Të ulërish, të heshtësh, apo të përshtatesh
09/07/2019 Shpërndaje

Të ulërish, të heshtësh, apo të përshtatesh

Ndonjëherë, dhe nuk janë të paktë ata që mendojnë si unë, duhet të tregohemi të matur, dashamirës dhe vetëm sa mund të cekim diçka që nuk shkon, duhet të zbusim tonet dhe të vëmë buzën në gaz; duhet të mbetemi në lojën e gjërave që nuk thuhen, sepse në të kundërt do të dukemi si moralistë, qesharakë, censurues.

Dhe mjerë ata që vihen në rolin e moralistit dhe censuruesit, aq më shumë që mund të na lexojnë edhe pseudo “intelektualë snobë”, që më pas do të të kundërvihen me “elokuencën” e tyre. E pse duhet të jetë kaq e vështirë që mendimet të thuhen edhe troç. Sa zili i kam ndonjëherë ata që ulërijnë me fjalën… ULËRI!

Po përse nuk habitemi me atë që ndodh? Përse nuk habitemi për shpërfilljen ndaj sakrificës për të arritur më të mirën? Sepse tregu i sotëm ka fuqi të nxjerrë nga anonimati mjaft njerëz dhe t’u japë në dorë suksesin. Mjafton të kesh mbështetje. Të jep siguri. Minimumi i “ndershmërisë intelektuale” që këta anonimë mund të bëjnë, është TË TJERRIN FILLIN E KOHËS. Dhe kur s’ia dalin dot, ankohen për heshtjen e bashkëbiseduesit! 

“E po mrekullia vetë”, mund të thotë dikush, “le ta thurin rrjetën”! 

Përderisa jetojmë në një shoqëri konkurruese, njerëzit me përvojë (dhe nuk janë të paktë) tërhiqen në hije. Pse?! Sepse ndihen të tejzhgënjyr nga gjithçka. HESHTIN.

Në fakt kjo çështje mund të mbyllej fare mirë këtu, edhe pse nuk mund të kalohet me një shaka të kripur. E pse duhet të përpiqesh që të japësh më të mirën? Mjafton të përpiqesh të përshtatesh… dhe të bësh çmos t’ia dalësh mbanë. E pse jo, kur profesionalizmi nëpërkëmbet nga indiferenca?!

Kështu, mbetet në fuqi paragjykimi i zakonshëm: në një shoqëri ose JI PJESË E RRYMËS, OSE TËRHIQU! Ky është çmimi për të gjithë ata që zgjedhin të qëndrojnë në hije, të kafshojnë mendimin, që zgjedhin të shpërfillin çdo gjykim dhe paragjykim të hamendësuar, sepse u duket kohë e humbur. PËRSHTATEN!

Dhe pastaj pyesim me të drejtë: Mos jemi vetë ne që po e lejojmë dhe ushqejmë këtë “nihilizëm vlerash”? 

“Dhe mos kërko përgjigje, sepse askush s’do ta kuptojë gjuhën tënde”.(Artemisa Bushi; Portali Shkollor)

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.