon të mbetet i përkohshëm, i pasigurt ligjërisht e për rrjedhojë jo tërheqës për investitorët (pasi mungon garancia e përdorimit afatgjatë)”, thotë ai.

Kjo mungesë ligjore ka ndikuar drejtpërdrejt tek dështimi i disa iniciativave afatgjata. “Shumë iniciativa artistike, rinore apo kulturore që janë zhvilluar në mënyrë informale, pa mbështetje të plotë ligjore, janë shuar kur ka ndërruar administrata ose kur ka mbaruar projekti. P.sh., projekte si “Bed & Bunker” (nga Polis University) kanë qenë modele-pilot, por që nuk janë shtrirë dot në rang vendi pikërisht për shkak të mungesës së statusit juridik të bunkerëve. Edhe ndonjë strukturë që është rehabilituar me fonde europiane (p.sh. BunkArt 1 & 2), nuk kanë mundur të krijojnë një model të riprodhueshëm në shkallë më të gjerë”.

Foto Elton Çaushi

Ai propozon edhe hartimin e një plani zonal që përcakton mënyrën e përdorimit të bunkerëve. Çdo bunker duhet të ketë një destinacion të qartë, qoftë për aktivitete kulturore si galeri arti dhe hapësira ekspozimi, për turizëm duke përfshirë muze dhe eksperienca interaktive apo “dark tourism”, për funksione komunitare si strehë emergjente, qendra rinore apo biblioteka interaktive, dhe në disa raste edhe për mbrojtje emergjente sipas planeve të Ministrisë së Mbrojtjes. “Natyrisht e gjithë kjo duke siguruar kriteret teknike për siguri, infrastrukturë minimale dhe akses publik sipas normativave”, shton ai.

Por pse ende nuk është bërë ky hap? Shkreli e lidh vonesën e një kuadri ligjor për bunkerët me faktorë politikë, kulturorë dhe psikologjikë. Për dekada bunkerët u panë si trashëgimi e padëshiruar, madje si plagë kolektive që shoqëria donte ta harronte. Ndërsa mungesa e koordinimit ndërinstitucional dhe interesave ekonomike ka penguar çdo përpjekje serioze për ripërdorimin e tyre. Shkreli shton se: “Gjithashtu pamjaftueshmëria e menaxhimit ndërinstitucional midis Ministrisë së Kulturës, Mbrojtjes, Turizmit, dhe qeverisjes vendore (të mos harrojmë se bunkerët nuk i përkasin qartësisht një institucion të vetëm; ato janë edhe ndërtim, edhe trashëgimi, mbetje ushtarake, etj.); pra pa një “pronar institucional,” temat komplekse si kjo zakonisht mbesin pezull. Ka ndikuar gjithashtu edhe mungesa e interesave ekonomike të drejtpërdrejta , pasi nuk ka pasur presion të mjaftueshëm tregu apo investitorë të fuqishëm që ta shtyjnë përpara këtë çështje. Projekti i bunkerëve kërkon ndërhyrje fizike, investim në infrastrukturë dhe nuk ka garantuar kthim të shpejtë ekonomik, gjë që e ka bërë deri tani më pak tërheqës”, thotë më tej ai.

“Bed & Bunker” një rast suksesi me fund të palumtur

E këtë situatë e pasqyron më së miri një nismë vjen nga bota akademike, por që prek drejtpërdrejt nevojën për të gjetur përdorim të ri për mijëra bunkerë të shpërndarë në peizazhin shqiptar. Bëhet fjalë për “Bed & Bunker” të cituar si shembull nga Shkreli. Ky projekt nisi si diplomë masteri nga studentja Iva Shtrepi. Arkitekti Saimir Kristo pjesë e ekipit që udhëhoqi projektin shpjegon se ata vendosën të kthejnë një bunker në një hapësirë mikpritjeje për turistë. “Vizioni ishte të shndërrohej një bunker i braktisur nga simbol i tmerrit totalitar në një përvojë të re për turistët, më konkretisht një B&B për backpacker-a”, shpjegon Saimir Kristo.


BED&BUNKER is a project of the University of Applied Sciences Mainz and POLIS University

Punimet nisën në zonën e Tales, pranë Lezhës, në një bunker që u dha mundësinë studentëve që të realizonin pjesën më të madhe të ndërhyrjes vetë. Projekti u zhvillua përmes workshopeve ndërkombëtare mes studentëve shqiptarë dhe gjermanë, duke krijuar një kontrast mes së shkuarës dhe së tashmes, pa humbur kujtesën historike. “Zona e Tales u zgjodh për faktin se ishte turistikisht tërheqëse dhe me akses të mirë, si dhe u arrit dakordësia jo vetëm me instancat institucionale, por edhe me individin i cili ka në pronësi tokën në të cilën ndodhej bunkeri”, tha ai. Kristo shpjegon se qëllimi ishte që hapësira të shërbente si pikë alternative pushimi për udhetarët, duke ofruar një përvojë të veçantë me pamje nga natyra dhe duke qenë e aksesueshme për të gjithë.

