Regina Murati, vajza e talentuar nga Vora që pikturon me një krah: Gjithçka lindi nga dëshira për të bërë diçka të bukur
16/03/2019 Shpërndaje

Regina Murati, vajza e talentuar nga Vora që pikturon me një krah: Gjithçka lindi nga dëshira për të bërë diçka të bukur

“Dhe kështu lindi gjithçka nga dëshira për të bërë edhe unë diçka të bukur”, kështu fillon të tregojë për pozitivi.org Regina Murati 18 vjeçarja nga Vora e cila ka humbur krahun nga një fatkeqësi, si rilindi shpresën për t’ju rikthyer jetës dhe për të bërë realitet ëndrrat dhe pasionet e saj, me gjithë fuqinë që mbart shpirti e karakteri i një vajze të fortë.

Regina ka një shpirt luftarak. Në moshën 6 vjeçare ka humbur krahun, por ajo ka kapërcyer çdo barrierë. Errësirën ka vendosur ta lërë pas. Për të dielli ka lindur sërish, këtë herë për të mos perënduar më kurrë. Jeton në një fshat të Vorës dhe është maturante me rezultate të shkëlqyera. Ka vizatuar që në moshë të vogël por vetëm para dy vitesh ka filluar të skicojë rregullisht fustane dhe aksesorë të ndryshëm. Tashmë identifikohet me skicat e veçanta që bën.

Pa lënë mënjanë pasionin për të skicuar, dëshiron të studiojë për drejtësi ose gazetari. “Më pëlqejnë këto 2 profesione për arsye se japin pak shpresë dhe pak dritë. Juridiku besoj se më shkon domethënë edhe si profil, është një profil serioz, mendoj prirem drejt së drejtës. Shpresoj të mos ta ndryshoj kurrë këtë te vetja ime. Kështu është dhe një mundësi për të ndihmuar njerëzit edhe gazetaria është një mjet shumë i fuqishëm për të ngritur zërin për ata që nuk e kanë këtë mundësi”, thotë Regina ndër të tjera në një intervistë të dhënë për pozitivi.org.

Një nga ëndrrat e saj është të hapë një atelie dhe 18 vjeçarja beson se gjithçka bëhet realitet nëse punon fort. Ndërsa flet për ëndrrat, s’mund të mungonte dhe një skicë me fjalë, për jetën e saj. “Jetën time do e skicoja me një mori ngjyrash, do përfshiheshin të gjitha ngjyrat. Do e filloja sikur është një perëndim dielli, që vjen që në ato momentet që dielli fillon e merr atë ngjyrën portokalli ose kur krijon atë ngjyrën rozë te retë, deri në momentin që ulet dhe e lë vendin në errësirë… Dhe pastaj lind përsëri dielli”, thotë ndër të tjera Regina në intervistën e plotë. Në këtë intervistë Regina dëshiroi të fliste vetëm për ëndrrat që rilindin dhe që nuk vdesin kurrë.

Intervista ekskluzive me Regina Murati për pozitivi.org:

Pozitivi: Një prezantim të vetes për të gjithë ata që s’të njohin. Kush është Regina?

Regina Murati: Përshëndetje. Unë jam Regina Murati, jam 18 vjeç. Jam në vit të 3 në gjimnaz dhe jetoj në Vorë. Sa i përket pasioneve, leximi është një ndër pasionet e mia. Pastaj më pëlqen të vizatoj siç e keni parë, skicat më zënë një pjesë shumë të madhe të kohës time.

Pozitivi: Kur e ke kuptuar talentin qe ke dhe prej sa kohësh ke filluar të skicosh?

Regina Murati: Në fakt asnjëherë nuk e kam kuptuar që kam talent, kam vizatuar gjithmonë që në moshë të vogël. Deri para 2 vitesh kjo ishte diçka krejt normale. Pastaj mendova që ta kthej në një nivel tjetër, duke parë dhe në internet dhe zbulova këtë pjesën e skicave që kishte për veshjen modën dhe vendosa që ta profilizoj në këtë këndvështrim atë që vizatoja më parë.

