Skenderi dhe Pengili “pushtojnë” kështjellën gjermane me tinguj shqiptarë
07/12/2019 Shpërndaje

Skenderi dhe Pengili “pushtojnë” kështjellën gjermane me tinguj shqiptarë

Do të ekzekutohet programi i CD-së së Pengilit “100 vjet Shqipëri”, me kompozime për violinë dhe piano nga kompozitori shqiptar Pjeter Gaci si dhe një kompozim autorial i Alban Pengilit

Shoqata promovuese e Shkollës së Muzikës në qarkun Lüdinghausen organizon më 21 dhjetor (e shtunë) nga ora 19.00 në kështjellën Lüdinghausen një koncert në prag të Krishtlindjes. Në koncertin me tinguj muzike të dhomës (kamertale) nga Shqipëria do të paraqiten instrumentistët shqiptarë Silva Skenderi (piano) dhe Alban Pengili (violinë), shkruan wn.de.

Alban Pengili është tashmë emër i njohur si violinist i ardhur nga Shqipëria dhe si  mësues në Shkollën e Muzikës Lüdinghausen, transmeton albinfo.ch. Ai kësaj radhe do të performojë me bashkatdhetaren e tij Silva Skenderi, pianiste dhe profesoreshë në Konservatorin e  Tiranës.

Pengili ka interpretuar shpesh gjatë viteve të kaluara në këtë qytet. Repertori i tij i përhershëm përfshin, midis të tjerave, 24 Kaprizet e Niccolo Paganinit dhe të gjitha sonatat dhe partitat e Bachut.

Në këtë mbrëmje do të ekzekutohet programi i CD-së së tij “100 vjet Shqipëri” me kompozime për violinë dhe piano nga kompozitori shqiptar Pjeter Gaci, ashtu si dhe pjesë të njohura nga kompozitorët si: Sinding, Gardel, de Falla, Sarasate, Saint-Saëns, Elgar, Wieniawski, Tchaikovsky dhe Paganini, përcjell albinfo.ch. Përveç kësaj, Pengili prezanton një kompozim të vetin – “Valsin e dashurisë shqiptare”.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.