Sot filloi me lule dhe u mbyll me bomba tymuese: Si të zhvilloni një protestë paqësore
16/02/2019 Shpërndaje

Sot filloi me lule dhe u mbyll me bomba tymuese: Si të zhvilloni një protestë paqësore

Për të sjellë ndryshim, zgjidhja nuk është protesta e dhunshme. Kur nuk mund të qëndroni të heshtur për një çështje të caktuar, shprehja e pikëpamjeve tuaja nëpërmjet protestës civile është një mënyrë pozitive për të bërë një ndryshim. Mbledhja e një grupi të caktuar njerëzish që kanë interesa të përbashkëta, për të folur kolektivisht kundër keqbërjes apo keq qeverisjes është një e drejtë themelore dhe një mënyrë e fuqishme për të sjellë rezultate.

Ditën e sotme opozita e bashkuar zhvilloi një protestë për 5 orë rrjesht në bulevardin Dëshmorët e Kombit, me dhjetëra protestues të përqendruar përballë selisë së qeverisë, ku pjesa më e madhe ishin qytetarë të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit. Protesta ka nisur me një gjest qytetarie, protestuesit dhuruan lule për efektivë të policisë. Ky gjest është marrë si shenjë vlerësimi për efektivët, për t’u treguar se protesta do jetë paqësore dhe se nuk lidhet me policinë por me qeverisjen. Megjithatë situata është tensionuar dhe ka përshkallëzuar në dhunë.

Në të gjithë perimetrin e kryeministrisë ku u përqendrua protesta ka pasur në gatishmëri 1 mijë e 500 forca policie. Protestuesit hodhën drejt kryeministrisë disa tymuese dhe bomba molotov. Efektivët e policisë që kishin rrethuar kryeministrinë ishin të parët që u përballën me presionin e turmës dhe dhunën e ushtruar.

Disa protestues çanë tendën para godinës së qeverisë dhe filluan të godasin me sende të forta xhamat e blinduar, derisa arritën t’i thyejnë. Policia i zmprapsi me gaz lotsjellës dhe ujë por ata vijuan sulmin ndaj dyerve të kryeministrisë sërish disa minuta më vonë.  Gjatë protestës janë përdorur dhe bomba tymuese. Nga kjo situatë pati të lënduar protestues dhe efektivë të policisë, një pjesë e të cilëve janë dërguar drejt spitalit. Edhe pse në fillim u krijua ideja e një proteste paqësore, shumë shpejt përshkallëzoi në dhunë.

Si duhet të protestojmë?

Çdo protestë duhet të ketë një qëllim. Ajo mund të shërbejë si një mënyrë për të përhapur vetëdije për një çështje ose për të ushtruar presion mbi ata që janë në pushtet, për të bërë një ndryshim të veçantë.

Çfarë shpresoni të arrini me protestën? Qartësojeni kush do të jetë audienca e protestës tuaj dhe planifikoni strategjinë duke u nisur nga kjo. Ka shumë gjasa që të merrni rezultatin që dëshironi nëse vendosni një qëllim për të arritur.

Për shembull, le të themi që dëshiron të organizosh një protestë në një fermë lokale, për të rritur vetëdijen për mënyrën se si kafshët trajtohen, në mënyrë që njerëzit të ndalojnë blerjen e prodhimeve të tyre. Në këtë rast, audienca juaj është publiku.

Në disa raste qëllimi që keni mund të jetë në një shkallë më të lartë, si për shembull në qoftë se po protestoni një politikë qeveritare apo nëse doni të rrëzoni një qeveri. Për këtë qëllim u zhvillua dhe protesta e ditës së sotme nga opozita, për të rrëzuar qeverinë. Në këtë rast, protesta mund të përdoret si një mjet për t’u treguar udhëheqësve politikë se zgjedhësit e tyre duan një ndryshim në politikë.

Merrni lejet e nevojshme, që duhen për zhvillimin e një proteste. Merrni  informacionet e duhura nëse është e  nevojshme të merrni një leje për të protestuar në vendin që zgjidhni. Secili qytet/shtet ka ligjet e veta lidhur me sa njerëz mund të protestojnë dhe ku mund të mblidhen. Bëni ‘detyrat e shtëpisë’ dhe merrni lejen që nevojitet në mënyrë që protesta të mos shpërbëhet para se të fitojë.

Në disa raste, leja të vendos limite se sa njerëz mund të mblidhen, sa zhurmë mund të bëni, dhe ku protestuesit mund të lëvizin. Nëse nuk pajtoheni me kushtet, mund të kontaktoni një avokat që t’ju ndihmojë të përpiqeni t’i ndryshoni ato.

Nëse prisni që një turmë e madhe të vijë në protestë, duhet të njoftoni policinë gjithsesi. Nëse e dinë se çfarë presin mund të ndihmojnë në kontrollimin e turmave dhe shanset për konflikte do të jenë më të pakta. Mbi të gjitha do të jeni në nivele më të larta të sigurisë.

Planifikoni një rend të ngjarjeve. Cilat veprime më të mira do t’ju ndihmojnë të arrini qëllimin? Është e rëndësishme që të keni një axhendë në mendje për atë që do të ndodhë pasi të gjithë të mblidhen për protestë. Bëni disa kërkime mbi protesta të tjera efektive dhe nxirrni një plan që do t’ju ndihmojë të përmbushni qëllimin.

Ne nuk duhet t’i mendojmë protestat duke imagjinuar një turmë që bërtet. Protesta e qetë mund të jetë shumë efektive. Nelson Mandela shkoi në burg sepse e besonte dhunën si një mjet i suksesshëm për ndryshim. Njëzet e shtatë vjet më vonë, ai dhe të tjerët, ngadalë dhe me kujdes kishin përmirësuar aftësitë e tyre jo të dhunshme, për të kthyer një nga qeveritë më të egra dhe të paragjykuara në botë në një demokraci, duke punuar me ata që i kishin shtypur.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.