Dhe kështu lindi gjithçka nga dëshira për të bërë dhe unë diçka të bukur. Kur të tjerët filluan të më thonin o e ke bërë bukur, është mirë, e gjëra të tilla më motivonin gjithmonë e më shumë. Kështu vazhdova dhe shpresoj ta vazhdoj dhe më tutje.

Pozitivi: Sa kohë në ditë i kushton skicave dhe çfarë realizon kryesisht?

Regina Murati: Fatkeqësisht nuk është se i kushtoj shumë kohë për shkak se tani jam në vitin e tretë dhe po më afrojnë provimet, sidomos tani jam me sezon provimesh. Në fundjavë vizatoj më shumë ose në mbrëmje pasi mbaroj gjithçka, pastaj për kohën varet, nëse je e frymëzuar të merr pak kohë nëse nuk të vjen ndonjë ide të duhet ta prishësh skicën disa herë, atëherë të merr më shumë kohë normalisht.

Siç shihet dhe në faqen time në instagram “Reg_Ilustrations” kryesisht kam bërë më shumë veshje për vajza dhe zakonisht janë këto fustanet e mbrëmjeve ose fustanet e gjatë që janë pak galmur, por kam qejf dhe këtë pjesën e këpucëve. Kam vizatuar disa taka, ishte diçka e re por e provova. Deri tani mirë nuk është keq, por më shumë jam tek veshjet e femrave, fustane që kanë pak klas për evente të ndryshme.

Pozitivi: Na trego më tepër për punën tënde krijuese, nga frymëzohesh?

Regina Murati: Frymëzimi vjen nga gjithçka edhe nga vetë jeta e përditshme, kur sheh diçka të bukur. Për shembull natyra është një element që ndikon shumë. Duke qenë se mua më pëlqejnë shumë ngjyrat eksperimentoj shumë me to, sidomos ngjyrat e ndezura. Mendoj se janë më të gjallëruara dhe i japin më shumë jetë ose dritë skicës. Frymëzohem nga artistët ose stilistët e mëdhenj, më pëlqejnë ti ndjek. Marr elemente nga ato. Nuk është se kam ndjekur ndonjë kurs, por më vjen natyrshëm. Gjithçka të jep frymëzim, kur je e lumtur për shembull frymëzohesh për ta shprehur lumturinë përmes skicës, me anë të ngjyrës, elementit, mënyrës si qëndron skica, gjithçka.

Pozitivi: Ti the se nuk ke ndjekur asnjë kurs por thjesht të vjen natyrshëm të skicosh. Tanimë je dhe maturante, a ke dëshirë që t’i fillosh studimet në këtë fushë?

Regina Murati: Në fakt jam më shumë e drejtuar rreth juridikut më pëlqen edhe gazetaria. Ky është thjesht një pasion që zë kohën time të lirë, por nëse do të dilte një mundësi bashkëpunimi apo diçka tjetër, pse jo, do mësoja më shumë, do fitoja më shumë eksperiencë dhe ndoshta një ditë të hapja atelienë time. E kam menduar si mundësi, me pak fjalë.

Pozitivi: Pra në të ardhmen do te jesh një kolege e imja ose ndoshta një juriste. Përse të pëlqejnë pikërisht këto 2 profesione, përse gazetaria dhe juridiku?

Regina Murati: Shpresoj të jemi kolege ndonjë ditë. Më pëlqejnë këto 2 profesione për arsye se japin pak shpresë dhe pak dritë. Juridiku besoj se më shkon domethënë edhe si profil, është një profil serioz, mendoj prirem drejt së drejtës. Shpresoj të mos ta ndryshoj kurrë këtë te vetja ime. Kështu është dhe një mundësi për të ndihmuar njerëzit edhe gazetaria është një mjet shumë i fuqishëm për të ngritur zërin për ata që nuk e kanë këtë mundësi. Me pak fjalë në këtë botë që po shndrrohet totalisht t’u vij në ndihmë atyrë që nuk kanë mundësi të flasin. Ndoshta në të ardhmen mund të kem ide të tjera por për momentin, tani, kam këto ide.

