Të adoptosh një fëmijë, nuk është më tabu
22/03/2019 Shpërndaje

Të adoptosh një fëmijë, nuk është më tabu

Pamundësia ekonomike ka detyruar shumë prindër të dërgojnë fëmijët e tyre në qendra rezidenciale të përkujdesit të fëmijëve, me shpresën për ti rimarrë pasi të ketë gjetur një punë, ose pasi të kenë larguar problemet me të cilat janë ndeshur, qofshim këto ekonomike apo sociale.  Në qendrat rezidenciale në Tiranë ka shumë fëmijë. Në një prej tyre, ne shtëpinë e fëmijës “Zyber Halluli”, në Rrugën e Elbasanit në kryeqytet, jetojnë 46 fëmijë. Disa prej tyre janë braktisur nga prindërit e disa të tjerë i kanë dërguar aty vetë.

Birësimi është procedura administrative dhe gjyqësore, nëpërmjet së cilës fëmijës së mitur, që i është privuar ose jo mjedisi familjar, i sigurohet një familje alternative, me të drejta dhe detyrime të njëjta me prindërit biologjikë. Fati i mirë i fëmijëve jetim do të ishte nëse birësohen, për të gjetur ngrohtësinë e munguar në një familje, ndonëse jobiologjike. Në botë dhe vend ka raste pafund ku pranë familjes kujdestare, fëmijët rriten në një atmosferë të ngrohtë, me dashuri, mirëkuptim dhe mbrojtje.

Edhe pse tashmë birësimi nuk është diçka e pazakontë, për disa ende shihet si tabu. Rasti më i fundit që e tregon këtë ka qenë ai i regjisores Najada Elmazi, e cila në emisionin “Rudina” ka treguar që pavarësisht se donte të birësonte një fëmijë, u pengua nga familja e saj. ‘Doja të birësoja një fëmijë për t’i dhënë një strehë, dashuri. Por familja më doli kundër. Hezitimi dhe pengesa e parë ishte familja që nuk më mbështetën dhe arsyet kishin të bënin me paragjykimin: ‘Nuk është fëmija yt’. Ka shumë paragjykime të tilla tabu në vendin tonë’, tha regjisorja.

Pavarësisht ngurrimit fillestar, në pamundësi për të patur një fëmijë, shumë çifte vendosin të zgjedhin këtë alternativë, sepse të birësosh një fëmijë është diçka fisnike, e bukur, por edhe shumë e vëshirë në të gjitha rastet. Duke qenë se ekziston një lloj skepticizmi kur këtë gjë vendosin ta bëjnë personazhe të njohur, ata nuk kalojnë pa u vënë re. Personazhët e njohur që kanë birësuar një fëmijë, nuk janë të paktë, madje disa prej tyre e kanë bërë publik vendimin që kanë marrë.

Këtu përmendim gazetaren Fjodora Fjora, e cila në shtator të 2014-ës shprehu dëshirën e madhe për tu bërë nënë. Vendosi të birësojë nga “Shtëpia e Fëmijës” një djalë të quajtur Alteo. Sot Alteoi është rritur dhe të dy, nënë e bir jetojnë së bashku në një apartament në kryeqytet. Edhe ish-deputeti i PD Arben Ristani ka treguar se ai dhe partnerja Alketa kishin marrë vendimin për të birësuar një djalë të vogël të quajtur Tomas. Ristani ka dhe një vazjë, e cila ka ardhur në jetë nga martesa e parë e deputetit me ish-bashkëshorten.

Ndërkaq analisti Besnik Mustafaraj dhe bashkeshortja e tij edhe pse janë prindër bilogjikë të dy fëmijëve, një vizitë në  shtëpinë e fëmijës  disa vitë më parë, kur çifti pikasi një vogëlushe, mori vendimin e rëndësishëm. Ata vendosën të bënin “birësim të pjesshëm”, që do të thotë se do të kujdesen për vajzën e vogël, e ta marrin në shtëpinë e tyre në fundjavë apo në ditët e festave dhe si kusht ishte që në momentin që një familje do vendoste të adoptonte vajzën duhet të kishte miratimin e familjes Mustafaraj.

Këngëtarja Vera Laçi pasi përjetoi humbjen e madhe të të birit në një aksident me motorr në prill të 2013-ës, ka vendosur të ndriçojë sërish jetën e saj duke birësuar një vajzë.  Këngëtarja gjeti kurajon dhe forcën për të ecur përpara dhe një vit e gjysmë pas humbjes së djalit, vendosi të birësoje Dean, e cila në atë kohë ishte 8 muajshe. Në këtë mënyrë ata të cilët nuk patën mundësi të njohin prindërit e tyre biologjikë, u pranuan në gjirin e një familjeje të vërtetë. Kjo është një zgjidhje për çiftet apo prindërit beqarë që për arsye të ndryshme nuk kanë patur mundësinë të kenë një fëmijë biologjikë.

Cilat jane procedurat e birësimit brenda vendit?
Të gjithë aplikantët për birësim regjistrohen në listën e këshillimit pranë zyrës së marrëdhënieve me publikun. Këshillimi realizohet në tri seanca me intervale kohore dyjavore, përkatësisht nga punonjësi social, psikologu dhe seanca e tretë nga juristi. Në seancën e tretë tërhiqet formulari me dokumente që duhet të plotësojë aplikanti duke marrë udhëzimet e duhura nga juristi. Pasi të kenë plotësuar dosjen e tyre me dokumentet e duhura e dërgojnë atë pranë Komitetin Shqiptar të Birësimeve. Në momentin që dosja vjen në KSHB ajo regjistrohet dhe hyn në listën e aplikantëve në pritje. Në këtë moment fillon studimi i aplikantit birësues nga sektori psiko–social, që synon në vlerësimin e aplikantit në lidhje me motivimin, birësimin dhe prindërimin e tyre.

Ky studim duhet të përfundojë brenda 45 ditëve nga data e regjistrimit të dosjes dhe kryhet nëpërmjet: Intervistave me punonjësin social; intervistave me psikologun; investigimit të kushteve të shtëpisë; vërtetësisë së dokumentacionit që është paraqitur nga aplikanti. Pasi të jetë përpunuar nga sektori psiko–social ky studim paraqitet në mbledhjen e radhës dhe Këshilli Drejtues vendos nëse çifti pranohet si familje e ardhshme apo jo, nëpërmjet vendimit të përshtatshmërisë. Nëse përgjigjja është “Po”, çifti është në pritje të marrjes së vendimit të birësimit të fëmijës, pas së cilit pajiset me një autorizim për të hyrë në institucion për t’u familjarizuar me fëmijën, e propozuar në këtë mbledhje. Kur aplikanti birësues është plotësisht dakord me fëmijën e propozuar dhe ka kaluar periudhën e provës të përcaktuar në vendim, vazhdon procedura për finalizimin e birësimit pranë gjykatës së rrethit.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.