Pavarësisht dëshirës për fëmijë, shqiptarët preferojnë familjet e vogla
25/05/2019 Shpërndaje

Pavarësisht dëshirës për fëmijë, shqiptarët preferojnë familjet e vogla

Njohuritë mbi planifikimin familjar janë pothuajse universale në Shqipëri, ku rreth 97% e individëve të intervistuar ishin në dijeni të të paktën një metode kontraceptive. Megjithatë pavarësisht dëshirës për më shumë fëmijë, shqiptarët preferojnë familjet e vogla.
Gjatë raportit Demografik dhe shëndetësor shume femrat dhe meshkujt u pyetën nëse “Do t’ju pëlqente të kishit (një/tjetër) fëmijë apo preferoni të mos keni (më shumë) fëmijë?’ Të intervistuarit që u përgjigjën se do t’ju pëlqente të kishin më shumë fëmijë, u pyetën: ‘Sa gjatë do të donit të prisnit, duke nisur nga ky çast, përpara lindjes së (një/tjetër) fëmije?’

Në tërësi, 73 përqind e femrave të martuara ose nuk duan një fëmijë tjetër ose janë të sterilizuara, 20 përqind duan të kenë një fëmijë tjetër, 8 përqind duan një fëmijë së shpejti (brenda dy vitesh), 9 përqind duan një fëmijë më vonë (pas dy vitesh), dhe 3 përqind janë të pavendosur se kur e duan një fëmijë tjetër.

Shtatë përqind që mbeten janë ose të pavendosur nëse duan të kenë një fëmijë tjetër, ose thonë që nuk kanë mundësi të kenë një fëmijë tjetër (infertilë). Të dhënat tregojnë se femrat shqiptare përgjithësisht parapëlqejnë familje të vogla. Dëshira për të kufizuar lindshmërinë rritet me numrin e fëmijëve që jetojnë. Për shembull, 84 përqind e femrave të martuara pa fëmijë dëshirojnë të kenë një fëmijë, ku gjashtë në dhjetë nga këto femra (60 përqind) që dëshirojnë të kenë një fëmijë brenda dy vitesh.

Mes femrave me një fëmijë që jeton, 68 përqind duan të kenë një fëmijë tjetër në të ardhmen. Kjo përqindje bie shpejt në 12 përqind mes femrave me dy fëmijë, 3 përqind mes femrave me tre fëmijë, dhe 1 përqind ose më pak mes femrave me katër apo më shumë fëmijë. Preferencat e meshkujve për lindshmërinë janë të ngjashme me ato të femrave. Megjithatë, një përqindje më e vogël e meshkujve kundrejt femrave raportojnë se nuk duan më shumë fëmijë apo janë sterilizuar (69 përqind krahasuar me 73 përqind).

Një përqindje e ngjashme meshkujsh dhe femrash duan një fëmijë tjetër (20 përqind, secili), ndërkohë që një përqindje më e lartë meshkujsh (9 përqind) se sa femrash (4 përqind) janë të pavendosur për të pasur një fëmijë tjetër. Ashtu siç ndodh me femrat, edhe tek meshkujt dëshira për të pasur një fëmijë tjetër bie me rritjen e numrit të fëmijëve që jetojnë: nga 73 përqind e meshkujve pa fëmijë në 62 përqind e meshkujve me një fëmijë, 14 përqind e meshkujve me dy fëmijë, dhe në më pak se 10 përqind e meshkujve me tre fëmijë.

Megjithëse një përqindje më e lartë meshkujsh se sa femrash janë të pavendosur për të pasur një fëmijë tjetër, edhe te femrat edhe te meshkujt që kanë dy fëmijë që jetojnë ekziston një dëshirë e fortë për të ndaluar lindjen e fëmijëve dhe modeli vijon në të njëjtën mënyrë. Për shembull, 79 përqind e femrave dhe 75 përqind e meshkujve me dy fëmijë që jetojnë nuk duan të kenë më fëmijë, dhe tek ata me tre fëmijë që jetojnë përqindjet rriten në 92 përqind e femrave dhe 84 përqind e meshkujve. Kjo u realizua me mbështetjen e UNFPA. #UNFPA Albania

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.