Pra me pak fjalë dua të bëhem zëri i dikujt dhe kjo është ideja. Ja për shembull marrim rastin tënd meqë ti po zbulon talente të reja dhe është një mundësi shumë e mirë për të më promovuar mua, dhe pse jo unë të promovoj dikë tjetër nesër. Sepse unë duke u nisur nga vetja ime që them pse të mos e dijnë të tjerët se çfarë jam e aftë të bëj, edhe dikush tjetër mund ta ketë këtë ëndërr dhe dëshirë.

Pozitivi: A të ka munguar ty ndonjëherë mundësia për të ngritur zërin për diçka, meqë e përmende që do të bëhesh gazetare për të ngritur zërin për ata që s’dëgjohen?

Regina Murati: Ka momente ku ne e ndiejmë veten të pafuqishëm, ose shoh nga njerëz të tjerë që janë më të rritur se unë që nuk kanë mundësi të thonë diçka mbi atë se çfarë mendojnë, lidhur me diçka, edhe mbi atë se çfarë ndiejnë. Domethënë pak rëndësi ka se mbi çfarë, por kjo më shtyn më shumë drejt së drejtës dhe vëmendjes që duhet të kemi ndaj te tjerëve.

Po ka pasur nga ato momente kur jam ndierë… që s’flisja dot se mund të lëndoja dikë apo diçka tjetër. Sepse ne në fakt duhet të themi gjithçka ashtu siç e ndiejmë.

Pozitivi: A mendon se mungon drejtësia në vendin tonë, pra a bëhen padrejtësi për të cilat nuk ka fajtorë në fund?

Regina Murati: Çdo qytetar që jeton në Shqipëri e di që këtu bëhen padrejtësi dhe mendoj se edhe ti e ndjen këtë bashkë me mua apo dikush tjetër. Secili ka problemet e veta. Nuk dua të hyj në detaje për këtë pjesë, siç e kemi biseduar dhe më lartë. Thjesht mund të them se ka padrejtësi… e drejta mungon… si ta them… me pak fjalë ka padrejtësi plot.

Pozitivi: Ti ke përjetuar një nga tragjeditë më të mëdha shqiptare (gërdeci), a mendon se është vënë drejtësia në vend sa i përket kësaj ngjarje qe vrau dhe dëmtoi njerëz të pafajshëm? A ka qenë kjo ngjarje një shtysë për ty që ndjekësh një nga profesionet që përmende në intevistë, e them këtë bazuar dhe në arsyet që dhe?

Regina Murati: Nuk dua të jap shumë detaje, por meqë jetoj këtu, mund të them se të gjithë i ka tronditur. Unë kam dhe moshatarë të tjerë të cilët e kanë përjetuar këtë pjesën e tragjedisë. Është e ndryshme për të gjithë, disa kanë përfituar disa s’kanë përfituar, por s’dua të diskutoj për këtë pjesë, është e zymtë.

Pozitivi: Na e përshkruaj jetën tënde me disa rreshta, që nga fëmijëria… Çfarë ngjyrash mbizotërojnë në të? Ose më saktë na e skico, me fjalë.

Regina Murati: Jeta ime ka qenë le të themi e kënaqshme. Kam qenë një fëmijë çapkën, gjithmonë aktive. Pastaj si jeta e çdo njeriu ka pasur vështirësitë e veta, sidomos tani në moshën e adoleshencës. Por që do të mundohem t’ja dal gjithmonë dhe ti largohem kësaj pjesës së monotonisë dhe zymtësisë që sjellin shpesh disa situata. Me pak fjalë për mua ka qenë një fëmijëri e mirë, pa përfshirë pjesën e zymtësisë. Jam rrethuar gjithmonë me njerëz që më kanë dhënë kurajo, më motivojnë dhe më duan.

Si do e skicoja. Jetën time do e skicoja me një mori ngjyrash, do përfshiheshin të gjitha ngjyrat. Do e filloja sikur është një perëndim dielli, që vjen që në ato momentet që dielli fillon e merr atë ngjyrën portokalli ose kur krijon atë ngjyrën rozë te retë, deri në momentin që ulet dhe e lë vendin në errësirë… Dhe pastaj lind përsëri dielli (qesh).