Megjithatë, projekti pati pengesa. Përveç sfidave teknike Kristo tregon se pengesa më e madhe ishte statusi ligjor i bunkerëve. “Gjatë realizimit të projektit u hasën disa sfida të shumanshme, që lidhen si me aspektin teknik, ashtu edhe me atë ligjor dhe financiar. Nga ana teknike, bunkerët paraqisnin vështirësi për shkak të natyrës së tyre të mbyllur dhe të izoluar, duke kërkuar ndërhyrje të kujdesshme strukturore për vendosjen e dyerve dhe dritareve, pa cenuar integritetin e formës origjinale. Nga pikëpamja burokratike dhe ligjore, pengesë e konsiderueshme ishte fakti që shumica e bunkerëve janë ende në pronësi shtetërore dhe administrohen nga Ministria e Mbrojtjes, çka e ndërlikonte procedurën për përdorim apo transformim të tyre në funksione civile”.

Financimi, kryesisht nga burime të jashtme si DAAD dhe universitetet partnere, nuk garantonte qëndrueshmëri afatgjatë. Pak muaj pas përfundimit, bunkeri u dogj. Jo funksional, por Bed & Bunker mbeti si manual praktik për transformime të tjera të ngjashme hap pas hapi, pa humbur autenticitetin. “Projekti sugjeroi mënyra konkrete për të konvertuar hapësira të braktisura në funksione të reja, gjithnjë në varësi të menaxhimit lokal dhe infrastrukturës turistike. Manuale dhe prototipe të ngjashme janë përdorur më pas për të frymëzuar transformime të tjera. Sot, shumë individë kanë nisur iniciativa të ngjashme në gjithë territorin”, thekson Kristo. Shumë prej këtyre shembujve mund të shihen këtu.

Foto nga Saimir Kristo

Rasti i Bed & Bunker vërtetoi se investimet në mungesë të një kuadri ligjor mbeten të pambrojtura. Rastet e suksesshme si Postbllok, Bunkeri Kishë, apo Bed & Bunker e konfirmojnë vakuumin ligjor, pronarët nuk ndjekin procedura zyrtare për leje, sepse thjesht rruga nuk ekziston. Edhe të transformuar bunkerët mbeten një trashëgimi e braktisur, pa pronar ligjor dhe pa përgjegjës për mirëmbajtjen e tyre. Ardian Isufi thotë se ai thjesht e gjeti bunkerin në Lin dhe vendosi të investonte. Në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe me Postbllokun në qendër të Tiranës. E njëjta histori u përsërit me Bed & Bunker, një projekt i nisur me entuziazëm për ta kthyer bunkerin në hapësirë mikpritëse për të huajt. Por gjithçka u ndërpre papritur kur bunkeri u dogj. Sot, pronarët nuk dinë të shpjegojnë pse ndodhi apo kush duhej të ishte kujdesur për mbrojtjen. Projekti mbeti i braktisur. Që të tjerë, dhjetra, qindra, mijëra apo dhjetra mijëra të mos kenë të njëjtin fat, zgjidhja mbetet një strategji e mirëfilltë në të gjithë vendin.

Raste të tjera suksesi… për momentin

A kanë të ardhmen dhe interes bunkerët? Shembuj ka që tregojnë se edhe pse mungon një politikë e qartë shtetërore, disa nisma individuale kanë treguar se bunkerët mund të kthehen në atraksione turistike. Elton Çaushi, themelues i agjencisë turistike “Albanian Trip”, e sheh këtë fenomen si një mundësi unike. “Turistët kanë kuriozitet të madh për bunkerët”, thotë ai.

Reagimet e vizitorëve janë nga më të ndryshmet. “Zakonisht ka një ëoë kur afrohen për herë të parë. Pastaj ka humor, kureshtje, ndonjëherë të qeshura e herë të tjera lot”. Për vendasit janë bërë pjesë e peizazhit të përditshëm, por për të huajt përfaqësojnë një element unik të markës Made in Albania.

Foto nga Elton Çaushi

Disa prej tyre kanë ardhur posaçërisht për bunkerët. Jo vetëm udhëtarë të zakonshëm, por edhe gazetarë, producentë e inxhinierë nga mediat më të njohura botërore si Arte TV, Discovery Channel apo BBC Future. Për ta, bunkerët nuk janë thjesht objekte betoni, por dritare të pazakonta për të kuptuar Shqipërinë.

Çaushi sjell edhe shembuj të prekshëm të bunkerëve të transformuar që janë kthyer në destinacione. Në Gadishullin e Karaburunit, labirinthi i qendrave të zjarrit dhe tuneleve gjigante nuk lë askënd indifferent për nga përmasat e ndertimit, densitetit dhe pastaj permes elementeve te ruajtur brenda tyre. Në Marikaj, një familje i ka kthyer tunelet në hapësira pune e muze të vogël. Ajo aty ka strehuar bagëti, mekanikën e punës në fermë dhe gjithashtu ka ngritur një muze të vogël.  Bunkeri gjigant i Tales ngrihet mbi një plazh të jashtëzakonshëm si monument i heshtur i së shkuarës. Bunkerët që ‘flenë’ në ujërat e lagunës se Patokut janë gjithashtu nga ata qe nuk mund të kalohen pa u vëne re.  Por shembulli më i dashur për të mbetet ai i Koplikut, ku artisti Keq Marku ka shndërruar bunkerin e tij në studio arti e tatuazhesh, duke e mbushur me dritë, ngjyra, engjëj e demonë.

Foto nga Elton Çaushi

Imagjinoni fatin e dhjetra mijëra bunkerëve, ose e atyre të paktën 173.213 që janë të dokumentuar në arkiva në rast se do të kishte një kuadër ligjor pronësie, zhvillimi e vizioni afatgjatë?

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Journalismfund Europe.
 www.journalismfund.eu

© 2025, Pozitivi. All rights reserved.