River dhe Anisa, të rinjtë që po zhvillojnë kulturën e ‘argëtimit të zjarrtë’: Është si rrjetë merimange, kalon dhe ngec pa e kuptuar
12/03/2019
0 komente
Shpërndaje

River dhe Anisa, të rinjtë që po zhvillojnë kulturën e ‘argëtimit të zjarrtë’: Është si rrjetë merimange, kalon dhe ngec pa e kuptuar

“Bëni atë që dashuroni dhe më pas mos harroni ta dashuroni atë që bëni”, kjo është motoja që ka ndjekur në jetë kërcimtari latin River Durra. Ai është 23 vjeç dhe ka pëfunduar studimet për Inxhinieri Fizike. Pasionin për kërcimin e ka kthyer në një profesion të dytë. Që në gjimnaz ka kërcyer me miqtë në kohën e lirë e tashmë është mësues dhe profesionist i kërcimeve latine, falë përkushtimit dhe trajnimeve që i ka dedikuar këtij zhanri, së bashku me partneren e tij, Anisa Jani.

“Një kërcim mund të bëjë mrekulli. Një kërcim mund të ndryshojë jetën tuaj”, thotë River në një interviste të dhënë për pozitivi.org, ndërsa tregon dhe mrekullinë e parë që ‘fitoi’ prej kërcimit. Bëhet fjalë për Anisën. River dhe Anisa u njohën në një klub latin, sepse ata të dy i bashkoi pasioni.

Të qenurit partnerë në jetë dhe në kërcim, 23 vjeçari e quan një ‘çmenduri të bukur’. Dy të rinjtë kanë krijuar një imazh tepër të dashur për publikun, teksa punojnë të përhapin kulturën e kërcimeve latine në Tiranë ose siç ata e quajnë ndryshe, këtë ‘argëtim të zjarrtë’. Kultura e kërcimeve latine është relativisht e re në Shqipëri, por vit pas viti po kthehet në një formë interesante argëtimi. “Është si një rrjetë merimange fine, që ti kalon dhe ngec pa e kuptuar fare. Dhe në fund ndihesh kaq me fat që përfundove aty”, thotë River për Pozitivin, ndërsa tregon përfitimet që sjell kërcimi latin në jetën e përditshme.

Projekti më i rëndësishëm që kanë realizuar bashkë është hapja e kurseve latine. Nxitja më e madhe për to ka qenë vlerësimi i njerëzve dhe dëshira e tyre për t’u argëtuar me këtë lloj ritmi. Ata punojnë me kursantë të moshave nga 19-35 vjeç, çdo ditë të javës. Dhe ky është vetëm fillimi thotë kërcimtari: ‘Ambicia dhe pasioni na nxisin të ecim përpara akoma dhe më të sigurt, tani që themelet i kemi ngritur’. Ambicia e tyre më e madhe në çift është garimi në një kampionat ndërkombëtar.

Intervista e plotë me River Durra për pozitivi.org:

Pozitivi: Kush është River Durra për të gjithë ata që s’të njohin?

Une quhem River Durra dhe jam 23 vjeç. Kam studiuar në fakultetin e Inxhinierisë Fizike dhe aktualisht punoj si agjent marketingu në një kompani shqiptare. Pavarësisht dyshimeve të ngritura shpeshherë për shkak të emrit apo look-ut tim, jam 100% shqiptar…(qesh).

Pozitivi: Na trego më shumë mbi rrugëtimin tënd në balet, si ka nisur?

Që në gjimnaz kërcenim shumë me shoqërinë. Kërcenim kudo, në party, në rrugë, në oborrin e shkollës. Ato që me kanë tërhequr gjithmonë kanë qenë sfidat e kërcimit. Na pëlqente shumë të mblidheshim bashkë, të vinim muzikë me mjete rrethanore, të improvizonim një pistë kërcimi dhe të shfaqnim talentet tona. Rreth 3 vite më parë përfundova rastësisht në një mbrëmje latine. Në fillim ishte pak e çuditshme për mua, që vija nga streetdance, tekno, shuffle, kercime kryesisht individuale, të shikoja njerëz që kërcenin dhe sinkronizoheshin aq mirë në çift. M’u duk vërtet një sfidë, dhe siç ju thashë dhe më parë, mua më pelqejnë shumë sfidat!

