18 vjeçari shqiptar mjeshtër i kulinarisë në Britani, gjen “babain e tij të parë” por lufton me dëbimin
01/09/2017 Shpërndaje

18 vjeçari shqiptar mjeshtër i kulinarisë në Britani, gjen “babain e tij të parë” por lufton me dëbimin

Ali është 18 vjeç. Ka lindur dhe jetuar në Shqipëri deri në moshën 16 vjeçare, para dy vitesh emigroi drejt Britanisë. Adoleshenti shqiptar ka rrëfyer për BBC se u largua drejt Britanisë për shkak se babai i tij e dhunonte.

Ishte 16 vjeç, i vendosur për të filluar një jetë të re, në një vend të huaj. E vështirë për një adoleshent, të nisë një jetë të re krejtësisht i vetëm por Ali e bëri dhe fati ishte në anën e tij. Adoleshenti mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar para 2 vjetëve.

Ishte me fat sepse që nga viti 2015 e deri më tani ka qenë nën kujdestarinë e John Stokes në Kingswood, Bristol. Stokes për të riun shqiptar tashmë ka rolin e babait. John Stokes është një shtetas britanik me profesion kryekuzhinier, pasion të cilin tashmë po e trashëgon edhe tek Ali. Adoleshenti nga Shqipëria po ndjek hapat e kujdestarit të tij, ndaj nga mediat britanike është cilësuar një talent në fushën e kulinarisë, shkruan pozitivi.org.

Jetesa e tij u normalizua, gjithçka po shkon më së mirë por Ali ka vetëm një sfidë pëpara. Tashmë që djali ka mbushur 18 vjeç autoritetet britanike thonë se ai duhet të kthehet pas në Shqipëri pasi nuk ka dhënë motiv të fortë që me të vërtetë i kanoset një rrezik real në vendlindje.

Ai tha se iku për shkak të dhunës në familje, e tani po lufton për të drejtën e qëndrimit në Britani. I riu shqiptar është bërë mjaft i dashur për njerëzit në Bristol, i njohur si talenti i kulinarisë. Në mbështetje të Ali nuk është vetëm Stokes që e ka mbajtur për 2 vite. Qëndrimin e tij e mbështet edhe  Simon Hulstone, një sipërmarrës që drejton restorantin “Elephant” në Torquay, Devon.

Stokes, “babai i tij i parë” ka nisur një fushatë online për të rritur ndërgjegjësimin, që Ali të mos deportohet në Shqipëri. John Stokes shprehet se me 4 shtator ta apelojë në Gjykatën e Emigracionit në Newport për rastin e Aliut. Stokes është tepër i vendosur për t´i qëndruar pranë 18 vjeçarit shqiptar deri në fund pavarësisht nga çfarë ndodh. Deklarata e tij vërteton më së miri se 2 persona nuk i lidh vetëm gjaku por shpirti.  Nëse vendimi do të mbetet në fuqi, ai do të udhëtojë bashkë me Ali drejt Shqipërisë. “Unë nuk jam babai biologjik i Ali, por jam babai i parë që ai ka pasur”, tha për BBC John Stokes.

  

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.