Pensioni i fundit
22/04/2019 Shpërndaje

Pensioni i fundit

Ilir Kadia; Pensioni i fundit.
Ajo e bardhë si top dëbore edhe pse i ka kaluar të 70-tat. Asnjë rudhë për be në fytyrë. Nuk mund t’i thuash plakë në asnjë mënyrë po ta shohësh vetë si i ndrin lëkura. Flokët po i ka të bardha krejt dhe nuk dëgjon pothuaj fare nga veshët. Duket sikur nuk i takon kësaj bote tek e sheh gjithmonë si të hutuar të kalojë rrugën për tek filiali i Bankës së Kursimeve ku shpërndahen pensionet çdo datë një, të çdo muaji. Dy herë e ka përplasur makina, por pas pak ditësh në spital ka ardhur në shtëpi shëndoshë e mirë me fytyrë më të bardhë akoma.
Ai asnjëherë nuk del nga shtëpia i parruar, por asnjëherë ama nuk mund të mos i gjesh nëpër faqe parcela qimesh që i kanë shpëtuar briskut. Numri i syzeve i është shtuar shumë muajt e fundit dhe kur del për të pirë ndonjë kafe me shokët e luftës po të mos ketë shkopin që i tregon gropat do të rrëzohej gati në çdo hap. Është hokatar i madh dhe tregon histori me kripë kur është mirë me shëndet. Pensionin e tij ka qejf ta tërheqë i pari qoftë edhe dy orë para të shoqes.
Ata i pashë dje të tërhiqnin njëri- tjetrin në rrugën para shtëpisë sime. Ishte data 1 e Qershorit 2004. Ajo një hap para tij, e kish kapur përdore dhe ecte pranë makinave pa dëgjuar boritë që binin ndërsa ai lëvizte shkopin në ajër krejt i paorientuar. M’u dhimbsën. E mora me mend se shkonin të tërhiqnin pensionet.
– Nuk pranojnë t’ia japin kësaj pensionin tim dhe më ngriti nga krevati të vë firmën”, – tha ai duke marrë frymë me zor. Mendjen e kishte top, por dukej se sëmundja e kishte vënë poshtë përfundimisht. I hipa të dy në makinën time për të çarë kaosin e makinave të tjera. Në filialin e Bankës së Kursimeve kish radhë. Gra dhe burra të moshuar shihnin në sy të një vajze të re të shëndoshë që në njërën anë lëvizte duart nëpër kartelat e tyre në anën tjetër ndukte kafshatë pas kafshate një kokërr mollë. Pensionistët i luteshin me zë të mekur të shpejtonte. Mezi qëndronin në këmbë.Megjithatë ai m’u duk sikur ishte më i pamunduri nga të gjithë të tjerët dhe guxova ti them vajzës së shëndoshë nëse mund t’ia jepte paratë para të tjerëve mikut tim të sëmurë. “Ahu, tha ajo hapur e bezdisur, këtu të gjithë kështu bëjnë, vijnë sikur po vdesin. Ja sa të marrë paratë ta shikosh si do bëhet, qiqërr. Le të mbajë radhën si të gjithë të tjerët. “Lumi i fjalëve të saj të cingëriste nervat. Unë pashë nga burrat dhe gratë e tjera. Ata panë nga ai. “ Jepja , jepja”, – thanë nja dy a tre ndërsa të tjerët pohuan me kokë.
Vajza e shëndoshë e kafshoi edhe njëherë mollën dhe u zhyt në kartelat e të dyvë. I gjeti pa vështirësi. “T’jua jap paratë e mbledhura tok të dyve?” – pyeti me zë të ndryshuar. Bëhej e ëmbël kur dorëzonte paratë në shkëmbim të bakshishit të pensionistëve. Ai e pa të shoqen në sy dhe me një zë si psherëtimë i tha duke ju afruar shumë afër fytyrës: “Thotë të na i japë tok paratë, si thua?”
“S’ka gjë , s’ka gjë”, – tha ajo. Ai iu afrua banakut ndërsa vajza e shëndoshë lëshoi të hollat duke numëruar me zë të lartë: “Katërmbëdhjetë mijë e katërqind e tetëdhjetë lekë” Unë po ndiqja skenën. Duart e të dyve iu afruan parave. Ai e la të shoqen të marrë monedhat prej karte ndërsa u duk se me tre monedhat metalike, një dhjetëshe, një njëzetshe dhe një pesëdhjetshe diç deshte të bënte. E afroi fytyrën gati ngjitur mbi banak dhe vuri gishtin tregues mbi monedhën më të vogël, atë dhjetëshen. Filloi ta lëvizë drejt po dalëngadalë për nga vajza e shëndoshë. E shëndosha bëri sikur po shihte një kartelë tjetër. “Na iku një kokërr vezë, i tha së shoqes psherëtimthi tek veshi. Atij iu duk sikur foli lehtë, por u dëgjua nga të tërë. Pastaj vuri gishtin mbi monedhën metalike me prerje 20 lekëshe. Filloi ta lëvizë drejt vajzës së shëndoshë duke bërë zigzage, por sërish ngadalë. “Edhe qumështin tonë për nesër do ta pijë kjo” – i tha së shoqes që shihte lëvizjet e gishtit të burrit. Monedha mbërriti pranë të parës. Ai hoqi gishtin dhe e vuri mbi monedhën metalike me prerje më të madhe. Ishte 50 lekëshja. Sytë e të tërëve ishin ngulur tek maja e gishtit të tij poshtë të cilit rrinte monedha 50 lekëshe. Ai e lëvizi pak përpara, por jo shumë. E ktheu lëvizjen majtas dhe filloi dalëngadalë të krijonte me gishtin mbi monedhë një rreth. Pastaj dhe një tjetër, edhe një tjetër. Vajza e shëndoshë filloi të djersijë. Ishte një djersitje e çuditshme . Nga poret e lëkurës në fytyrë filluan ti dalin ca si pika të vogla në ngjyrë të verdhë. Ishin pika dhjami si të një pule deti të ushqyer enkas për tu therrur ditën e fundit të vitit.
“Kaq bën një bukë, s’ta jap! “- i tha ai vajzës së shëndoshë. E mori monedhën dhe e futi në xhep. Turma e pensionistëve lëshoi një ooohh!
Në makinë tek po i çoja në shtëpi e dëgjova tek i thoshte asaj: “ Ishte pensioni i fundit.” Ajo ishte strukur në gjoks dhe me dy duart mbi supe dukej sikur nuk desh ta linte të ikte.
“Floke te lagur” mars 2005

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.