Pozitivi: Edhe Anisa kërcen gjithashtu, dhe bashkë me të jeni në hapat e parë drejt suksesit në balet. Sa kohë rrugëtim artistik u bënë së bashkë, si nisi dhe ku e gjeni veten sot?              

Në të vertetë jemi të dy “kërcimtarë latin”, gjë që na diferencon nga balerinët, pasi në pamundësi të një shkolle profesionale të zhanrit “latin social“ në Shqipëri, kemi kryer kurse dhe trajnime individuale brenda dhe jashtë vendit. Motivin dhe shtysën më të madhe për hapjen e kurseve latine, e kemi patur nga shoqëria dhe njerëzit që pëlqenin mënyrën tonë të kërcimit. Dëshira per t’ua transmetuar dhe trashëguar atyre pasionin tonë, na nxiti të merrnim këtë iniciative. Sot, falë mbështetjes së të gjithë atyre që na besojnë, kemi arritur të kemi grupe studentësh në nivele të ndryshme të kërcimit, në një nga palestrat më të njohura në Tiranë.

Pozitivi: Po historia juaj e dashurisë si ka filluar? Kur ka ndodhur vallëzimi i parë dhe si është të jeni partnerë në profesion dhe në jetë?

Prej disa kohësh kisha filluar të frekuentoj klubet latine. Atë natë isha në njërin prej tyre me shoqërinë time. Tek rrija në banak, në një moment shoh papritur një femër me fustan të kuq duke kërcyer në pistë. Sytë zemra!! Ai fustani i kuq, lëvizjet e saj, krahët e imët dhe mbi të gjitha buzëqeshja që e shoqëronte gjatë gjithë kohës. Fillova të ndihesha xheloz sa shumë po kënaqej duke kërcyer, edhe pse jo me mua, edhe pse akoma jo e imja. Quajeni dashuri me shikim të parë, quajeni çtë doni, di vetëm që atë natë s’bëra asgjë. As nuk mora dot guximin ta ftoja për të kërcyer. Te nesërmen fillova të pyes rreth e rrotull, njerëzit që e njihnin, iu drejtova edhe rrjeteve sociale për ndihmë, grumbullova gjithë arsenalin e nevojshëm për të gjetur rrugën e duhur për t’iu afruar. Në partyn e rradhës, sapo e pashë, nuk i lashë aspak kohë trurit të më bënte persëri lojëra, vajta e ftova direkt për të kërcyer. Aty filloi gjithcka… Një kërcim mund të bëjë mrekulli. Një kërcim mund të ndryshojë jetën tuaj!

Te jesh partnerë edhe në jetë edhe në profesion per mua është një “Çmenduri e bukur”! Ne fakt të qenurit partnerë në profesion na ka ndihmuar ta konsolidojmë më tepër marrëdhënien tonë, pasi gjërat që bëjmë së bashku tashmë janë shumë më tepër. Por më besoni nuk është aspak e lehtë. Sidomos për tipa xhelozë si puna ime!… (qesh)

Pozitivi: Në instagram keni krijuar imazhin tuaj, pra identifikoheni si “River-Anisa”, dhe shpeshherë publikoni video të realizuara përgjatë aktiviteteve që kryeni. Cilat janë projektet që keni vënë në jetë së bashku? Na trego më shumë rreth tyre.

Projekti më i rëndësishëm që kemi arritur të realizojmë është hapja e kurseve latine. Siç e përmendëm edhe më parë, nxitja më e madhe ka qenë prej personave që vlerësonin dhe dëshironin të mësonin të kërcenin sipas mënyrës sonë. Aktualisht zhvillojmë kurse në ditë dhe orare të ndryshme të javes në varësi të grupeve dhe niveleve. Mësojmë të kërcejnë persona që nuk kanë kërcyer kurrë në jetën e tyre, si dhe ata që janë fansa të çmendur të kërcimeve latine.

Pozitivi: Për cilat grupmosha ofroni kurse dhe sa të interesuar duken për këtë lloj kërcimi?

