“Riveshim botën me solidaritet”,  nisma e Bashkisë në ndihmë të shtresave të varfra
09/10/2017 Shpërndaje

“Riveshim botën me solidaritet”,  nisma e Bashkisë në ndihmë të shtresave të varfra

“Riveshim botën me solidaritet” është nisma më e fundit e Bashkisë së Tiranës,  që synon tu vijë në ndihmë shtresave në nevojë.  Vetëm pak ditë më parë në rrugët e kryeqytetit u shfaqën disa kuti të mëdha të verdha, të cilat shërbejnë për mbledhjen e rrobave të përdorura.

 

Për të gjithë ata që nuk e kanë kuptuar se për çfarë funksionojnë këto kuti, ideja është e thjeshtë. Nëse keni rroba, çanta, këpucë, batanije dhe çarçafë të përdorur, që nuk i përdorni më, mund ti vendosni në koshat që bashkia ka vendosur në zona të ndryshme të Tiranës. Sipër kutive ndodhet edhe një numër telefoni nëse dëshironi të kontaktoni me personat që vënë në zbatim idenë. Pasi merren nga koshat rrobat selektohen, dhe ato që përzgjidhen, shkojnë për familjet e varfra, dhe për personat që kanë nevojë për to.

  

Migena Spaho, Drejtore e Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale, në Bashkinë Tiranë, tregon sesi lindi nisma “Riveshim Botën Me solidaritet”.  “Bashkia e Tiranës, në kuadër të politikave për mbrojtjen e mjedisit, ka ndërrmarë një inisiativë të re, duke vendosur 30 kosha në pikat kryesore të Tiranës, për grumbullimin e rrobave, çanta, këpucë, batanije çarçafë të përdorura”- thotë Spaho. Ajo shton se në qendër të inicativës është bamirësia. “Inisiativa e Bashkisë Tiranë, ka qasje bamirësie, pasi solidarizon individë, të cilët mund të kenë materiale të cilat nuk i përdorin në  jetën e përditshme, por mund të jetë shumë ndihmuese për target grupet e  njerëzve në nevojë”-sqaron nismën drejtoresha e Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale.

Po si funksion gjithë nisma, si realizohet selektimi i rrobave, dhe ku dërgohen ato?  Spaho rrëfen procedurat që ndiqen. “Të gjitha veshjet e përdorura, do administrohen nga Kompania ECO Tirana, e cila ka një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë Tiranë. Seleksionimi i teshave dhe materialeve të përdorshme,  nga ECO Tirana, do të jetë njëra fazë.

Faza tjetër do të jetë plan-shpërndarja e tyre tek 4 Qendrat Sociale në Tiranë,të ndara sipas target grupeve që ofrojnë shërbim”-tregon ajo duke shtuar se përfituese janë familjet në nevojë.  “Familjet në nevojë, janë përfituesit e parë të shërbimeve sociale që ofrojnë qendrat sociale, pra ndihma shkon drejtpërdrejt për familjet e identifikuara në nevojë dhe me probleme sociale- ekonomike”-tregon Spaho.

Po si ka rezultuar nisma në këto pak ditë? Drejtore e Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale, thotë se ka një ndërgjegjësim nga qytetarët dhe një angazhim nga ana e tyre për t’u bërë solidarizuar me “Riveshim botën me solidaritet. “Janë të shumtë ata që na kërkojnë informacion dhe të bëhen pjesë e kësaj nisme. Ndaj është e rëndësishme që të gjithë në të ndërgjegjësohemi, solidarizohemi dhe të veprojmë konkretisht për një rezultat sa më të mirë”- shprehet Spaho. Qytetarët e Tiranës që duan të dhurojnë rroba për familjet në nevojë, mund të solidarizoheni në çdo kohë, pasi nisma do të vijojë, pa një aftë të caktuar. “Për sa kohë që kemi dhe do të ketë njerëz që kanë nevojë për ndihmën tonë, ne do të jemi të gatshëm për të ndihmuar”-thotë ajo duke e përmbyllur intervistën për “Pozitiv” me shprehjen,  “Kjo është Tirana solidare ku i gjendemi pranë të gjithëve në ditët e tyre të mira por edhe ato të vështira!”

Kutitë e bekuara, ideja që u përqafua nga të gjithë

SHBA, nën pushtetin e depove ushqimore që bekojnë jetën e të varfëve

Nuk dihet kush është ideatori i kutive të bekuara, por i sigurt është fakti që njerëz nga qytete e shtete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po solidarizohen me gjestin human.  Ideja që qëndron prapa një “kutie bekimi” është e thjeshtë.  Njerëzit vendosin brenda tyre ushqime që nuk prishen, në mënyrë që personat në nevojë të marrin atë që u duhet.  Kutia është një depo ushqimore në miniaturë  dhe ka si qëllim mbushjen me artikuj nga ata që duan të dhurojnë duke tua ofruar atyre që kanë nevojë për to.

Këto librari të vogla të shndërruara në dollapë ushqimorë janë të hapura gjatë 24 orëve të ditës, përgjatë gjithë kohës, ato qëndrojnë aty të pambyllura më çelës. Mjafton të tërheqësh derën e kutisë ushqimore për të zgjedhur produktin që të nevojitet. Po këto kuti bekimi të vendosura pranë shtëpive të banorëve, në rrugë, pranë kishave apo shesheve mund të furnizohen me të tjera produkte ushqimore, nga ata që duan ti bashkohen  nismës.

