Promovimi i serisë “Pushimet magjike”
10/06/2019 Shpërndaje

Promovimi i serisë “Pushimet magjike”

Pushimet magjike – Aventurat tona të verës do të bëhet shoqëruesi argëtues i fëmijëve gjatë pushimeve verore duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e tyre. Arsyet jua shpjegojnë bashkëautoret…

Në kuadër të panairit të librit, Prishtinë, më 8 qershor 2019 u promovua seria “Pushimet magjike”, pesë libra, për nxënësit nga klasa e parë në klasën e pestë, me autorë Alida Thaçi, Arbërie Nagavci dhe Krenare Lleshi. Seria e librave u mundëson nxënësve të përsërisin mësimet që kanë marrë në shkollë gjatë pushimeve verore.

Blerta Perolli-Shehu, profesoreshë në Fakultetin e Edukimit dhe recensente e librit tha se ky libër do të shërbejë fëmijëve që të nxisin zhvillimin fizik dhe nxisë mendimin kritik të tyre. “Janë pesë libra që nxisin pikërisht atë që është e nevojshme për zhvillimin e fëmijëve, në të gjitha aspektet, në zhvillimin fizik e motorik, përmes aktiviteteve të ndryshme, si dhe bashkëveprimi, njohja e tjetrit. Pashë se janë përmbledhje shumë të strukturuar në anën pedagogjike, të ndërthurura me argëtim dhe lojë. Në tërësi të pesë librat janë të bazuar në kurrikul. Aktiviteti që i shkakton më shumë stres fëmijëve janë detyrat shkollore. Asnjë aktivitet nuk ishte thjesht teknik, sepse ata fuqizojnë analizën, fantazinë, të menduarit në mënyrë kritike dhe kreative. Këto libra ndërtojnë edukim, mirësjellje, qytetari. Hasim aktivitete që i shtyn fëmijët të hulumtojnë, debatojnë mbi çështje specifike, si: “Mbrojtja e mjedisit”, “Universi”, “Mirëqenia e tjetrit”, “Shpikjet revolucionare”, apo edhe “Përdorimi i teknologjisë”. Recensioni i këtyre librave ishte për mua kënaqësi. Si psikologe e fëmijëve gjithmonë kam qenë idhnare e lojës dhe kritikuese e librave ngarkesës në shkollë, ndaj ndjeva kënaqësi kur mora këto libra në dorë. Janë 5 libra shkollorë që nxisin fëmijët, pash aktivitete që nxisin zhvillimi fizik për fëmijët, pash përmbledhje pedagogjike të gjitha të përmbledhura në aktivitet dhe lojë”.

Sadbere Musa, mësuese në shkollën “Nazim Gafurri”, tha se këto kontribuojnë në përmbushjen e kurrikulës.

Ndërkaq, Krenare Lleshi, njëra nga bashkëautoret e serisë në fjalën e saj përshëndetëse u shpreh:

“Përshëndetje te nderuar pjesëmarrës, kolege, mësimdhënës, miq dhe ju fëmije shumë të dashur,

Faleminderit shumë që jeni bërë pjesë e promovimit të serisë së librave ‘Pushimet magjike – Aventurat tona të verës’ të cilat i kemi realizuar në bashkëpunim me shtëpinë botuese Albas. 

Jemi shumë të gëzuar që kemi mundësi të ndajmë këtë moment me ju dhe të shpalosim para jush një punë të filluar kohë më parë,të realizuar me shumë dashuri, që ka për qëllim të shoqërojë fëmijët e klasave 1-5 përgjatë pushimeve verore. 

Më lejoni të ndaj me ju, një përvojë timen kur isha vetëm një nxënëse e shkollës së mesme. Në atë kohë, unë isha pjesë e një sistemi arsimor i cili akoma nuk e kishte të zhvilluar praktikën e punës me nxënësin në qendër, kreativiteti dhe materialet shtesë nuk ishin pothuajse fare të zakonshme, dhe interneti akoma nuk ishte bërë pjesë e zhvillimit dhe arsimit tonë. 

Në këtë kohë, unë, si nxënëse e shkollës së mesme, pata rastin të përfundoj një vit shkollor në Amerikë, ku në mesin e shumë gjërave që më bënë përshtypje si objekti shkollor, raporti mësimdhënës-nxënës, qasjet e të mësuarit dhe vlerësimit, pa dyshim që përshtypje të mëdha më bënë edhe librat. Për herë të parë pas shumë viteve në shkollë, unë kisha në dorë libra me kopertina tërheqëse, me tekst përmbajtjesor, gjithëpërfshirës, që përdornin ilustrime dhe kishin një llojllojshmëri në informata dhe në mënyrën se si prezantoheshin ato. 

Më vonë, unë po ashtu, pata rastin të punoj për një kohë  të gjatë në shkollën M3, ku isha e angazhuar si mësimdhënëse e gjuhës angleze dhe punoja edhe me nxënësit e klasave 1-5. Gjatë përvojës time, më ka rastisur të kem në dorë shumë libra të gjuhës angleze dhe materiale të tjera atraktive. Më bënte përshtypje se si të gjitha këto libra përmbanin ilustrime, tekste, këngë, vjersha, informata nga fushat e ndryshme, e madje edhe lojëra të përfshira në to. E gjithashtu këto libra karakterizoheshin edhe me personazhet që shoqëronin fëmijët përgjatë librit dhe flisnin me gjuhën e tyre. Mendoj që të gjitha këto krijonin një lidhje më të ngushtë mes nxënësit, librit dhe informatave që paraqiteshin aty. Të gjitha këto përvoja, së bashku me përvojat e shumta edhe të dy autorëve të tjera në fushën e arsimit, dhe nevojën që kemi vërejtur për libra atraktiv kanë qenë një shtytje e madhe për realizimin e serisë së librave të cilët i kemi punuar me shumë dashuri e vullnet.

