Shefi italian braktis Dubain për Shqipërinë: Më solli zemra
22/12/2018 Shpërndaje

Shefi italian braktis Dubain për Shqipërinë: Më solli zemra

Kuzhinieri italian Alessandro Esposito me më shumë se 14 vite eksperiencë ndërkombëtare, në restorante luksoze që kanë fituar çmime, ka zgjedhur Shqipërinë. Prej afro katër vitesh jeton në Tiranë dhe punon si shef kuzhine në hotelin Hilton Garden Inn Tirana.

Gjatë një interviste për pozitivi.org Alessandro tregon se e ka lënë Dubain për Shqipërinë, sepse ndoqi zemrën. Para 3 muajsh ka zyrtarizuar lidhjen me martesë, me shqiptaren që njohu në Dubai. “Atje jashtë ka më shumë para, por këtu më solli zemra”, thotë ai mes të tjerash për Pozitivin.

Intervista u zhvillua në shqip sepse e ka mësuar mjaft mirë duke jetuar dhe punuar me shqiptarë. Tipari që vlerëson më shumë te populli ynë është mikpritja. Ai është nga Napoli dhe shprehet se shqiptarët kanë shumë të përbashkëta me napolitanët dhe kjo e bën të ndihet si në shtëpi.

Gatimi është pasion për të, i trashëguar prej mamasë, të cilën e ndihmonte që i vogël. Që 14 vjeç ka filluar të gatuajë dhe specialitet ka peshkun. Jo më kot, por sepse ka lindur dhe jetuar në Anzio, një qytet i pasur me peshk. Që fëmijë peshkonte vetë dhe më pas e gatuante. Përveç eksperiencës së fituar nga mamaja dhe në punë, ai edhe ka studiuar 5 vite për kuzhinë në Napoli.

Bashkangjitur do të gjeni bisedën e plotë me shefin Alessandro Esposito, për njohjen me shqiptaren, vendosjen e tij në Tiranë, kuzhinën shqiptare, dhe disa këshilla gatimit në prag festash.

Intervista me Alessandro Esposito për pozitivi.org:

Pozitivi: Prej sa kohësh jetoni në Tiranë?

Alessandro: Ka 3 vite e gjysmë që jetoj këtu.

Pozitivi: Pse vendosët të vini në Tiranë?

Alessandro: Sepse është një qytet me zhvillim. Unë si fillim shikoja për të hapur një restorant timin, pastaj pashë situatën, më vonë u hap Hilton dhe më kërkuan këtu. Në Hilton tani jam shef kuzhine. Menaxhoj kuzhinën.

Pozitivi: A keni studiuar për kuzhinë?

Alessandro: Po kam studiuar 5 vite. Mua më pëlqen kuzhina, e kam pasion. Më lindi kjo dëshirë sepse qëndroja shumë afër me mamin tim dhe ajo gatuante çdo ditë. Bënte ëmbëlsira dhe ushqime të ndryshme, ndërsa unë e ndihmoja shumë. Kështu erdhi pasioni im për kuzhinën. Unë kam studiuar në Itali për kuzhinë, afër Romës.

Pozitivi: Kontakti i parë me Shqipërinë si ka qenë, pra çfarë iu tërhoqi përfundimisht?

Alessandro: Unë kam punuar më herët në Dubai. Atje ishte një shqiptare tek hoteli im. Ajo më tha hajde andej, situata është shumë e mirë në Shqipëri etj. Kështu vendosa të vij këtu. Lashë Dubain për Shqipërinë, se di përse. (qesh)

Pozitivi: Jeni penduar?

Alessandro: Pak fare.

Pozitivi: Përse?

Alessandro: Rroga, situata jashtë hotelit, qyteti. Por ska problem, atje jashtë ka më shumë para por këtu më solli zemra. Më rrëmbeu zemrën nusja shqiptare.

Pozitivi: Tashmë jeni i martuar me një shqiptare? Prej sa kohësh?

Alessandro: Po, ka dy muaj që jemi martuar.

Pozitivi: Si të duken shqiptarët në përgjithësi?

Alessandro: Mirë, mirë, si italianët, shumë mikpritës, kemi mentalitet të ngjashëm. Prandaj jam këtu sepse ndihem mirë.

Pozitivi: Më thuaj diçka që të pëlqen më së shumti te shqiptarët?

Alessandro: Mikpritja. Si në Itali, në Napoli sepse unë jam napolitan. Jemi shumë afër me napolitanët.

Pozitivi: Ju thatë se kuzhinën e keni pasur pasion, prej mamasë më shumë dhe se keni gatuar që në moshë të  re. Sa vite ka konkretisht që merreni me kuzhinë dhe cilat janë specialitetet tuaja?

Alessandro: Që 14 vjeç kam filluar. Specialiteti im është peshku. Qyteti im Anzio ëshë si qyteti i Durrësit, vjen peshku ditë për ditë, ka peshkatarë. Përgjithësisht peshkoja vetë dhe më pas e gatuaja.

Pozitivi: Tek hoteli ku punoni tani në Tiranë gatuani peshk?

Alessandro: Po patjetër, ka levrek, ka gjitha llojet e peshkut të kombinuara me mish, me kuzhinën ndërkombëtare, kuzhinën Shqiptare, të dyja bashkë. Pika më e fortë e Hilton mendoj se është kuzhina internacionale, sepse shqiptare ka vetëm 3 pjata.

Pozitivi: Të pëlqen kuzhina shqiptare?

Alessandro: Po shumë më pëlqen. Më pëlqen gjeli, byreku edhe ëmbëlsira.

Pozitivi: Ti vetë çfarë gatuan më shumë nga kuzhina shqiptare?

Alessandro: Japrakë, gjel me presh dhe patate edhe gjëra të tjera.

Pozitivi: Si e mësove gjuhën shqipe?

Alessandro: Nga kuzhina më shumë. Sepse të gjithë ishin shqiptarë, unë punoja me shqiptarë. Ata flisnin dhe mua m’u mësua veshi me gjuhën, kështu fillova ta mësoj.

Pozitivi: Ishte e vështirë?

Alessandro: Jo sepse unë jam Napolitan dhe kam shumë gjëra të përbashkëta me gjuhën shqiptare. Oriz me fasule dhe në Napoli është oriz me fasule. Ka shumë gjëra që ngjasojnë me njëra-tjetrën. Kam mësuar ta shkruaj, por më duhet ta provoj më shumë avash avash.

Pozitivi: Keni menduar të qëndroni përgjithmonë në Shqipëri apo e shikoni si mundësi edhe largimin?

Alessandro: Unë mendoj të investoj në kuzhinë edhe më shumë në të ardhmen. Kam menduar për kurse të tjera. Se di, në do jem këtu për shumë kohë apo do largohem. Për momentin ndihem mirë.

Pozitivi: Një mesazh për shqiptarët. Çfarë duhet të kenë parasysh përsa i përket gatimit në prag festash?

Alessandro: Së pari dua t’ju uroj gëzuar Vitin e Ri dhe Krishtlindjet. Në fakt ka shumë gjëra, ka variante me peshk, me mish. Ne mendojmë të kenë më shumë parasysh peshkun. Në Itali nuk e hanë mishin dhe për festa preferojnë më shumë peshkun. Prandaj do ju sugjeroja shqiptarëve ta konsumojmë pak më shumë peshkun.

© 2018 – 2019, Pozitivi. All rights reserved.