Aktualisht mosha e kursanteve varion nga 19-35 vjec. Kultura e kërcimeve latine është relativisht e re në Shqipëri, por interesi për këtë “argëtim të zjarrtë“ po rritet çdo ditë e më tepër. Është si një rrjetë merimange fine, që ti kalon dhe ngec pa e kuptuar fare. Dhe në fund ndihesh kaq me fat që përfundove aty.

Pozitivi: Çfarë përfitimesh mund të kesh nga kurset e kërcimeve latine?

E veçanta e kërcimeve latine është se të gjithë mund të përfitojnë prej tyre. Mund të fillosh ti kërcesh në çdo moshë dhe nuk është e nevojshme të kesh patur një “background“ kercimi të mëparshëm. Mjafton dëshira dhe mund të shijosh magjinë e kërcimeve latine në çdo kohë.

  • Kercimet latine përmirësojnë shëndetin tuaj fizik falë ndikimit në sistemin Kardiovaskular, Respirator dhe atë Muskulor.
  • Ju ndihmon të përmirësoni Fleksibilitetin, Ekuilibrin dhe Posturen.
  • Ato kanë një rol shumë të rëndësishëm në shëndetin mendor, pasi nxisin kreativitetin, motivimin dhe kujtesën tuaj nervore.
  • Çlirojnë stresin, depresionin dhe vetminë përmes bashkëveprimit social që ofrojnë.
  • Ëmbëlsira për në fund, kërcimet latine ju ndihmojnë të krijoni shoqëri të reja. Ju japin mundësi të kaloni mbrëmjet me miqtë tuaj dhe ju ofrojnë një numër të madh aktivitetesh dhe eventesh. Të kaloni kohë me njerëz kreativ dhe energjik përmireson gjendjen tuaj të përgjithshme.

Pozitivi: Si fillon dhe mbaron një ditë e juaja?

Nëse njerëzit në përgjithësi në mëngjes i zgjon alarmi, mua më zgjon gjithmonë telefonata e Anisës, që në varësi të gjendjes emocionale mund të jetë shume më mirë ose edhe më keq se alarmi! Përtej shakave, është energjia ime e mëngjesit. Shkoj në punë dhe sapo mbaroj takohemi me Anisën dhe nisemi për në palestër. Aty orët fluturojnë. Punojmë për programin e kurseve, zhvillojmë orët e mësimit dhe pjesën që ngelet punojmë për veten tonë. Kur energjitë shterojnë, është fiks koha për ta mbyllur ditën të lumtur me misione të përmbushura. Kurse fundjavat na gjejnë shpesh nëpër pista kërcimi në lokale latine duke u argëtuar me shoqërinë dhe kursantët tanë.

Pozitivi: A mendoni se ia keni dalë, apo mund të bëni edhe më shumë?

Kur kthejmë kokën mbrapa shohim se kemi arritur edhe më shumë seç mendonim. E nisëm me vetëm 2 kursantë dhe brenda një viti arritëm të krijojmë dy grupe të niveleve të ndryshme. Por, ky është vetëm fillimi i mbarë, fatmirësisht. Ambicia dhe pasioni na nxisin të ecim përpara akoma dhe më të sigurt, tani që themelet i kemi ngritur.

Pozitivi: Tri cilësi që ju identifikojnë?

  • Karizmi
  • Këmbëngulja
  • dhe Look-u padyshim (:P)

Pozitivi: Cilat janë planet tuaja në të ardhmen? Ambicia më e madhe sa i takon karrierës?

Në të ardhmen synojmë të zgjerojmë më tepër kurset tona dhe të induktojmë sa më shumë kulturën e bukur të kërcimeve latine. Ambicia më e madhe në çift është garimi në një kampionat ndërkombëtar.

Pozitivi: Mesazhi juaj për të rinjtë, që duan të ndërtojnë një jetë artistike?

Beni atë që dashuroni dhe më pas mos harroni ta dashuroni atë që bëni!

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.

Komentet

Asnjë Koment Ju mund të jeni i pari që të komentoni!

Shkruani një Koment

Të dhënat tuaja janë të sigurta! Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet dhe të dhënat tuaja nuk do të shpërndahen me persona të tretë. *