Pozitivi: Rikthehemi përsëri te skicat. The që një ëndërr e jotja është të hapësh një ditë një atelie tënden. Sa të realizueshme e sheh këtë synim tëndin? Dhe ku do ta hapësh, në Vorë?

Regina Murati: Kjo është ëndërr që nëse i shkon deri në fund ose nëse punon shumë, kthehet në realitet. Sepse gjithçka është e mundur në këtë botë, kot themi që është e pamundur. Përsa i përket vendit nuk e di, s’jam e sigurt. Por pse jo t’ja nis nga pak në mënyrë që të arrij në një nivel tjetër, edhe në Vorë mirë do ishte sepse e kam afër, por për shembull në Tiranë do të kishte më shumë mundësi.

Një nga synimet e mia është të largohem fare nga Shqipëria por gjithçka me kalimin e kohës shpresoj që të bëhet dhe më mirë. S’ka shumë rëndësi vendi rëndësi ka cilësia, se pastaj nëse ti njihesh dhe bën punime të mira të kontaktojnë nga çdo vend.

Pozitivi: Cilat janë arsyet pse do të largohesh nga Shqipëria?

Regina Murati: Nëse edhe këtu e bëj jetën që dua, nuk është nevoja të largohem nga Shqipëria, se askush nuk do të largohet nga vendi  i tij. Mendoj se jashtë të afrohen më shumë mundësi, ke më shumë liri. Këtu njerëzit janë më shumë paragjykues ndërsa jashtë nuk është se ekzistojnë shumë paragjykimet, secili sheh punën e vetë. Atje mund të ecësh më shumë, ke më shumë mundësi të fitosh mbështjetje. Më ka rastisur që të lëviz jashtë dhe është komplet botë tjetër, shumë larg Shqipërisë.

Pozitivi: Sa mundësi për të krijuar karrierë ka një vajzë nga periferia? Me çfarë vështirësish përmballesh ti atje?

Regina Murati: Në fakt nuk është fare e vështirë, secili nëse do e arrin. Është e vërtetë që duhet të kesh mbështetje, fatmirësisht kam pasur mbështetjen e familjes time, nuk më ka munguar asnjëherë. Edhe kushtet janë munduar të mi krijojnë gjithmonë. Disa kanë paragjykimin që vjen nga fshati ose nga periferia, por mendoj se me kalimin e kohës, koha tregon që kjo s’ka fare lidhje. Pastaj nëse një njeri edhe pse të njeh dhe për aftësitë që ke dhe vazhdon me paragjykime do të thotë se nuk është në  rregull vetë. S’do të thotë asgjë të vish nga periferia dhe të arrish diku më lart. Secili ka aftësi. Edhe legjendat kanë lindur nga vende të voglë, që njohen nga të gjithë sot.

Pozitivi: Më lart ke përmendur paragjykimet, a je ndierë ose a ndihesh ti e paragjykuar?

Regina Murati: Çdo njeri ndihet i paragjykuar këtu, sepse edhe nëse je shumë mirë gjithmonë do të ta nxjerrin diçka të keqe. Besoj se të gjithë ata që e lexojnë këtë intervistë do të jenë në një mendje me mua. Sepse ata që janë të pakënaqur me jetën e tyre, mundohen ti bëjnë dhe të tjerët të ndihen të pakënaqur me veten. Ky është mendimi im. Pse të jemi të paragjykuar.

Fundja secili ka jetën e tij, ka aftësitë e tij, aq sa është. S’ka pse ta bëjnë të ndihet keq. Ne mund ti japim motivim ta bëjmë të ndihet më mirë ose të arrijë diçka më shumë por jo ta paragjykojmë. Dashje pa dashje krijohet paragjykimi sepse shohin vetëm pjesën e keqen osemundohen të nxjerrin gjërat e këqija. Mundohu ti shohësh gjërat më pozitivisht. Një thirrje kjo për të gjithë ata që paragjykojnë le të themi.

Pozitivi: Ti i realizon skicat vetëm me dorën e majtë. Për arsyen (ngjarjen) më the që s’do ta përmendësh në këtë intervistë sepse ke nisur kapitull te ri, por sa e vështirë është të pikturosh me një dorë?