Seria Pushimet Magjike – Aventurat tona të Verës është në harmoni me KB, siç u tha edhe më herët, ofron mundësi për përforcimin e njohurive paraprake, e njëkohësisht nxit zhvillimit e shkathtësive të cilat kontribuojnë drejtpërdrejtë në arritjen e kompetencave të përcaktuara me KB. 

Librat që kemi sjell përbëjnë në vete risi në shumë aspekte. E para janë personazhet të cilët rriten bashkë me fëmijët, bashkëveprojnë me fëmijët përmes librit dhe mundësojnë ndërlidhjen më të mirë përmes librave. Gjithashtu, informatat, kërkesat dhe aktiviteteve janë paraqitur në mënyrë të integruar, pra duke bërë integrimin në mes të fushave si gjuhët dhe komunikimi, artet, matematika, shkencat, shoqëria e mjedisi, jeta dhe puna, edukata fizike e shëndeti, dhe lëndëve që bëjnë pjesë në këto fusha. 

Jemi munduar që këtë seri të librave të sjellim në mënyrë shumë të strukturuar, që bashkërisht me figurat që përdoren përgjatë pesë librave të ofrojnë udhëzime të strukturuara dhe të qarta duke iu mundësuar fëmijëve të kenë në fokus gjithmonë përmbajtjen dhe aktivitet që janë duke punuar. 

Përmes këtyre librave dhe aktiviteteve të prezantuara, ne synojmë të nxisim te fëmijët dëshirën për punë të pavarur dhe punë me të tjerët, kreativitetin, të menduarit kritik, zgjidhjen e problemeve dhe komunikimin – pra nëse ndalemi vetëm te kjo e fundit– përgjatë librit fëmijët shpesh nxiten të realizojnë aktivitete të cilat kërkojnë komunikim me bashkëmoshatarët e tyre, por edhe me të rriturit. 

Aktivitetet janë paraqitur me një llojllojshmëri duke filluar nga leximi i paraqitur në formë të tekstit të shkruar apo edhe stripave komik ku prezantohet dialogu në mes të personazheve. Më tutje kemi përdorur aktivitete të cilat i shtyjnë nxënësit të bëjnë punë dore, të ripërdorin materiale, të bëjnë hulumtime dhe të vëzhgojnë procese të ndryshme. Gjithashtu, një karakteristike e librave që më pëlqen shumë është dhënia e udhëzimeve për ushtrime fizike meqenëse, besoj të gjithë pajtohemi, që nxënësit kalojnë mjaft shumë kohë ulur, ndërkaq është e vërtetuar se ushtrimet fizike iu ndihmojnë atyre të koncentrohen më shumë dhe të zhvillohen në aspektin kognitiv. 

Përgjatë tërë librave kemi përdorur mesazhe pozitive të cilat mundësojnë rritjen e fëmijëve në mënyrë të hapur dhe të shëndoshë. Kujdes të veçantë i kemi kushtuar edhe mjedisit meqenëse fëmijët angazhohen në realizimin e aktiviteteve të ndryshme të cilat vënë në pah rëndësinë për mbrojtjen e mjedisit, dhe po ashtu i inkurajojnë fëmijët të nxisin edhe të tjerët të jenë më të ndjeshëm nga kësaj çështje. Krejt kjo meqenëse besojmë se secili prej nesh mund të jep kontributin për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj mjedisit.

Sigurisht që dëshirat, ëndrrat dhe e ardhmja e fëmijëve janë shumë të rëndësishme, dhe për këtë arsye kemi përfshirë edhe aktivitete që nxisin fëmijët të reflektojnë rreth këtyre. 

Krejt në fund dua të theksoj që në këtë libër i kemi kushtuar kujdes dhe jemi munduar të zvogëlojmë hapësirën në mes arritjes së barazisë gjinore dhe thyerjen e sterotipeve. Kjo vërehet që në mënyrën se si duken dhe paraqiten personazhet tona, por po ashtu edhe në mënyrën se si veprojnë, bashkëveprojnë e komunikojnë ata. Gjithashtu, e njëjta është reflektuar edhe te të rritur sepse shumë shpesh, për shembull, babai dhe nëna shihen në role fikse, ose shpesh na rastësisë të shohim imazhe të profesioneve që kryhen vetëm nga njëra gjini. Ndërkaq, në librat tonë, ne jemi munduar të paraqesim një këndvështrim dhe realitet tjetër. 

Prandaj, urojmë shumë që seria e librave  Pushimet magjike – Aventurat tona të verës të bëhet shoqërues argëtues i fëmijëve gjatë pushimeve verore duke kontribuar drejtpërdrejtë në zhvillimin e tyre”.

Aktivitete të tilla janë mjaft frytdhënëse dhe të dobishme. Nxitja e kreativitetit, të mësuarit në mënyrë logjike, kriktike i ndihmon këta nxënës të arrijnë më lehtë rezultatet e dëshiruara. Ndërthurja me lojën e bën edhe më zbavitëse. Ndaj, promovimi i këtyre serive është një domosdoshmëri për t’ia prezantuar mësuesve, prindërve dhe sigurisht fëmijëve. (Krenare Lleshi; Portali Shkollor)

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.