Të rinjtë ‘viktimë’ e ekstremistëve, ekspertja Ngjela: Denonconi
15/12/2018 Shpërndaje

Të rinjtë ‘viktimë’ e ekstremistëve, ekspertja Ngjela: Denonconi

Infinit Plus, organizon konferencë me temë “Sa janë sofistikuar metodat e depërtimit të ekstremizmit të dhushëm?” për të njohur studentët me mënyrat, si ta raportojnë dhe sfidojnë këtë fenomen.

Ekspertja Klejda Ngjela përfaqësuese e Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, e pranishme në këtë takim, prezantoi për studentët punën që qendra bën dhe shërbimet që ofron për t’i ndihmuar të mos bëhen viktima të grupimeve ekstremiste.

Grupet ekstremiste po sofistikojnë metodat për të joshur të rinjtë që të bëhen pjesë e tyre. Rreziku më i madh për adoleshentët, të cilët janë dhe target grup i shigjetuar nga ekstremistët, vjen përmes rrjeteve sociale.

Më tej Ngjela teksa bëri një panoramë të situatës, theksoi se të rinjtë duhet të denoncojnë nëse hasen me persona ekstremistë e të mos bëhen palë me ta. Përmes videove edukuese dhe informuese studentët u njohën me mënyrat se si mund të njohin personat dhe mesazhet e gabuara, që mund t’i shtyjnë ata të marrin vendime të padrejta.

Radikalizimi dhe ekstremizmi i dhunshëm janë shndërruar në një sfidë ndaj të gjitha shteteve e shoqërive, për shkak të përhapjes, dinamikës dhe prirjeve që kanë pasur vitet e fundit këto fenomene, si dhe për shkak të pasojave tepër të rrezikshme për jetën dhe sigurinë e njerëzve.

Funksionimi i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm ka nisur që nga 1 Janari 2018, dhe struktura e saj ka në qendër një qasje gjithëpërfshirëse me disa nivele koordinimi dhe bashkëpunimesh, duke angazhuar aktorë qendrorë dhe lokalë, si dhe të tjerë të pavarur.

 

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.