Regina Murati: Po i punoj skicat me dorën e majtë, për shkak të një incidenti për të cilin nuk dua të jap detaje. Nuk është e vështirë sepse që e vogël kam mësuar të shkruaj me dorën e majtë edhe të vizatoj. U bënë shumë vite që e përdor dhe nuk më shkakton ndonjë problem.

Pozitivi: Çfarë moshe kishe kur ndodhi ngjarja?

Regina Murati: Kam qenë 6 vjeçe.

Pozitivi: A ke kontaktuar me ndonjë stiliste për ti treguar punimet që bën ose për të bashkëpunuar?

Regina Murati: Në fakt nuk është se kam kontaktuar, nuk më pëlqen sepse shoh disa të tjerë që u shkruajnë pafund, më duket si një mënyrë bezdisje. Ka pasur disa stiliste që më kanë dhënë mbështetje. Ka qenë Frida dhe Stela Sallaku, kam kontaktuar për pak me to, jo për ndonjë bashkëpunim, vetëm më kanë dhënë mbështetjen e tyre. Mendoj se duhet të punoj edhe pak më shumë, për të krijuar një bashkëpunim, kam shumë gjëra për të mësuar.

Nëse dikush do më jepte ndonjë ide ose si e dëshron një fustan do të isha shumë e gatshme ta vizatoja. Ta shikonin në skicë atë se çfarë ëndërrojnë dhe pastaj pse jo edhe një fustan të vërtetë.

Pozitivi: Cili është fustani më i bukur që ke stiluar?

Regina Murati: Këto të 3 janë të preferuarit e mi.

          

Pozitivi: A ke dizanjuar dhe realizuar ndonjë fustan për dikë të veçantë për ty?

Regina Murati: Për motrën kam dizanjuar një fustan për maturë por se kam bërë publike dhe ka qëlluar rastësi që e ka gjetur në një dyqan të njëjtin, me disa detaje të ndryshme. Pastaj kam vizatur për një shoqe dhe disa kushërira, i kam edhe në faqe. Vizatimet e mia janë pikasur dhe nga të famshmit, duke u bërë tag në instagram ka pasur raste që kanë reaguar. Frida, Eva Murati, Sara Kolami, Sara Berisha, Leila Pary është e huaj, Ajsi Xhaxhaj, Isida Mollaymeri, Agnesa Vuthaj etj, të cilat i kanë pëlqyer, kanë bërë ‘share’ apo edhe komente.

Edhe fustanin tim të maturës kam menduar ta dizenjoj vetë sepse e di si më duhet dhe e di që s’do gjej diçka që të më përshtatet për veten, duke njohur karakterin dhe gjithçka më duhet të përshtas për veten.

Pozitivi: Si e ke menduar ta bësh?

Regina Murati: Do të jetë stil sirenë. Kam menduar ndoshta me një sup. Pavarësisht se më pëlqejnë shumë ngjyrat e zeza mbetet ngjyra ime e preferuar. Do më shkonte shume, meqë kam tipare bjonde dhe sy bojëqiell. Fustani do jetë i thjeshtë por copa do jetë e veçantë ajo do e marrë më shumë vëmendjen.

Pozitivi: Fakti që pikturon me dorën e majtë dhe vetëm me njërën dorë a mendon se të bën më të veçantë nga artistët e tjerë? Apo do jenë punimet?

Regina Murati: Unë mendoj se ka njerëz që janë tepër të talentuar që nuk kam fjalë të ti përshkruaj dhe janë pikërisht këto njerëz që më mbushin akoma me më shumë dëshirë që të vizatoj dhe më mirë. Nuk mendoj se është diçka e veçantë, ka dhe njerëz të tjerë që vizatojnë me dorën e majtë thjesht janë më të rrallë se këto të tjerët. Mendoj se çdo arstist nëse është artist në të vërtetë ka diçka që do ta thotë nga brendësia e shpirtit të tij dhe e shpreh me këto ngjyrat.

