“Thesaret e fshehura” në Bibliotekat e Tiranës
03/09/2019
0 komente
Shpërndaje

“Thesaret e fshehura” në Bibliotekat e Tiranës

“Nuk është e domosdoshme të gërmosh thellë për të gjetur një thesar. Unë e zbuloj çdoherë që shkoj në një Bibliotekë”. Kjo është mirëseardhja në një prej Bibliotekave të Vogla të Tiranës të cilat kanë nisur të marrin jetë çdo ditë, pas rikonstuksioneve tërësore dhe shndërrimit të tyre në vendtakim të rëndësishëm me librin dhe lexuesin i cili tanimë ka hapësira të reja dhe moderne studimi.

MAKBETHI, 1943

Shqipëruar nga F.S. Noli dhe i botuar në shqip në vitin 1943. Është botim i sigluar nga “Mesagjeritë shqiptare”, shtypshkoronjë e vëllezërve të shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari. Këto janë kopje të rralla të cilat mund të gjenden në ndonjë bibliotekë të trashëguar nga familjet e mëdha shqiptare, intelektualë të kohës. Por mund të gjendet edhe në Bibliotekën “Hamit Beqaj” këtu në kryeqytet. Është një ekzemplar i rrallë ky i cili e ka një vend nderi në këtë hapësirë të librit dhe dijes dhe është gjithaq mirëserardhje për këdo lexeus. Ndërsa për studiuesit është një botim i jashtëzakonshëm për studime krahasuese.

Bibliotekat e Vogla të Tiranës

Secila prej tyre, pavarësisht përmasave, trashëgon një fond të vyer librash, shumë prej të cilave botime të hershme, e të tjera të mëvona, nga vitet kur bibliotekat e ashtuquajtura “të lagjeve”, pasuroheshin periodikisht me çdo botim që dilte në qarkullim.

Dekadat në vijim, pas vitit 1990, shumë prej tyre nuk funksionuan dhe të tjera, pjesërisht. Por fondi i trashëguar është ruajtur me jo pak fanatizëm dhe mjaft të shkelësh në to sot dhe kupton se ekzemplarët e rrallë janë aty, pjesë e vyer e fondit të atyre që sot janë Biblioteka Qyteti.

Shko në bibliotekat e lagjeve dhe gjej…partitura oprash, baletesh, simfonish…

Në fondet e këtyre bibliotekave, befasohesh lehtës. Arsyeja?

Mundet të jeni duke kërkuar një roman të një autori klasik apo bashkëkohir dhe ju shfaqen botime të tilla shumë të rralla. Janë partitura të disa prej veprave më të rëndësishme të krijimtarisë kombëtare, opera, balet apo edhe simfoni të krijuesve dhe kompozitorëve më në zë të Shqipërisë së kohës por edhe të ditëve tona. Janë botime të denja për biblioteka shkencore. Sipas muzikologëve që i kanë konsultuar, këto botime të rëndësishme, të botuara në shumë pak kopje në ato vite, pra me një tirazh shumë të ulët në kohën kur janë botuar, sot është gati – gati mision i pamundur t’i gjesh.

Ama shumë prej këtyre botimeve, mund t’i gjeni këtu, në këto hapësira të rëndësishme të qytetit tanimë, pas ndërhyrjeve rrënjësore restauruese, në Bibliotekat “Hamit Beqaj”, “Musine Kokalari” apo “Misto Treska” e “Gjergj Zheji”, ato janë të ekspozuara sepse për këdo, botime të tilla ngjallin kurreshtje.

Imazhet e këtyre botimeve unike, flasin më shumë se 1 mijë fjalë.

Partiturat e veprave “Cuca e Maleve” e Nikolla Zoraqit apo opera  “Lulja e Kujtimit” e Kristo Konos; botimi i rrallë “Simfoni” i Simon Gjonit apo “Heronjtë e Vigut”; “Halili dhe Hajria” i kompozitorit Tish Daija për këdo të interesuar, janë në këto biblioteka. Ndërsa për vetë këto institucione, janë vepra të rralla të cilat në dekadat në vijim, do të jenë dëshmi e një fondi shumë të pasur të trashëguar dhe ekzemplarë tejet të rrallë.

Ishte koha kur…

Institucionet e shtetit të asaj kohe mendonin edhe për trashëgiminë e shqiptarëve që nuk jetonin në Shqipërinë zyrtare.

Ky botim gjithaq i rrallë i vitit tanimë të hershëm 1957, “Poezija popullore arbëreshe” është një vepër burimore shumë e mirë për një studiues.

Botime të tilla, kanë nisur edhe të konsultohen në bibliotekat e vogla që çdo ditë po shndërrohen në qëndra të rëndësishme për komunitetin ku jo vetëm merret një libër për t’u lexuar, por mjediset e tyre janë ideale për të studiuar dhe shfrytëzohen jo pak nga nxënësit dhe studentët çdo ditë të javës.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.

Komentet

Asnjë Koment Ju mund të jeni i pari që të komentoni!

Shkruani një Koment

Të dhënat tuaja janë të sigurta! Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet dhe të dhënat tuaja nuk do të shpërndahen me persona të tretë. *