U paralizua në 97’, Suela rrëfen si i jetësoi ëndrrat: Më mungonte shpresa
29/03/2019 Shpërndaje

U paralizua në 97’, Suela rrëfen si i jetësoi ëndrrat: Më mungonte shpresa

E njohur për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara aktivistja e njohur Suela Lala, e cila së fundmi ka ngritur shqetësimin për mungesën e aksesit të personave me aftësi të kufizuara tek pallati i Kulturës në Tiranë, rrëfen më shumë për historinë e saj, kur mbeti e paralizuar në adoleshencë dhe si ka mundur të ecë përpara, për të jetësuar ëndrrat.

Ishte pasditja e 23 qershorit në rebelimin e vitit 1997 e njohur ndryshe edhe si Kriza piramidale. Atë ditë jeta e saj u nda në dy pjesë, kur rrikosheta e një plumbi i preku palcën kurrizore duke e lënë të paralizuar. Vajzës me ëndrra të mëdha për të ardhmen, jeta i ndryshoi në mënyrë tragjike brenda dy sekondave.

Mendësia e njerëzve ka qenë një nga gjërat që Suela ka vuajtur, përfshirë edhe shërbimet shëndetësore e rehabilituese. Ngjarja ka ndodhur në Burrel të rrethit të Matit dhe asaj aty i ka munguar shembulli dhe shpresa. “Më dukej se isha i vetmi person të cilit i kishte ndodhur një gjë e tillë. Mbase fakti që isha shumë e re më ka ndihmuar që natyrshëm të kapem pas jetës edhe të dua të jetoj edhe të shpresoj, le të themi të përdor ato aftësi që i kisha”, thotë Suela gjatë intervistës së dhënë për pozitivi.org.

Vështirësitë për të kanë qenë të shumta, por Suela ia ka dalë. Ajo ka përfunduar Fakultetin e Juridikut në Universitetin e Tiranës dhe për Studime Politike. Aktualisht drejton një organizatë që merret me promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, që quhet fondacioni “Së bashku”. Me shpresën që do të kthehet në një model pozitiv të cilës i ka munguar në rininë e hershme, Suela është kthyer në udhëheqësen dhe mbrojtësen më të fortë të personave me aftësi të kufizuara.

Intervista për pozitivi.org:

Pozitivi: Së fundmi keni ngritur shqetësimin për mungesën e aksesit të personave me aftësi të kufizuara tek pallati i Kulturës. Sa problematike e shikoni dhe çfarë po bëhet për këtë çështje?

Po është e vërtetë që kam ngritur problematikën e heqjes së rampës që dikur ishte te godina e Pallatit të Kulturës ose Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe me rikonstruksionin e sheshit kombëtar, por me sa kuptova pastaj më pas nga nënkryetari i bashkisë zoti Seferi, në fakt është problem i rikonstruksionit të vetë Teatrit të Operas dhe Baletit. Rampa që ka qenë në anë të institucionit është hequr dhe tashmë e gjithë godina ka vetëm shkallë në pjesën kryesore të saj. Kuptohet që kjo është problematike sepse i pamundëson personave me aftësi të kufizuara në lëvizje që të aksesojnë një godinë e cila është jo vetëm publike por një institucion i rëndësisëhm kulturor. Kështuqë na përjashton ne për të ndjekur një shfaqje apo për të marrë ato shërbime që gjenden në atë ndërtesë. Kështuqë është një rast diskriminimi edhe përjashtimi.

Pozitivi: Çfarë vështirësish hasin personat me aftësi të kufizuara në Tiranë në qasjen ndaj veprimtarive publike? Sa të përshtatshme janë kushtet për to?

Sa i përket vështirësive që hasim në përgjithësi në qytetin e Tiranës mund të them që megjithëse situata është përmirësuar me kalimin e kohës sidomos vitet e fundit shikohet një ndërhyrje e bashkisë së Tiranës për të përmirësuar aksesueshmërinë në trotuare sidomos në zonë e Bllokut dhe Tiranës së Re është ndërhyrë masivisht dhe duhet thënë edhe ndërhyrje që janë bërë në trotuare për të ulur nivelin e tyre në pjesën e kalimit të kalimtarëve.

Janë bërë me cilësi por gjithsesi aksesi për personat me aftësi të kufizauara në lëvizje në qytetin e Tiranës por edhe në të gjithë Shqipërinë vazhdon të mbetet problematikë. Shpesh institucionet publike kanë shkallë dhe na pamundësojnë ne marrjen e shërbimeve edhe le të themi pjesëmarrjen si të gjithë qytetarët e tjerë dhe lëvizjen e lirshme. Transporti publik jo i aksesueshëm, i mbipopulluar gjithashtu na vështirëson ne lëvizjen e pavarur kështuqë sigurisht përbën një pengesë  shumë të madhe për përditshmërinë tonë, për jetën tonë të përditshme. Duhet thënë që aksesueshmëria është parakusht për gëzimin e të gjitha të drejtave të tjera për personat me aftësi të kufizuar. Nëse nuk kemi një mjedis fizik që i përmbush kushtet për ne kjo do të thotë që nuk shkojmë dot në shkollë, nuk punësohemi dot, nuk kemi dot një jetë tonën si të gjithë qytetarët e tjerë.

