Rikthimi i shpresës në familje
26/03/2019 Shpërndaje

Rikthimi i shpresës në familje

“Më përpara goca ime nuk dinte as të shkruante dhe as të lexonte. Tani vjen vetëm me vlerësime të mira madje mësuesit i vendosin edhe yje. Mezi pret orarin të shkojë në shkollë”. Kështu e nis rrëfimin e tij Iljaz Rakipi, banues në Fushë-Krujë. Ai na tregon pasojat që solli në familjen e tij gjendja e vështirë ekonomike në të cilën ndodhej dhe si arritën ta rimarrin veten.

Historia e familjes Rakipi

Iljazi dhe bashkëshortja e tij Elsa Rakipi kanë tre fëmijë dhe pak kohë më pare jetonin në kushtet e mbijetesës. Fëmija më i madh i familjes, Elona e cila ndjek klasën e parë, kishte shfaqur probleme në frekuentimin e shkollës. Kjo ka ndodhur për shkak se prindërit nuk u plotësonin dot kushtet fëmijëve të tyre. Ata s’mund t’u siguronin librat dhe mjetet që i duheshin në shkollë. Për shkak se nuk shkonte rregullisht në shkollë, Elona ka mësuar më vonë se moshatarët, të shkruajë dhe të lexojë. Mënyra si jetonte e bënte Elonën të ndihej më inferiore ndaj moshatarëve. Ndikuar nga gjendja në të cilën prindërit dhe vëllezërit e saj jetonin, kishte filluar të mos e donte shkollën pasi nuk ndihej mirë përkrah moshatarëve. Ishte më e ndrojtur se të tjerët, josociale dhe çdo ditë gjendja e saj përkeqësohej.

Ndërsa vajza tjetër Xhensila dhe djali Erxhani më i vogli në moshë qëndronin në shtëpi me mamanë e tyre Elsën. Te dy prindërit ishin të papunë dhe familja ndihej plotësisht e pashpresë. Me vështirësi arrinin të siguronin ushqim për të mbijetuar, me mbledhjen rastësore të materialeve të riciklueshme.  Iljazi e pa që situata po përkeqësohej dhe vendosi të kërkojë ndihmë, më shumë i shtyrë nga gjendja e fëmijëve.

“Kam dy goca dhe një djalë. Më përpara ishim shumë dobët nga ekonomia. Kërkova ndihmë se kalamajtë i kisha në shkollë me shkëputje, më shumë nuk shkonin. Shkova te zyra e NPF dhe u thashë do më ndihmoni se kalamajtë  kanë lënë shkollën”, tregon Iljazi.

Iljazi nuk ka profesion tjetër përveç tregtisë. Ai u ndihmua duke i mundësuar produkte për ti tregtuar. Tanimë ka filluar punë dhe shet këpucë në qytete të ndryshme. “Më kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Në rradhë të parë më ndihmuan për djalin, pastaj dhe për gocën në kopësht. Edhe mua më ofruan mall që të tregtoja, sipas dëshirës time. Tani jemi më mire, më ndryshe. Tani bëj një jetë tjetër. Unë punoj në tregti, ndësa nusja është në punë në një fasoneri”, shton më tej ai.

Pas Iljazit u mundësua edhe një punë për bashkëshorten. Elsa nisi të punojë në një fasoneri, falë bashkëpunimit të zyrës së punës me bizneset e zonës. Problemi kryesor mbetën fëmijët. Si rezultat i këshillimeve të vazhdueshme me Elonën dhe prindërit, me ndihmën edhe të psikologes së shkollës dhe mësueses së saj dhe duke u pajisur me setin e plotë të mjeteve didaktike të nevojshme, Elona u rikthye në shkollë për ta ndjekur rregullisht atë. Ajo filloi të rikuperojë shpejt boshllëkun e krijuar nga mungesat e shpeshta. Përveçse u ofrua shërbimi i punësimit për të dy familjarët, primare kanë qenë fëmijët, duke i plotësuar vajzës të gjitha kushtet dhe mundësitë që të integrohet në shkollë, të ketë mundësi të barabartë me të gjithë fëmijët e tjerë.

Bashkëshortët Rakipi edhe pse të gatshëm për të punuar, më herët nuk kishin mundur të gjenin një punë të përshtatshtme pasi u duhej të kujdeseshin për fëmijët dhe nuk dinin as se si mund të kërkonin një punë. Tanimë të dy familjarët janë të punësuar, vajza e madhe ndjek shkollën në mënyrë të vazhdueshme. Ndërsa 2 fëmijët e tjerë janë rehabilituar në kopësht dhe çerdhe. Erxhani, fëmija më i vogël i familjes u regjistrua në çerdhe nga punonjësit socialë të projektit në bashkëpunim me bashkinë duke e bërë më të lehtë punësimin e Elsës në një nga fasoneritë e qytetit.

Familja vazhdon të jetë në monitorim pasi ka nevojë ende për shërbime psikosociale në mënyrë që të mund të ndihmohet në rimëkëmbje të plotë. Për Iljazin dhe Elsën, përballimi i jetesës me tre fëmijë të vegjël është shumë më i lehtë.  Të dy munden të punojnë çdo ditë ndërkohë që fëmijët e tyre vijojnë të jetojnë  njësoj me bashkëmoshatarët e tyre.  “Do vazhdojmë të punojmë derisa të arrijmë në pikën që duam. Kemi një jetë më normale, jemi më të gëzueshëm, jo si më parë. Fëmijët rrinin në shtëpi, kurse tani janë secili në drejtimin e vet”, thotë Iljazi.

Ashtu si familja e Iljazit edhe familje të tjera në nevojë, mund të ndihmohen por kjo vetëm duke rakorduar një ndërhyrje shumëpalëshe.

 

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.