Nëse poetët e shprehin me fjalë ne shprehim me vizatime me ngjyra. Nuk e di, nuk mendoj se më bën shumë të veçantë. Është diçka jo e zakonshme, disa njerëz që nuk janë mësuar të shohin kështu rastesh mendoj se është diçka jo e zakonshme ndërsa për mua dhe ata që më njohin është e zakonshme. Nuk është ndonjë çudi e madhe thjesht nëse do e bën.

Pozitivi: Çfarë do kesh ti të veçantë nga të tjerët, si e mendon veten të identifikohesh? Pse mendon se ti duhet të zësh një vend të mirë në modë, si dizenjuese?

Regina Murati: Ajo me çfarë dua të identifikohem është si një person që ka arritur gjithçka vetë pa iu lutur askujt, pa bërë asgjë. Thjesht në punën e vetë që mos ti mari ato merita dikush tjetër, sepse secili mund tja dalë vetë. Motivimi është diçka e madhe. Përsa i përket asaj që dua të identifikohem, dua të identifikohem si një person që sjell gëzim, lumturi ose diçka të bukur. Dua që dikush që sheh skicat e mia të thotë qenka e bukur, dhe tja zbukuroj ditën dhe t’ja sjell në realitet atë që ëndërron. Me pak fjalë ti bëj ata njerëz të lumtur përmes ngjyrave dhe veshjeve sepse veshja vetë është një mjet identifikimi për të gjithë njerëzit.

Pozitivi: Ku e sheh veten pas disa vitesh, pasi të kesh përfunduar dhe shkollën?

Regina Murati: Shpresoj të jem një avokate, të kem një zyrë timen dhe një atelie timen. Ta kem jetën shumë aktive të jem sa në një punë në tjetrën dhe të kem shumë lumturi. Kjo shtë një ndër gjërat që dua shumë. Në rradhë të parë dua ti kem të gjithë familjarët  mirë të gëzojnë shëndet bashkë me mua, pastaj vjen pjesa e profesionit.  Të kem  diçka timen  që të jem krenare oër veten, dhe të tehm bravo që për gjithë këtë punë që ke  bërë gjithë këto vite s’të shkoi mundi kot. Dua një jetë aktive, sdua të jem pasive, në monotoni jo. Dua të jem  gjithë kohën  në lëvizje të marr gjëra të reja të shoh gjëra të reja, të marr eksperienca të reja, të njoh kultura të reja, dhe kjo ishte një nga arsyet pse unë thashë se dua të shkoj jashtë, sepse dua të marr pjesë nga bota e tyre.

Pozitivi: Nje mesazh të fundit sa i përket realizimit të ëndrrave ose për çfarë të duash. Zgjidhe vetë mesazhin që do të përcjellësh

Regina Murati: Të gjithëve do u thoja, të ndjekin ëndrrat. Bëni mirë se e mira do t’ju gjejë, mos ushqeni urrejtje se s’do t’ju çojë askund dhe nëse e do diçka mund ta bësh, asgjë nuk është e pamundur. Në këtë botë asgjë nuk është e pamundur thjesht duhet vullneti. Të gjithë atyre njerëzve që janë të zemëruar, që duket se jeta i ka ulur poshtë ose që nuk kanë fare shpresë për të ardhmen mos e mbaroni jetën e aty, mos e mbyllni aty, sepse jeta është shumë e gjatë, mund të jetë shumë e bukur.

Me të vërtetë që ka shumë kthesa, lëkundje, tatëpjeta por në momentin që stabilizohesh këto kthesat janë eksperiencë më tepër, janë diçka që do të të bëjnë një njeri akoma më të zgjuar, dhe do t’ja dish më shumë vlerën jetës, prandaj mos e ndërprisni jetën dhe vazhdoni të jetoni sepse me të vertetë ju do të largoheni por ato që do të lini pas do ta vuajnë më shumë këtë dhimbje të largimit tuaj. Edhe diçka të fundit duajini familjarët sepse janë të vetmit të cilët me të vërtetë ua dinë vlerën dhe do tu duan ashtu siç jeni pa paragjykuar dhe janë gjithmonë aty kur të tjerët zhduken.

 

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.