Përqafimi nismës anembanë SHBA-ve

U desh vetëm pak kohë që kutitë e bekimit të përhapeshin në lagje, zona, qytete e shtete të ndryshme të Amerikës. Në më pak se një vit numri i atyre që krijuan depot ushqimore u shumëfishua duke dhënë ndihmë për atë pjesë të njerëzve që nuk mund të sigurojnë ushqimin. Fëmijë të vegjël i bashkohen nismës së prindërve të tyre teksa vendosin gjithë gëzim ushqimet në rafte. Një mënyrë e mirë kjo për ti mësuar ata që të kultivojnë teksa rriten ndjenjën e humanizmit.

Karolina e Veriut

Banorët e Karolinës së Veriut kanë përqafuar shumë shpejt këtë ide. Dikush prej tyre e ka provuar vet ndjenjën e urisë prandaj dhe vendosi kutinë në rrugë ndërsa apelon që kush ka dëshirë të vendos ushqime të tjera në të. “Njerëzit marrin atë që u nevojitet. Nëse ke qenë ndonjëherë e uritur dhe unë kam qenë e uritur më parë, nuk dëshiron që njerëzit të ndodhen në situatën që vet e ke provuar. Mendoj se kjo është një ide shumë e mirë pasi fqinjët, apo njerëzit e tjerë që kanë nevojë, e kanë të vështirë të trokasin në derën tënde për të kërkuar ushqim. Jam shumë e lumtur pasi pothuajse çdo ditë shoh se disa gjëra janë marr nga dollapi i ushqimeve, por gjithashtu vë re se produkte të tjera janë vendosur aty”-rrëfen Aisha Miller, banore e North Charleston në Karolinën e Veriut.

Ajo thotë se shumë familje luftojnë me urinë në heshtje. Kutia e Bekimit jep paqen e mendjes te ata që mund të marrin ndihmë, pa pasur nevojë të pyesin. ” Pra, unë mendova se kjo është një ide e mrekullueshme, sepse nuk e dihet kurrë se kush është i uritur”- thotë Miller.

Ka nga ata që përveç ushqimeve dhurojnë edhe produkte të higjienës siç janë, pastat e dhëmbëve, shampo apo detergjentë të ndryshëm, për nevojtarët.  Ndërkohë “Kutitë e Bekimit” kanë marrë edhe përmasa më të mëdha në disa raste duke shërbyer, si vend për vendosje veshjesh që mund të merren nga kushdo. Në disa raste këta dollapë vendosen pranë kutive të bekuara duke ua bërë më të lehtë sigurimin e disa gjërave të domosdoshme njerëzve që nuk kanë arritur ti kenë ato.

Big Spring, Teksas

“Big Spring”  është vetëm një qytet i vogël në Teksas, por përmasa e bujarisë së tij, është me të vërtetë e pakufishme. Ky është vetëm një nga dhjetëra qytete anembanë vendit ku po lulëzojnë të ashtuquajturat “Box Blessing” duke fituar vëmendje kombëtare. Kutitë të thjeshta kartoni mbushen me ushqime të dhuruara, dhe produkte të higjienës personale, dhe pastaj vendosen në vende të rastësishme në qytete nga Oklahoma, në Kansas.

I dëshpëruar për të gjetur një mënyrë, për të ndihmuar komunitetin e tij, punonjësi i sigurimeve Erik Escamilla u frymëzua për të ndërtuar një kuti bekimi në “Box Spring “, pasi lexoi për një projekt të ngjashëm, në një qytet tjetër. Në më pak se një muaj, kutitë e bekuara u përhapën në këtë qytet, duke numëruar më shumë se 40-të të tilla. Fqinjët vendosën  të bashkohen me lëvizjen, duke vendosur kutitë e tyre e duke bekuar kështu jetën e personave në nevojë.”Kjo është pikërisht ajo që dua. Të bëhemi bashkë si komunitet, le të ndryshojmë qytetin” thotë Escamilla për NBC News.

“Kutia e Bekuar” u ka ardhur në ndihmë njerëzve në vështirësi. E tillë është edhe nëna e katër fëmijëve, e cila para pak kohësh mbeti edhe pa punë. Ajo frekuenton kutitë e bekimit për të ushqyer fëmijët e saj.  “Vij e marrë ushqime vetëm për të ushqyer fëmijët, në atë ditë që kam nevojë për to, kjo me të vërtetë ndihmon shumë. Unë u them fëmijëve se kjo është për ne dhe për këdo tjetër. U them se nuk duhet të ndiejnë turp ose diçka  të tillë, për faktin se po marrim ushqime këtu”.

Djali i saj, Xhoshua ka ditëlindjen dhe për raste të tilla nismëtari i kutive të bekuara në “Big Spring” ka menduar edhe për “kutitë e ditëlindjeve”. Ato mbajnë një dhuratë të veçantë për ata që nuk mundësi financiare, që tu bëjnë familjarëve një suprizë të tillë. Dhe Xhoshua sapo mori dhuratën e ditëlindjes së tij.

 

 

 

 

 

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.