Më lejo të të sjell në vëmendje gjithashtu një VKM të vitit 2015, VKM nr 1074, 23 i 12, 2015, e cila thotë që të gjitha institucionet publike duhet të marrin masa që të eleminojnë barrierat që janë ekzistuese në mjedis, pra brenda një afati kohor ata duhet të hartojnë një plan  veprimi, dhe më pas ta vënë atë në zbatim duke përcaktuar edhe buxhetet përkatëse, megjithëse duhet thënë psh vendosja e një rampe ose disa ndërhyrje nuk kanë ndonjë kosto kushedi se çfarë në mënyrë që të realizohet respekti për barazinë edhe për gjithëpërfshirjen.

Po ashtu kjo VKM thotë se asnjë para publike nuk duhet të harxhohet në projekte të cilat nuk përfshijnë dhe nuk marrin parasysh elementët e aksesueshmërisë. Sepse në këtë mënyrë përjashtojnë një grup të rëndësishëm të shoqërisë siç janë personat me aftësi të kufizuar. Po  jo vetëm na vështirësojnë jetën ne por ua vështirësojnë jetën edhe familjarëve tanë të cilët iu duhet të mbajnë një barrë më të madhe, por gjithashtu na pengojnë nga ndërveprimi me të tjerët.

Pozitivi: Ne duam të mësojmë më shumë mbi historinë tënde. Dimë që gjithçka erdhi si pasojë e një plumbi në adoleshencë. Na trego më shumë me detaje, si ka qenë historia jote?

Po është e vërtetë, unë kam pësuar një dëmtim në shtyllën kurrizore në moshën 14 vjeçare në vitin e mbrapshtë të 1997. Ishte pasdite e 23 qershorit, kur u godita nga një plumb në palcë. Ka qenë një gjë që ka ndodhur si shumë raste të tilla fatkeqe në atë kohë që besoj për brezin tënd meqë dukesh që je e re, është e pakuptueshme. Dhe në fakt është një gjë që nuk na bën nder ne si komb. Është një nga ato momente historike të vendit tonë për të cilat duhet të na vijë turp, jo vetëm atyre që ishin në politikën aktive por edhe ne. Gjithë shqiptarëve besoj nuk i bën nder ajo periudhë, periudhë tërësisht marrëzie që solli viktima të shumta ndër to edhe unë. Ndaj kjo ka qenë gjeneza e dëmtimit tim në shtyllën kurrizore.

Pozitivi: Sa e vështirë ka qenë pas kësaj ngjarjeje? Në çfarë moshe ishe? Çfarë ndryshoi në jetën tënde?

Ka qenë shumë e vështirë edhe për faktin se Shqipëria e atëhershme nuk është Shqipëria e sotme. Sigurisht që në 22 vjet shumë gjëra kanë ndryshuar, ndër to edhe mendësia në atë kohë. Një nga gjërat për shembull që unë e kam vuajtur në momentet e para përveç mungesës së një shërbimi të mirë shëndetësor, përveç mungesës së shërbimeve rehabilituese pasi përballesh me një ngjarje që të ndryshon jetën dhe ta kthen atë përmbys, ka qenë dhe mungesa e “role model” që quhen në anglisht, pra e shembujve pozitivë. Unë nuk njihja në qytetin ku jetoja, sepse ngjarja ka ndodhur në Burrel të rrethit të Matit, unë nuk njihja persona të tjerë me aftësi të kufizuara të cilët ia kishin dalë të kapërcenin këtë vështirësine  e tyre dhe të kishin një jetë normale në komunitet. Më mungonte shembulli, në këtë mënyrë më mungonte shpresa. Më dukej se isha i vetmi person të cilit i kishte ndodhur një gjë e tillë.

Pozitivi: Si arrite ta rimarrësh veten?

Unë nuk kam ndonjë formulë. Besoj se më është dashur shumë kohë, siç të thashë edhe për shkak të rrethanave. Unë uroj sot dikujt që i ndodh një ngjarje e tillë e cila i ndryshon jetën të mos i duhet kaq shumë kohë për t’ju rikthyer normalitetit të jetës normale por nuk ka formulë. Mbase fakti që isha shumë e re më ka ndihmuar që natyrshëm të kapem pas jetës edhe dua të jetoj edhe të shpresoj, le të themi të përdor ato aftësi që i kisha.

Pozitivi: Tanimë je një shembull për t’u ndjekur nga të gjithë personat me aftësi të kufizuara. Na trego më shumë për rrugëtimin tënd në karrierë? Për çfarë ke studiuar dhe me se je e angazhuar aktualisht?

Mendoj që jam shembull, nuk mendoj që jam shembull për tu ndjekur nga të gjithë por mendoj  që gjithsesi jam një prezencë publike, shembull në kuptimin e një njeriu që është prezente, le të themi si një njeri që është me aftësi të kufizuar dhe bën jetën e vetë. Duhet të ketë shumë persona me aftësi të kufizuar që janë të dukshëm dhe që japin shembullin e tyre nga këndvështrime të ndryshme dhe besoj fatmirësisht sot ka gjithmonë e më shumë të tillë, ndaj nuk jam e vetmja. Unë kam studiuar Juridik edhe Studime Politike dhe aktualisht drejtoj një organizatë që merret me promovimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuar që quhet fondacioni “Së bashku”.

Pozitivi: Si ka qenë periudha e shkollës?

Edhe periudha e shkollimit ka qenë me shumë sfida, gjithmonë për shkak të diskriminimit dhe mungesës së aksesueshmërisë shpesh le të themi kur leksionet mbaheshin në katet e sipërme të godinës nuk merrej parasysh nevoja ime për të dhënë provimin me gojë ose nëpërmjet dikujt që më ndihmonte për të shkruar sepse jam tetraplegjike dhe nuk arrij të shkruaj dot vetë, kështuqë kisha nevojë për një marrje provimi të veçantë, por për fat të keq një pjesë e këtyre problematikave ende nuk janë zgjidhur edhe sot.

Vazhdon të ketë ende institucione të arsimit të lartë të cilat janë përjashtuese dhe kanë barriera, megjithëse gjithmonë e më shumë studentë me aftësi të kufizuara janë prezentë në auditore.

Pozitivi: Pse zgjodhët të studionit për juridik?

Me thënë të drejtën nuk ka një përgjigje të mirë pse zgjodha juridik. Do kisha dashur që, meqë më pyete për ëndrrat, një nga ëndrrat e mia ka qenë të studioj mjekësi. Por le të themi se me kufizimin që unë kisha dhe me aq informacion që pata në kohën kur bëra zgjedhjen për të studiuar juridik mendova që kjo ishte më e përshtatshme duke pasur parasysh kufizimin fizik. Ka qenë një zgjedhje le të themi pragmatike, jo një gjë e dëshiruar, me kohën kam kuptuar që më pëlqen.

Pozitivi: Cilat kanë qenë ëndrrat e Suelës në fëmijëri dhe sa ke mundur t’i bësh realitet?

Nuk di të them a kam mundur ti bëj ëndrrat realitet, por di të them se gjithmonë kam pasur këtë dëshirën për të mësuar kuriozitetin, për te mësuar gjëra të reja edhe për të udhëtuar e zbuluar vende të reja. Këtë fatmirësisht kam mundur ta bëj, me siguri le të themi jeta ime pa kufizimin fizik do të kishte patur mbase një drejtim tjetër, po ajo që nuk ka ndryshuar është vullneti për të ecur përpara dhe për të bërë më të mirën duke patur parasysh rrethanat në të cilën ndodhem. Ajo që mund të them me siguri është që pritshmëritë e mia pasi më ndodhi aksidenti ishin shumë të ulëta dhe unë ato pritshmëri i kam kapërcyer me dhjetëra herë. Ky është i vetmi bilanc pozitiv që mund të bëj.

Pozitivi: Gjithmonë je aktive kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Sa të përfaqësuar janë në vendin tonë?

Sigurisht që ka një lëvizje të personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri në të cilën dhe unë bëj pjesë. Ka nevojë për më shumë zëra publik sidomos jashtë Tiranës edhe në sferën lokale.

Mendoj që personat me aftësi të kufizuar shumë mirë duhet të përfaqësoheshin edhe në këshillat bashkiakë, aty ku merren vendimet për jetën e tyre, edhe në parlamentin e Shqipërisë. Gjithmonë e më shumë vihet theksi te ajo që quhet demokracia pjesëmarrëse, pra grupet e ndryshme shoqërore duhet të jenë a më pranë atij mjedisi që merr vendime për jetën tonë, sepse na takon duke qenë qytetarë të këtij vendi.

Meqë ra fjala kam lexuar së fundmi librin e Mishela Obamës, dhe mesazhi  që mora ishte pikërisht ky: që ne duhet të insistojmë pavarësisht ngjyrës së lëkurës, aftësisë së kufizuar  apo çdo lloj karakteristike tjetër ne na takon të jemi le të themi në rreshtin e parë sepse ky vend gjithësecilit prej nesh, nuk flas vetëm për personat me aftësi të kufizuar, i takon të jetë pjesë e sferës publike e vendimarrjes publike sepse ky vend në fund të fundit na takon ne, është i yni.

Pozitivi: Një mesazh për lexuesit?

Një mesazh që mund të kem për lexuesit tuaj… Është e rëndësishme që gjithësecili nga ne të përpiqet të bëjë më të mirën brenda rrethanave që ka, por gjithashtu duke u përpjekur të ketë një zë dhe të reagojë kundrejt asaj që duket e padrejtë dhe të reagojë ndaj asaj  që duket e padrejtë në këtë sferën e të përbashkëtës, sepse jetët tona nuk sillen vetëm rreth nesh, po të gjithë ne kemi mundësinë që me kontributin tonë modest të ndryshojmë le të themi vendin në të cilin jetojmë.

 

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.